<b></b> Blerim Isufaj për dekretimin nga presidentja: Nuk është punë për mua, po pres

Blerim Isufaj për dekretimin nga presidentja: Nuk është punë për mua, po pres

30.04.2022 18:01

Është në mesin e emrave më të përfolur kohëve të fundit. Blerim Isufaj si I përzgjedhur nga Këshilli Prokurorial për Kryeprokuror të Shtetit, është në pritje nëse presidentja e vendit, Vjosa Osmani, do ta dekretojë atë si pasues të Aleksandër Lumezit. Megjithatë, përderisa pritja vazhdon, Isufaj thotë se punët po i vazhdon në funksionin që e ka aktualisht, kryeprokuror i Speciales.

I kontaktuar nga gazeta Nacionale, Isufaj nuk ka pranuar të komentojë shumë për çështjen e dekretimit nga presidentja, Vjosa Osmani. Ai ishte në humor të mirë, madje edhe qeshi pak.

“Hahaha, nuk kam kurgjo me thënë për çështjen e dekretimit, sepse tash nuk është punë për mua kjo. Unë po pres”, deklaroi Blerim Isufaj për gazetën Nacionale.

Emri i Blerim Isufajt po qëndron në tavolinën e presidentes Osmani tash e sa ditë. Pasi Këshilli Prokurorial e përcaktoi Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit, pati reagime të shumta. Ambasada amerikane, britanike, zyra e BE-së në Kosovë e shoqëria civile, thanë se procesi nuk ka qenë transparent dhe i bazuar në meritokraci. Si rezultat, presidentja e vendit, Vjosa Osmani duket se nuk e ka ndërmend ta dekretojë për momentin.

Për këtë çështje, presidentja Osmani kishte thënë se do të kërkoj dokumentacione shtesë.

“Ka edhe dokumentacion shtesë të cilin do e kërkojmë sa i përket këtij propozimi, por në të njëjtën kohë do t’i dëgjoj të gjitha palët përfshi shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë të cilët tashmë kanë shprehur qartë vërejtjet e tyre, të gjitha këto do të merren parasysh, dhe pastaj do të marr vendim përfundimtar”, tha ajo.

Blerim Isufaj doli më i vlerësuar nga komisioni i Këshillit Prokurorial të Kosovës, megjithatë pas reagimeve të shumta, u ngritën dilema për gjithë këtë proces.

Aleksandër Lumezit mandati i përfundoi me 21 prill, dhe Besim Kelmendi u emërua si ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit.

SULMET NË VERI

Njëra nga çështjet me të cilat Prokuroria Speciale po merret intensivisht, janë sulmet në pjesën veriore të Kosovës ndaj Policisë. Isufaj në një prononcim për gazetën Nacionale ka thënë se po i vazhdojnë hetimet, se kush e si po i kryen këto sulme në Veriun e Kosovës.

“Ne jemi duke punuar për hetimin e sulmeve në veri, por nuk mundemi me komentu më shumë. Jemi duke punuar, policët kanë qenë në vendin e ngjarjes, por që detaje nuk mund të jap”, ka thënë Isufaj për Nacionalen.

KËRCËNIMI I RAKIQIT

Lideri i Listës Serbe njëherësh ministër për komunitete, Goran Rakiq ka dhënë një paralajmërim të ashpër. Në një konferencë për media ditë më parë, ai tha se do të ketë mosbindje civile nga serbët. Kjo pasi sipas tij, Prokuroria Speciale është duke i hetuar një numër serbësh për bllokadat e rrugëve vitin e kaluar në veriun e vendit, kur kishte skaduar marrëveshja për tabela.

“Prokuroria Speciale e Kosovës ka iniciuar procedura kundër qytetarëve tanë, biznesmenëve, kryetarëve të komunave, deputetëve, përfaqësuesve politikë, për atë siç pretendon Prishtina, sulm ndaj rendit Kushtetues të Kosovës. Arsyeja ishte protesta kundër lëvizjeve të njëanshme të Prishtinës vitin e kaluar. Do të jem i drejtpërdrejt, ky është një persekutim me motive etnike e politike ndaj popullit tonë. Sipas informatave që kemi, në pyetje është një procedurë për mbi 70 qytetarë tanë”, tha Rakiq në konferencë.

Me këtë deklaratë nuk ka pranuar të merret asesi kryeprokurori i Speciales. Blerim Isufaj për Nacionalen, megjithatë tha se ata nisin hetime kurdo që kanë informacione për kryerjen e veprave penale.

“Nuk i komentoj këto deklarata. Ne punojmë sa herë ka pretendime e dyshime se është kryer një vepër penale. Rakiqi është një çështje tjetër të cilën as nuk dua ta komentoj. Por nuk kemi diçka që mund t’iu them më shumë”, u shpreh Isufaj.

Në vitin e kaluar pas skadimit të marrëveshjes për target, dhe vendimit të qeverisë për reciprocitet, serbët e veriut kishin bllokuar rrugët për 2 javë me radhë. Si rezultat, qarkullimi ishte bllokuar në tërësi, madje kishte pasur edhe tensione.

Tjera nga autori:
1