<b></b> Pse s’i besoj Albinit, kur paraqitet servil para Amerikës?

Pse s’i besoj Albinit, kur paraqitet servil para Amerikës?

27.04.2022 11:10

Deklarata e fundit e Kurtit që “kur të na thotë Amerika kërceni, ne nuk pyesim Pse por pyesim Sa” është më e rrezikshme se sa ajo kur thoshte “në Shtëpinë e Bardhë po përgatiten thikat për ta ndarë Kosovën”.

Berat B U ZH A L A 

Nëse futesh në Google dhe e klikon Albin Kurti – Amerika, gjëja e parë që të shfaqet në këtë makinë të kërkimit është: A e duan shqiptarët Amerikën?, që është një tekst për një referencë të Kurtit kur ky thoshte që shqiptarët nuk e duan Amerikën por frikësohen prej saj.

Pastaj shkrimi i dytë që të del para sysh është: Albin Kurti, Amerika nuk do ta njohë shtet Kosovën; që është referencë e një deklarate të liderit të LVV-së se edhe pas shpalljes së pavarësisë Amerika nuk do të na njohë.

Pastaj shkrimi i tretë që të del në Google është ky: Albin Kurti për Der Spiegel: Amerika fuqi koloniale; është kjo një intervistë e Kurtit për magazinën më të famshme gjermane e evropiane.

Kur i lexon të gjitha këto shkrime nga e kaluara, kur e ke parasysh përhanjen e Kurtit para nja dy vitesh kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke treguar qysh në Shtëpi të Bardhë po mpreheshin thikat për ta copëtuar Kosovën, e kam shumë të vështirë të besoj që Kryeministri i Kosovës ishte i sinqertë kur deklaroi dje që “kur na thotë Amerika kërceni, ne nuk pyesim pse, por themi sa lart duhet të kërcëjmë”.

Kjo çfarë tha Kurti kurrë nuk ka qënë bindje e tij, përveç nëse në disa muajt e fundit në emër të Kurtit po flet dikush që është sozia e tij. Në fakt edhe do t’i kisha besuar, sikur në një moment, gjatë kerrierës së tij, Kurti do të ishte ulur dhe do të kishte bërë një analizë personale, ku do të kishte konkluduar se gjatë karrierës së tij politike kishte gabuar në disa raste, por se tash po e shihte botën pak më ndryshe. Nuk janë të rralla këto gjëra në politikë. Kryeminstri aktual i Gjermanisë e ka bërë një gjë të tillë. Është distancuar publikisht prej qëndrimeve të mëhershme ideologjike. Një gjë të tillë e kishte bërë edhe ish-ministri i famshëm i jashtëm i Gjermanisë, Joshka Fisher, që në vitet e 60-ta kishte qënë një rebel që kishte luftuar rrugëve të Gjermanisë, por që më vonë u bë një ministër i jashtëm që po e shihte botën me të tjera syza.

Kurtin nuk e kemi dëgjuar kurrë ta bëjë një gjë të tillë, prandaj kur e shoh duke u bërë kështu servil dhe pakurrizor, kjo më frikëson shumë më shumë se sa të kishte qenë krejtësisht i sinqertë me Karen Donfried. Do t’i kisha besuar pak më shumë, sikur, bie fjala, të kishte thënë “kësaj administrate i besoj shumë”, por jo Amerikës. Kurti nuk i besoi Amerikës para nja dy vitesh, kur e quante Shtëpinë e Bardhë herë të kuqe e here të zezë. Nuk i kishte besuar as më herët, prandaj çfarë ndodhi që tash, po flas me një citat të tij, “u shtri para zyrtares Amerikane”. Kurti kishte deklaruar në Kuvend të Kosovës se “Amerika po dëshiron të ma thejë kurrizin”. Nuk kishte thënë që po dëshiron t’ia thejë Kosovës kurrizin, por kishte thënë që po dëshiron këtij personalisht të ia thejë kurrizin, e që pastaj, si duket, kurrizin e tij po e identifikonte me kurrizin e Kosovës. Pra, nëse thehet kurrizi i Kurtit, po thehej edhe kurrizi i Kosovës.

Kështu që, nëse historia, edhe atë jo historia shumë e largët, na jep gjithë këto fakte për Kurtin dhe Amerikën, kur ndodhi ky kapërcimi i madh, që tash Kryeministri i vendit me aq lehtësi po thotë, siç nuk e ka thënë askush përpara tij, që kur të na thotë Amerika kërceni, ne nuk pyesim pse por pyesim sa lart.

Kurti e kishte thënë disa herë që interesi i Kosovës është shumë i rëndësishëm për të, prandaj nuk kishte superfuqi në botë që do ta bindte të kërcente kështu vërbërisht, kurse se cfarë do të ishte interes i Kosovës e çfarë jo, ky vazhdimisht ka qenë interpretim fantastiko-shkencor i tij, pa kurrfarë mbështetje në realitet, sikur bie fjala atëherë kur deklaronte në një tentë të mbushur me ‘revolucionarë’ të dehur “se shqiptarët nuk e dojnë Amerikën, por tuten prej Amerikës”.

