Jo në emrin tim

Jo në emrin tim

09.03.2022 18:56

Nevena Radosavljeviq

Prej disa ditësh, Evropa dhe bota janë goditur nga një luftë e re që po merr flakë në Ukrainë. Derisa ushtria ruse nuk ndalon dhe ushtria ukrainase po reziston, të gjithë ne jemi dëshmitarë të një rënieje tjetër globale të njerëzimit dhe njerëzores. Në vetëm pak ditë, Ukraina po numëron më shumë se gjysmë milioni refugjatë. Vetëm gjatë pak ditëve, Evropa siç e njohim ne ka pushuar së ekzistuari, sipas fjalëve të shumë politikanëve dhe analistëve. Në vetëm pak ditë, edhe një herë, një popull tjetër po kalon nëpër trauma, po pësojnë jetë të pafajshme, shumë sosh po largohen nga atdheu i tyre… Nga ana tjetër, shumë në Rusi po protestojnë kundër luftës, por asnjë nga politikanët nuk po i dëgjon, porse protestuesit po përfundojnë në burgje dhe po rrihen. 

Së bashku me të gjitha këto, natyrisht, një nga çështjet kryesore është dënimi i agresionit dhe dhunës që po vjen nga Rusia. Përderisa është e qartë për një qenie racionale se kjo duhet dënuar dhe jo të kërkohen justifikime, Serbia, për dallim nga fqinjët e saj, u gjend mes dy zjarreve. Rusisë, e cila është partner i Serbisë gjatë historisë, apo Bashkimi Evropian, kah i cili Serbia zyrtarisht aspiron. Në gjithë këtë, Serbia sërish përfundoi në dy karrige, duke respektuar njëkohësisht sovranitetin e Ukrainës dhe duke mos vendosur sanksione ndaj Rusisë. As atje e as këtu.

Nga ana tjetër, Kosova qartë e mori qëndrimin e Bashkimit Evropian, duke e dënuar Rusinë dhe sulmin ndaj Ukrainës. 

Ndërsa bota që ne njohim po shembet para nesh, pyetja është se çfarë mund të bëjmë të gjithë ne si qytetarë të zakonshëm për të ndihmuar të gjithë ata njerëz të pafajshëm, bota e të cilëve tashmë është shkatërruar. Para së gjithash, si popuj që përjetuan luftëra dy dekada më parë, ne së paku mund të kemi empati dhe të bashkëndiejmë me të gjitha viktimat e pafajshme që sjellë një luftë politike. Ka qenë e pritur që Serbia të mos ishte as atje e as këtu dhe që Kosova të ishte unanimisht në anën e Perëndimit, por a ka qenë e pritur që në Ballkan do të ketë njerëz të cilët e dijnë se çka janë luftërat, që një dekadë kanë qenë në luftëra dhe që do t’ia dalin që pa probleme të marrin anën e Rusisë e bile edhe të mbështesin të gjitha këto që po ndodhin? Ndoshta e papritur, por këto ditë kemi mundur të shohim individë, media dhe grupacione të ndryshme duke marrë anën e Rusisë, sikur të gjitha vuajtjet të ishin të panjohura për ne. Është e dhimbshme të shohësh një mungesë kaq të madhe të empatisë, është e dhimbshme të marrësh anën e dikujt që bën gjëra të këqija, sado që ai person të perceptohet si mik, sado e diskutueshme edhe kjo të jetë.

Është e dhimbshme të shikosh se si humanizmi po dështon para syve tanë sot, kur kemi besuar se gjithnjë e më tepër po kujdeseshim për njëri-tjetrin. Është e dhimbshme të shikosh animin kah dikush që të vetmin mjet e ka dhunën. E dhimbshme, trishtim dhe pa fjalë. 

Ndërsa shumëkush pretendon që shumica e serbëve mendon ashtu dhe identifikohet me qëndrimin se Rusinë duhet mbështetur, duhet thënë ”jo në emrin tim“. Jo, në emër të një gjenerate e cila është rritur në luftë dhe nuk ia do këtë askujt. Jo, në emër të gjithë atyre njerëzve të pafajshëm jetën e të cilëve e morën luftërat në Jugosllavi. Dhe jo për hir të gjithë atyre që këtyre ditëve po kalojnë nëpër një tmerr, po i humbin më të dashurit e tyre dhe po i braktisin shtëpitë e tyre. Askush nuk e ka merituar këtë. Askush nuk duhet kurrë të përjetojë këtë.   

Për këtë arsye, në këtë botë ku empatia po zhduket së bashku me humanizmin, vetëm ndaluni dhe mendoni pak, a do të dëshironit ndonjëherë që të përsëriten luftërat e viteve të nëntëdhjeta. Nëse jo, atëherë është e qartë se nuk dëshironi që askush në botë të kalojë të njëjtën gjë. Dhe kjo definitivisht do të thotë që ju nuk mbështesni të gjitha ato që po ndodhin në Ukrainë. Nëse nuk ka mënyrë tjetër për të ndihmuar të gjithë ata njerëz që këto ditë po i jetojnë ditët më të këqija të jetës së tyre, të paktën ne mund të bashkëndiejmë me ta dhe të mos mbështesim gjithçka që po ndodh në kurriz të jetës së tyre të pafajshme.

*Shënim: Ky shkrim është botuar së pari në New Perspektiva në gjuhën serbe. 

Tjera nga autori:
1