<b></b> Dita e fundit e Lekës si Kryeprokuror – për çka do të mbahet në mend?

Dita e fundit e Lekës si Kryeprokuror – për çka do të mbahet në mend?

21.04.2022 10:56

21 prilli është dita e fundit që Aleksandër Lumezin do ta gjejë si Kryeprokuror. Megjithatë për këtë, nuk mund të flitet me siguri, pasi Lumezi është në mesin e emrave që mund ta mbajë këtë detyrë edhe si ushtrues detyre. Kjo pasi duket, se edhe për disa javë presidentja Vjosa Osmani nuk e ka ndërmend ta dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokuror.

Karriera e Aleksandër Lumezit ka qenë me shumë kritika, afera, protesta e aksione. Gazeta Nacionale ka sjellë ditë më parë një profil të Lumezit.

Mundësia për falsifikim të provimit të jurisprudencës. Akuzat nga Elez Blakaj. Përgjimet e publikuara ku përmendej emri i tij. Protesta, akuza e deri te mundësia për shkarkim. Gazeta Nacionale sjell zhvillimet kryesore që ndërlidhen me emrin e Aleksandër Lumezit, përgjatë 7 vjetëve të tij si Kryeprokuror i Shtetit.

Udhëheqjen e Prokurorisë së Shtetit e mori në prillin e vitit 2015. Që nga atëherë, Aleksandër Lumezi i njohur si “Leka”, do të kthehej në një nga personat më të diskutuar në opinionin kosovar.

“Falsifikimi” i provimit të jurisprudencës

2 vjet pas përzgjedhjes si Kryeprokuror, Aleksandër Lumezi do të përballej me një nga skandalet më të mëdha në sistemin e drejtësisë. Një hulumtim i publikuar në disa media, tregonte për mundësitë që Lumezi ta kishte falsifikuar provimin e jurisprudencës, që është bazë për nisjen e një karriere brenda sistemit të drejtësisë.

Këto akuza i mohoi disa herë vetë Lumezi, por pas një kallëzimi penal nga ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ato do të bëheshin subjekt i një hetimi nga prokuroria. Këtë rast e mori në dorë Kujtim Munishi, aso kohe shef i departamentit për krime të rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës. Këtu vlerësohej se nisën shkeljet. Kjo pasi, rastet e profilit të lartë sipas legjislacionit në fuqi, trajtohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, që nuk ndodhi në këtë rast. Partner në këto hetime ishte edhe një prokurore nga EULEX-i, por që asnjëherë nuk u vërtetua për rolin e saj brenda rastit.

Pas një hetimi disaditor, Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte dalë me një qëndrim se Aleksandër Lumezi nuk e ka falsifikuar provimin e jurisprudencës. Pas kësaj, një koment e kishte dhënë edhe vetë kryeprokurori: “Kjo certifikatë paraqet dokument zyrtar që shërben për të provuar faktin se provimin e jurisprudencës, Aleksander LUMEZI, e ka dhënë para komisionit kompetent dhe në kohën dhe vendin e cekur në këtë dokument. Certifikata është e pajisur me vulën adekuate dhe nënshkrimin e kryetarit të komisionit për dhënien e provimit në fjalë.”

Akuzat e Elez Blakajt për ndërhyrje

Emri i “Lekës” do të përmendej edhe për një rast që kishte bërë bujë në Kosovë. Çështja e njohur si “Veteranët” ishte kthyer në subjekt trajtimi nga prokuroria, e që më pas nxiti një tjetër përplasje brenda sistemit. Cak ishte Lumezi, i cili nga prokurori i dorëhequr Elez Blakaj, akuzohej për ndërhyrje, duke përmendur edhe emrin e ish-kryeparlamentarit, Kadri Veseli.

“Në kulmin e këtyre hetimeve, gjatë intervistimeve, Kryeprokurori i Shtetit z. Aleksandër Lumezi urgjentisht më fton në zyrën e tij dhe kërkon llogari pse e kam ftuar në intervistim z. Kadri Veselin (madje edhe si dëshmitar) për rastin e “Veteranëve. Po ashtu, i njëjti e ka hapur edhe temën e rastit Pronto, i cili ka provuar të më frikësojë se nëse nuk rishikohet aktakuza e dërguar në gjykatë, do të më dërgojë në komision disiplinor”, thuhej në letrën e dorëheqjes nga Blakaj.  

“Këto nuk janë akuza shumë të rënda. Është shumë lehtë me folë nga distanca”, ishte përgjigjur Lumezi.

Pas këtyre akuzave dhe zhvillimeve në sistemin prokurorial të Kosovës, ishin organizuar edhe disa protesta me radhë. Kjo duke kërkuar dorëheqjen e Aleksandër Lumezit, dhe reforma të thella në sistemin e drejtësisë.

Përgjimet, Lumezi dhe “ndërhyrjet”

Emri i Lumezit ka qenë i përmendur edhe në dy përgjime, të cilat kishin shkaktuar jo pak reagime në Kosovë. E para e njohur si afera “Pronto”, dhe e dyta, disa përgjime që tregonin për ndërhyrje në sistemin prokurorial.