Shtrohet pyetja: Tash, kur po flet kështu, a po e don Albini Amerikën, apo po tutet prej saj. Këtu rrugë tjetër nuk ka, sepse prej kur deklaronte kështu, e prej kur po deklaron krejt ndryshe, nuk ka kaluar një shekull, por vetëm disa vite, e në mes nuk ka ndodhur asgjë për të na bindur.

Tash, pse po bëhet një kthesë kaq e madhe, këtë realisht e din veç Kurti, e ne të tjerët mund të spekulojmë dhe të bëjmë analiza.

Ajo çfarë Karen Donfried deklaroi në Kosovë ishte një shuplakë e madhe për të dhe për Vjosa Osmanin, të cilët, njëri në cilësinë e kryeministrit e tjetra të Përparim Kryeziut, ka muaj që po i ligjërojnë Amerikës për interesat ruse në Ballkan. Tash befasisht erdhi njeriu më kompetent në administratën aktuale amerikane dhe tregoi në Prishtinë se interes rus në Ballkan është status quo-ja, të cilën e kanë promovuar si armën e tyre më të fortë diplomatike, edhe Albini e edhe Vjosa. Amerika, sipas fjalëve të znj. Donfried, është kundër që dialogu të jetë prioritet i 6-të a i 7-të, siç kishte deklaruar Kurti, duke e pasur në krah Osmanin, atë natën e ftohtë të shkurtit të fitorës së madhe, kur po ndahej historia në Para dhe Prapa.

Është shumë problematike për të ardhur në një konkludim, që kur është i sinqertë Kurti, nëse është, a tash kur po flet për Amerikën me dashurinë dhe frikën që e ka fëmija për prindin, apo atëherë si fëmijë rebel që e godiste dorën që po e ushqente atë dhe popullin e tij.

Unë jam i prirur që të mos i besoj Kurtit servil dhe mënyrës se si u soll ditëve të fundit. Kjo më duket më shumë taktizim që do ta përdorë në muaj në vijim, kur presioni amerikan dhe evropian do të rritet për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, e cila marrëveshje në të vërtetë do ta ndalte ndikimin rus në Ballkan. A do të përfitojë edhe Serbia prej kësaj marrëveshje?, sigurisht që do të përfitojë. Askush në Perëndim nuk dëshiron që në Ballkan të ekzistojë një Bjellorusi, ose një kukull ruse. Serbia e di këtë, prandaj është e interesuar që ta shesë shtrenjtë këtë pozicionim të ri strategjik. Serbia e di që kjo do të jetë hera e fundit që ajo do të ketë në dorë planin A dhe planin B. Këtë e di edhe Kurti, sikurse e di që thika eventuale pas shpinës që Vuçiq do t’ia bënte Rusisë, duke u subordinuar politikisht kah Amerika dhe Evropa, e ka çmimin e vet, kurse kjo nuk e vë Kosovën në pozitën më të mirë të mundshme, edhe pse jo domosdoshmërisht është gjë e keqe për ne. Mirëpo, minimumi, do të zvogëlohet hapësira manovruese për t’i treguar Amerikës për interesat ruse në Ballkan.

Duke i pasur parasysh rrethanat e reja, e si duket edhe interesin serb për të përfituar prej një rendi të ri botëror, Kurti përmes servilitetit sipërfaqësor duket që po bëhet gati për t'i thënë JO Amerikës, kurse këto deklaratat servile dëshiron që t’i përdorë për konsum të brendshëm.

“Ju e dini se çfarë kam thënë unë për Amerikën”, do të ishte njëra prej fjalive të tij, pas tensionimit të raporteve. Se çfarë ka thënë ky për Amerikën, varet se sa thellë shkojmë, por ky do të kërkonte që të ndalemi te deklaratat e tij për Amerikën në disa muajt e fundit.

Kurti origjinal kurrë nuk e ka dashur Amerikën dhe kjo nuk është sekret, e vetëvetiu nuk do të duhej të ishte ndonjë gjë shumë e keqe. Edukimi dhe leximi e ka orientuar në ato ujra. Ky ka deklaruar disa herë që Kosova duhet të jetë më afër Evropës sesa Amerikës, sepse sipas tij, ne nuk jemi në Meksikë, por jemi në Evropë. Prandaj, është shumë pak bindëse deklarata e tij e fundit për Kosovën dhe Amerikën. Kjo për mua është shumë më shqetësuese, se sa sikur ai të ishte vetvetja. Kjo më duket një përgatitje e tij përfundimtare për t’i thënë JO Amerikës.

Tjera nga autori:
1