Shteti i Kosovës i dobët para burrave që rrahin e vrasin gratë: Vrasja e paralajmëruar në Skënderaj, tjetër alarm dështimi

Shteti i Kosovës i dobët para burrave që rrahin e vrasin gratë: Vrasja e paralajmëruar në Skënderaj, tjetër alarm dështimi

08.05.2022 14:05

E dinte se burri po e keqtrajtonte, policinë e informoi, por policët nuk i morën masat e duhura. Gruaja nga Llausha e Skënderajt që u keqtrajtua disa herë nga burri i saj, u vra vetëm 4 ditë pasi prokurorja Stojanka Kasaloviq, e liroi në procedurë të rregullt tashmë të akuzuarin për vrasje të rëndë, S.Q.

E për krejt këtë, faji nuk mbeti jetim. Prokurorja kujdestare e asaj dite, Kasaloviq, e mori mbi supet e saj neglizhencën e treguar në këtë rast.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, për këtë neglizhencë të prokurores, e dënoi prokuroren në fjalë me sanksionin e dytë më të lehtë, që parasheh ligji: “vërejtje publike me shkrim”.

Kjo pasi, prokurorja Kasaloviq, denoncimin ndaj dhunuesit, nuk e kishte marrë seriozisht. Ajo nuk e mbajti as në arrest prej 48 orësh. Katër ditë më pas, gruaja nga Llausha e Skënderajt u gjet e vrarë në shtëpinë e saj.

Masat 

Kur një prokuror bën shkelje disiplinore, sikurse prokurorja Kasaloviq, është në diskrecionin e Këshillit Prokurorial të Kosovës të ndërmarrë masa disiplinore ndaj tyre. Sanksionet disiplinore janë të parapara me Ligjin Për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Aty, varësisht nga shkelja disiplinore, parashihet edhe sanksioni disiplinor, që këshilli duhet t’ia shqiptoj gjyqtarit ose prokurorit.

Në rastin e prokurores Kasaloviq, KPK-ja, ka marrë vendim, t’ia shqiptojë një dënim simbolik, si vërejtje publike me shkrim për shkak të lëshimit në procedurë.

Cilat janë sanksionet, e parapara me ligj, që mund të ndërmerren ndaj prokurorëve?

Sanksionet disiplinore të disponueshme për shqiptim janë 5, nga më e lehta, deri tek më e rënda: vërejtje jopublike me shkrim, vërejtje publike me shkrim, zvogëlim i i pagës deri në 50% për një periudhë deri në një vit, transferimi në një prokurori tjetër të nivelit më të ulët dhe propozim për shkarkim.

Siç shihet, në rastin e prokurores Kasaloviq, është shqiptuar sanksioni i dytë më i lehtë.

Çka thonë ekspertët?

Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës, ka thënë për gazetën Nacionale se dhuna në familje po vazhdon të mos trajtohet seriozisht: Dhuna në familje fatkeqësisht vazhdon të mos trajtohet seriozisht nga organet e drejtësisë të vendit tonë”, thotë Breznica.

Masa disiplinore në po këtë rast tregon që edhe KPK nuk trajton seriozisht dhe nuk e sheh shqetësuese dhunën në familje në Kosovë, e madje nuk i merr seriozisht as rastet e tilla kur gratë perfundojnë te vrara si pasojë e neglizhimit të institucioneve. Vërejtja me shkrim vetem sa na tregon që prokuroria dhe të gjitha institucionet e tjera vetëm se kanë me vazhdu me neglizhencë të tillë dhe nuk kanë me trajtu dhunën në familje si çështje serioze dhe me përgjegjësi”, shprehet Besarta Breznica.

Hulumtuesi i lartë ligjor nga IKD-ja, Leotrim Gashi thotë se ka shumë raste, kur drejtësia ka dështuar të marrë masat e duhura, e dënimet kanë qenë simbolike.

Sipas IKD parandalimi i krimit e sidomos ai i dhunës në familje duhet të jetë prioritet i të gjitha institucioneve e veçanërisht të atyre të drejtësisë. Në rastet kur neglizhohen detyrat e tyre,  organet gjegjëse, duhet të ndërmarrin masa të ashpra disiplinore ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve që nuk kryejnë me kohë veprimet e tyre, të cilat do të ndikonin të parandalohen vdekjet e qytetarëve, që janë subjekte të dhunës në familje.  Kurse me masta të lehta për ta, sikurse në rastin e prokurores Kasaloviq, pa dyshim se ndikon edhe në uljen e besimit të publikut në institucionet e drejtësisë”, thotë Gashi për Nacionalen.

Tragjedia

6 gëzhoja plumbash, “pellg gjaku”, një trup gruaje i shtrirë në tokë.

Kjo ishte pamja, që gjetën hetuesit policor në shtëpinë në fjalë në fshatin Llaushë të Skenderajt.

E kësaj pamje iu ekspozuan edhe dy fëmijët e gruas L.Q, të vrarë nga bashkëshorti i saj S.Q. Krejt kjo ngjarje ndodhi në sallonin e shtëpisë së çiftit.

Tragjedia që ndodhi në janarin e këtij viti, e cila tronditi krejt Kosovën, ishte epilog fatal, i dhunës së vazhdueshme, me të cilen ishte përballur, tashmë e ndjera L.Q.

E që po torturohej nga burri i saj, përveç familjarëve, e dinin edhe organet përgjegjëse.

Çka ndodhi?

4 ditë para vrasjes mizore, saktësisht ditën e parë të vitit 2022, djali i çiftit nga Skënderaj, e kishte raportuar në polici babain e tij, duke treguar se babai po ushtronte dhunë ndaj nënës me arsyetime xhelozie.

E policia sipas procedurës, këtë rast e ka lajmëruar tek prokurorja kujdestare e asaj dite, që qëlloi të ishte prokurorja e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Stojanka Kasaloviq.

Prokurorja Kasaloviq, duket se nuk e mori shumë seriozisht këtë raportim të policisë. Kasaloviq nuk e kishte ndaluar për 48 orë, tashmë të arrestuarin për vrasjen e gruas. Dhunuesin ajo e la në liri.

Prokuroja e rastit e liroi në procedurë të rregullt dorasin, e e vetëm 4 ditë pas kësaj, e zonja e shtëpisë gjendet e vdekur, në shtëpinë e saj.

Raste të tilla kishin ndodhur edhe më herët. Për vrasjen e gruas në lagjen Emshir të Prishtinës, Prokuroria Themelore nuk kishte ndërmarrë asnjë masë ndaj prokurorit të rastit. Kjo pasi i njëjti, nuk kishte ndërmarrë disa veprime hetimore, për ta sjellur viktimën në intervistë. Si pasojë, Sebahate Sopi u vra nga bashkëshorti, i cili më pas goditi edhe veten.

Tjera nga autori:
1