Në përgjimet “Pronto” që ishin realizuar në vitin 2011, Lumezi përmendej si një prurje eventuale e re në Partinë Demokratike të Kosovës. Një gjë e tillë vërtetohej nga bisedat që kishin bërë zyrtarët e lartë të kësaj partie si Adem Grabovci e Besim Beqaj. Madje, emri i Lumezit ishte diskutuar si kandidat i mundshëm për kryetar të Prishtinës, nga radhët e PDK-së.

“Leka” u përmend edhe në disa përgjime tjera që u publikuan në në vitin 2021. Aty gjyqtari Driton Muharremi, dëgjohet teksa flet me me një ish-drejtor të intelegjencës financiare.

Po mire de, po tash me telefon ai s’fol. Unë me shku (s’mundem) kështu për shkak të COVID jonë mshel edhe gjyqet edhe krejt, unë as në punë s’jom tu shku, ai (Lumezi) me smuja të veta me shku me u afru me ua ngjitë najsen, nuk është sen që bohet”, dëgjohet duke thënë Muharremi. “Ne nuk kemi dalë me një prononcim publik por Prokuroria e Shtetit ka filluar hetimet sa i përket përgjimeve për të vërtetuar nëse janë përgjime të ligjshme ato. Sipas informacioneve që unë posedoj, incizimet janë të paautorizuara”, ishte përgjigjur Lumezi për këto përgjime.

Për ndërhyrje Lumezi ishte akuzuar edhe në një rast të djalit të Shpend Maxhunit, ish-drejtorit të Agjencisë Kosovare të Intelegjencës. Gjatë një hetimi të policisë, djalit të Maxhunit u raportua se iu gjetën substanca narkotike dhe armë, megjithatë qëndrimi i Lumezit ishte ndryshe: “sipas informacioneve të Policisë e Prokurorisë, djalit të Shpend Maxhunit nuk i janë gjetur në posedim as drogë e as armë.”

Përplasjet me VV-në

Ajo që nuk ndryshoi gjatë udhëheqjes së prokurorisë së shtetit prej Aleksandër Lumezit, ishin raportet e këtij të fundit me Vetëvendosjen. Edhe në kohën kur VV ishte në opozitë, edhe në pushtet, Lumezi akuzohej për mungesë integriteti e profesionalizmi, e deri te ndërhyrjet politike. Në opozitë, Vetëvendosje disa herë kishte organizuar edhe protesta kundër Kryeprokurorit të Shtetit. Madje, akuzat ndaj tij ishin publike e në konferenca për media. E kur erdhën në pushtet, Ministria e Drejtësisë pothuajse ngriu kontaktet me prokurorinë, pavarësisht disa takimeve në fillim të mandatit. Edhe pse u raportua për shkarkimin e Lumezit, një gjë e tillë ishte e pamundur për shkak të rregullimit ligjor.

“Sukseset” e Lumezit

Në udhëheqjen 7-vjeçare të tij, prokuroria nuk ishte krejt pasive. Pavarësisht se të rralla, disa aksione, aktakuza e procese gjyqësore u nisën, por pothuajse asnjëherë ndaj zyrtarëve të profilit të lartë.

Lumezi mori sado pak merita për hetimet në rastin e Subvencioneve, ku u sekuestruan mbi 400 mijë euro. Në konferencën për media ishte kryeprokurori Lumezi, bashkë me kryeprokurorin e Prishtinës, Kujtim Munishi. E tepër më pak prezent, ishte Rafet Halimi i cili kishte nisur gjithë procedurat hetimore.

Një sukses i ngjashëm u vlerësua edhe sekuestrimi i më shumë se 400 kilogramë drogë. Në prezantimin sërish para mediave, Lumezi kishte shpalosur plane të aksionit, duke theksuar se vlera e kësaj sasie të narkotikëve, kalonte shumën e 20 milionë eurove.

Në konferencë e fundit të prokurorëve, Lumezi u krenua edhe me hetimet në rastet e korrupsionit, ngritjen e aktakuzave dhe hetimet e tjera.

Pasuria e Aleksandër Lumezit

Në deklarimin e pasurisë të vitit 2021, Aleksandër Lumezi ka raportuar se ka dy banesa dhe një shtëpi, të cilat thotë se i ka blerë nga bizneset e mëhershme që i ka pasur. Në total vlera e pasurisë së paluajtshme që posedon Lumezi, kalon shifrën e 400 mijë eurove.

Dy vetura dhe një motor i ka deklaruar ai gjithashtu në AKK. Vlera e tyre në total shkon gati 30 mijë euro. Kurse, pesë pikturat e Lumezit, gjithashtu kushtojnë shumë. 15 mijë euro është vlera e tyre, sipas deklarimit në Agjencinë kundër Korrupsionit.

Në bankat vendore, Lumezi i ka raportuar të kursyera 99 mijë euro. Përderisa në emër të bashkëshortes dhe të fëmijëve të Kryeprokurorit Lumezi, janë gjithashtu mbi 50 mijë euro.

Se kush do të jetë pasues i Aleksandër Lumezit do të dihet më së largu në muajin prill, kur edhe përfundon mandati 7-vjeçar i Lekës në krye të prokurorisë.

Tjera nga autori:
1