Për çka do të mbahet mend 13 marsi?

Për çka do të mbahet mend 13 marsi?

Festim Gërguri

E diela që shkoi nuk përngjante shumë me javën së cilës i përkiste dhe e cila ishte e mbushur me ngjarje. Një ditë pushimi për liderët, vartësit e tyre, lajmet, zhvillimet e çzhvillimet, skandalet e çskandalet.

Albin Kurti, kryeministri i vendit, nuk tha e nuk bëri asgjë gjatë ditës së djeshme. Sidoqoftë, sporadikisht, vazhdoi një farë kukame e lodhtë për rritjen e çmimeve. Kjo shtyri z. Hysamedin Feraj, një ndër aktivistët më të vjetër të Vetëvendosjes, të thoshte se “në Shqipëri po protestojnë të varfrit, në Kosovë po paralajmërojnë protestë të pasurit”. Se kënd e quante pasanik Feraj, nuk dihet.

Dardan Molliqaj në skenën politike e vodhi të dielen përmes një tabele. Në atë tabelë tregohej se Kosova në kulmin e krizës energjetike kishte eksportuar rrymë në vlerë prej 10 milionë eurove. Kjo çoi peshë edhe rrjetet sociale. Nuk dihet se çka do të bënte e çka do të thoshte Albin Kurti po të ishte në opozitë.

Në Ukrainë vazhdoi lufta dhe rezistenca frymëzuese e ukrainasve. Veçanërisht shqetësues ishte lajmi për harxhimin e furnizimeve me bukë e ujë në qytetin e Mariupolit, ku ndodheshin 400 mijë qytetarë.

Nacionale dje publikoi një shkrim që mori një farë buje, nga gazetari Jetlir Buja, që e titulloi “Pse kosovarët e lindur para 1982-s po i shpallin luftë Serbisë”. Po ashtu, në Nacionale keni mundur të lexonit pyetjet e gazetarit Berat Buzhala që i propozonte për gazetarët në Shqipëri që t’ia shtronin kryeministrit shqiptar Edi Rama. Ngadhnjim Avdyli ka folur me shumë protestues në Shqipëri nga Tirana, Bulqiza, Shkodra e Laçi për të kuptuar rrënjët e mllefit të tyre. Një tjetër shkrim ishte edhe ai për ngjarjet më të rëndësishme në mandatin 7 vjeçar të Aleksandër Lumezit si Kryeprokuror i Shtetit, nga Besian Beha.

Po gjatë ditës së djeshme u shënua dy-vjetori i pandemisë Covid-19 në Kosovë. 226 mijë e 845 qytetarë janë infektuar përgjatë këtyre dy viteve dhe 3 mijë e 124 qytetarë kosovarë kanë vdekur.

Për ironi, bash dje, personi që kishte lajmëruar ardhjen e pandemisë në Kosovë e që është zhdukur qe një kohë të gjatë, Arben Vitia, u shfaq në publik. Ai ishte në shoqërimin e hiç më pak se Elvis Hoxhës, aktivistit të Vetëvendosjes nga Shqipëria, dhe të djalit të Adem Jasharit, Lulzimit.

1