<b></b> Hoti: T’i vihet kusht Serbisë që të zbardhë fatin e të pagjeturve për të hyrë në BE

Hoti: T’i vihet kusht Serbisë që të zbardhë fatin e të pagjeturve për të hyrë në BE

27.04.2022 16:48

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka kërkuar nga BE-ja që rrugën e Serbisë drejt BE-së ta kushtëzojë me zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Ai ka i ka bërë thirrje BE-së që ta rrisë presion ndaj Serbisë për këtë çështje, e cila preokupon mijëra familje kosovare prej pasluftës.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Hoti ka thënë se vetëm një presion i madh mund ta detyrojë Serbinë që të bashkëpunojë në këtë fushë.

Sipas tij, shteti serb qëllimshëm e politizon çështjen e të pagjeturve dhe nuk tregohet aspak bashkëpunues.

“Bashkësia ndërkombëtare, e sidomos BE-ja si ndërmjetës, duhet ta rrisë presionin deri në kushtëzim. Mendoj se ka instrumente për ta bërë një gjë të tillë, duke mos përjashtuar pezullimin e rrugës së saj evropiane”, ka thënë Hoti, i cili është i biri i veprimtarit të zhdukur gjatë luftës në Kosovës, Ukshin Hoti.

Nacionale:

Z. Hoti, sot është Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur. Çka do të thotë për Kosovën kjo ditë?

Hoti:

27 Prilli - Dita e të Pagjeturve është dita simbol e dhimbjes, e nderimit për sakrificën dhe e thirrjes për angazhim serioz e të vendosur në zgjidhjen e fatit të më të dashurve tanë dhe mbylljen e kësaj plage ende të hapur të Kosovës.

Nacionale:

Ju që një kohë keni marrë drejtimin e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur. Cilat janë veprimet që keni ndërmarrë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur?

Hoti:

Përpjekje intensive për bashkërendim me familjarët e shoqatat që merren me të pagjeturit, me institucionet e përfshira në këtë proces dhe me organizatat ndërkombëtare e vendet mike të Kosovës, me qëllim të rritjes së dinamikës dhe llogaridhënies. Kemi funksionalizuar web-faqen me gjurmuesin e lokacioneve, jemi në proces të përditësimit të databazës, të riinventarizimit të mbetjeve mortore në Institutin e Mjekësisë Ligjore, etj. Paralelisht me angazhimin e brendshëm, gjatë kësaj periudhe i kemi kushtuar rëndësi të madhe edhe procesit të Brukselit, si një mundësi më shpresëdhënëse për gjetjen e njerëzve tanë. Serbia ka vazhduar ta mbajë të politizuar këtë çështje, prandaj kemi kërkuar qasje në dokumentacionin relevant të kohës së luftës, në mënyrë që të sigurojmë informacione të besueshme për fatin e më të dashurve tanë.

Nacionale:

Edhe Qeveritë e mëhershme janë përpjekur për zbardhjen e fatit të këtyre personave. A ka ndryshuar diçka në Qeverinë Kurti në këtë drejtim?

Hoti:

Prioritizimi i çështjes së të zhdukurve me dhunë në procesin e Brukselit, si parakusht për normalizimin me Serbinë, një qasje më gjithëpërfshirëse dhe një dinamikë e shtuar, janë karakteristikat e angazhimit tonë prej se e kam marrë këtë detyrë. Por, a kemi arritur t’i japim fund ankthit të familjarëve? Jo. Për fat të keq Serbia ende po vazhdon lojën e kalkulimeve politike me fatin e të pagjeturve, ende bën obstruksione dhe nuk është e gatshme ta pranojë përgjegjësinë për krimet që ka kryer në Kosovë.

Nacionale:

Ku mendoni se qëndron problemi kryesor në zbardhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur?

Hoti:

Problemi vazhdon të jetë politizimi nga ana e Serbisë. Duhet të krijohen rrethana që e detyrojnë atë të tregojë ku janë njerëzit tanë. Të gjithë e dinë se Serbia ka tentuar të fshehë krimet dhe kjo s’duhet lejuar deri në pafundësi.

Nacionale: 

A mund  të zgjidhet kjo çështje në procesin e dialogut me Serbinë?

Hoti:

Nuk mund të ketë zgjidhje tjetër, kemi provuar për më shumë se 22 vjet. Serbisë duhet t’i imponohet vullneti politik për të treguar, për të bashkëpunuar. Prandaj, mendoj se vetëm Brukseli si nivel do të mund ta arrinte këtë.

Nacionale:

Deri më tani kemi parë që Serbia nuk po tregohet e gatshme për të bashkëpunuar për këtë çështje. Çka mund ta detyrojë Serbinë të tregojë për fatin e të gjithë personave të zhdukur?

Hoti:

E thashë, nuk është treguar dhe po vazhdon ta pengojë procesin. Prandaj, e kam thënë disa herë, bashkësia ndërkombëtare, e sidomos BE-ja si ndërmjetës, duhet ta rrisë presionin deri në kushtëzim. Mendoj se ka instrumente për ta bërë një gjë të tillë, duke mos përjashtuar pezullimin e rrugës së saj evropiane.

Tjera nga autori:
1