<b></b> Restoranet kosovare kritikohen për “Menytë e Ramazanit”

Restoranet kosovare kritikohen për “Menytë e Ramazanit”

05.04.2022 08:35

Për çdo fillim të muajit të Ramazanit, rrjetet sociale mbushen me reklama mbi ofertat e restoranteve të ndryshme për iftar. Madje, jo rrallëherë ‘menytë e Ramazanit’ janë të sponsorizuara duke tentuar që konsumatorët të njihen me mundësitë e darkimit në kohë të muajit më të shenjtë të myslimanëve.

Por, ajo që zakonisht bie në sy është çmimi i lartë. Nga 8, 12 e 16 euro janë disa nga çmimet e zakonshme të menyve të Ramazanit nëpër restorantet e lokalet në Prishtinë.

Facebook e Instagram, dy nga rrjetet shumë të përcjella nga kosovarët, janë përplot me reklamime të ofertave për iftar, koha kur myslimanët ndërpresin agjërimin.

Shumë nga restorantet nuk ofrojnë mundësi të darkimit për iftar jashtë menysë të përgatitur enkas për Ramazan.

Shpeshherë, restorantet kanë pranuar kritika në Facebook rreth çmimeve të larta e tashmë një praktikë e tillë është kthyer edhe në shaka.

“Allahu i shpërbleftë pronarët e restoranteve, që me ofertat e tyre të Ramazanit, po e kthejnë bereqetin në shtëpia”, shkroi një qytetar.

Hoxha i njohur nga Drenasi, Osman Musliu, thotë se Ramazani na sjell në kujtesë nevojën për një etikë përfshirë atë në tregti.

Bazuar mbi këtë, hoxha thotë se nuk është e udhës të rriten çmimet.

“Konsideroj se ky shtrenjtim i menyve në Ramazan nuk është aspak etik, aq më shumë kur e kujtoj që nuk përputhet me qëllimin primar të këtij muaji. Standardi i të ardhurave dhe çmimi i menyve më duket se nuk janë askund afër”, deklaroi Musliu për Gazetën Nacionale.

Ndërsa ekonomisti Lulzim Beqiri, thotë se çmimet e restoranteve nuk korrespondojnë me të ardhurat e kosovarëve.

“Mendoj se duke u bazuar në të ardhurat minimale dhe pagën mesatare, gjithashtu edhe ngritjen e vazhdueshme të inflacionit, rritja e çmimeve për menytë e iftarit ndikon dukshëm në xhepin e varfër të qytetarëve kosovarë, edhe në vitet tjera ka pasë ngritje të çmimeve sidomos në kohë të ramazanit, mirëpo nuk kemi pasë krizë shëndetësore as financiare, prandaj nuk e shoh të udhës ngritjen e çmimeve në stadin aktual. Jam i vetëdijshëm për ngritjen e çmimeve në përgjithësi por jo të reflektohet drejtpërdrejt te agjëruesit”, theksoi Beqiri për Nacionale.

Mulla Osmani deklaron se ndonëse në tregun e lirë lejohet rritja e çmimeve, “veç është pak marre”.

“Në këtë sistemin e tregut të lirë, çmimin bën me rritë, nuk të ndalon askush, veç është pak marre. E ndoshta dikush pranon me këmbye marren me para. Kështu që edhe pse ne po jetojmë brenda një sistemi ku edhe vlerat më të shenjta shndërrohen në përfitime materiale, megjithatë mendoj se Ramazani është mundësia më e mirë të rikujtojmë se jo gjithçka këmbehet në para. Mesazhi për fund do të ishte që të mendohet edhe konsumatori dhe lumturia e tij dhe të vendosen çmime të përballueshme për ekonomitë tona familjare”, tha Osmani.

Kohëve të fundit, Kosova është përballur me rritja enorme të çmimeve si pasojë e agresionit rus në Ukrainë.

Kujtojmë që një litër vaj arrit shifra rekorde duke u shitur për 3 euro 49 centë. Dyshimet për orkestrim të çmimeve shtynë Qeverinë Kurti të ndërhynte duke dënuar marketet e mëdha e duke konfiskuar qindra litra vaj që nuk ishin deklaruar.

Tjera nga autori:
1