Albini në Silicon Valley - a mund të kemi hair nga vizita e kryeministrit në ShBA

Albini në Silicon Valley - a mund të kemi hair nga vizita e kryeministrit në ShBA

Vullnet Krasniqi

Vizita e kryeministrit Albin Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ka një agjendë jo fort të zakonshme të politikanëve nga Ballkani e sidomos kryeministrave të mëhershëm shqiptar. Kurti nuk po takohet me politikanë amerikan por gjatë vizitës së tij po zhvillon takime me përfaqësues të tech bizneseve në San Francisco, apo siç njihet fshati që ka bashkuar në një park të gjitha kompanitë e mëdha teknologjike, Silicon Valley. Ai është takuar me përfaqësues të platformës profesionale të punësimit online “LinkedIn”, drejtuesit e aplikacionit për taksi “Uber”, përfaqësuesit e kompanisë softverike “Microsoft” dhe platformës digjitale për qera dhe turizëm “Airbnb”, dhe këto për njohës të politikës dhe opozitës nuk kanë ndonjë domethënie të madhe për një kryeminsitër. 

Por çka mendojnë njerëzit e fushës së teknologjisë në Kosovë. A ka ndonjë hair për kosovarët nga kjo vizitë? Dardan Hasku, menaxher i rrjeteve sociale dhe njohës i trendeve të marketingut digjital, ka përshtypjen se këto vizita janë të nevojshme por egziston një problem. 

“Ne nuk e dijmë nëse kryeminsitri ka shkuar me ndonjë plan, ose ka pasur kërkesa specifike. Nëse ka shkuar veç hajt sa me u taku, ska sen prej këtyre takimeve”, thotë ai në një bisedë për Podcast Nacionale. 

Në këtë podcast Hasku tregon mënyrat sesi rinia kosovare dhe sidomos ata që janë të profesionalizuar në këtë fushë mund të përfitojnë nëse ndonjëra prej kompanive interesohet dhe investon në Kosovë. Por ai është i vetëdijshëm që megjithatë është pak vonë që kompanitë e mëdha teknologjike të binden të ndërrojnë zyret e tyre rajonale. 

“Por ajo që kemi shumë si kapacitet është fuqia punëtore e lirë në fushën e teknologjisë. Në vendet evropiane dhe amerikane një profesionist mund të kushtojë mbi 5 mijë euro në muaj, e në Kosovë e gjenë për 1 mijë euro. Kështu që e vetmja mundësi është outsource ose angazhimi i kosovarëve nga kompanitë duke punuar nga Kosova”, thotë Hasku. 

Biseda vazhdon edhe si një diskutim mbi nevojën e digjitalizimit të shërbimeve publike dhe mënyra sesi teknologjia mund të thjeshtësoj në maksimum jetën e kosovarëve, dhe në këtë aspekt rol të rëndësishëm luajnë tech-kompanitë që Kurti i ka vizituar. Por për efektet duhet të presim.

1