<b></b> Kosova, vend ideal për burgimin e të huajve

Kosova, vend ideal për burgimin e të huajve

29.04.2022 22:33

Radhët para ambasadave janë të gjata. Të rinjtë kosovarë me të madhe po ikin jashtë vendit. E përderisa Kosovën po e lëshon një numër i madh qytetarësh, këtu po vijnë qytetarë nga jashtë. Mirëpo ata as nuk po kërkojnë azil e as jetë më të mirë. Fjala është për të burgosur nga jashtë, të cilët pritet të strehohen në burgjet e Kosovës. Pas Danimarkës, një gjë e tillë është diskutuar edhe në Suedi,

Një marrëveshje për transferimin e të burgosurve nga Danimarka për në Republikën e Kosovës u nënshkrua, ajo u ratifikua në parlamentet e të dyja vendeve, e pritet të gjejë zbatim në maj të këtij viti.

Së fundmi, një iniciativë e tillë u ndërmorr edhe nga shteti fqinj i Danimarkës, Suedia.

Partia e të Moderuarve në Suedi e propozoi këtë ide në parlamentin suedez. Për dallim me deputetët danez, ky propozim nuk gjeti mbështetje nga deputetët suedez, madje paradoksale ishte se, ky propozim nuk u votua as nga vetë parita propozuese, Partia e të Moderuarve.

PSE KOSOVA?

Shtetet skandinave e kanë kthyer Kosovën në adresë për strehimin e të burgosurve. Por pse po ndodh një gjë e tillë?

Ish-drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj ka për gazetën Nacionale tha se marrëveshja tashmë e ratifikuar me shtetin e Danimarkës, është pozitive për Kosovën. Ai këtë e argumentoi duke thënë se me paratë që përfiton Kosova mund të investohen, në përmirësimin e kushteve, në burgjet e Kosovës.

Marrëveshja me shtetin e Danimarkës, na ndihmon shumë, na konvenon. Ne marrim një shumë të konsiderueshme parash, ndërkohë që vetëm kryejmë shërbimin, ndërsa me të tjerat merret shteti i Danimarkës. Ato para që i përfiton shteti i Kosovës, mund t’i përdorë edhe për përmirësimin e shërbimit. Tha Zogaj.

Në pyetjen tonë, se përse këto shtete, nuk e konsiderojnë një marrëveshje të tillë, me shtete të tjera të rajonit tonë, por eksluzivisht me Kosovën, Zogaj u përgjigj:

Kemi bashkëpunuar gjatë, me shërbimin suedez e danez, sidomos me atë suedez. Suedia na ka ndihmuar shumë. Arsye kryesore pse Kosova është target i këtyre shteteve, është besimi që ata kanë në shërbimin korrektues të Kosovës. Ata e dijnë, pasi e kanë parë nga afër punën tonë, na besojnë. Ndërsa, sa i përket sigurisë, unë edhe më herët kam thënë, këta që po vijnë në Gjilan prej Danimarkës, nuk do të dalin për pazar në Gjilan, aty brenda në burg, siç thotë një fjalë, je i mbyllur me 7 dryna e i rrethuar me rrethoja, nuk ka asnjë shqetësim për sigurinë”, përfundoi Zogaj.

Çka përmban marrëveshja e nënshkruar në mes Kosovës dhe Danimarkës?

300 qeli burgu të Kosovës do t’i jepen në shfrytëzim shtetit të Danimarkës, të burgosurit në këtë shtet, do të vuajnë denimin në Kosovë.

Të dënuarit thuhet se nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë, e që Kosova ka për obligim t’i mbajë në qendrat e saj korrektuese për 10 vite. Nga kjo marrëveshje Kosova pritet të fitojë 210 milionë euro.

Marrëveshja u nëmskrua në dhjetor të vitit të kaluar, në mes Ministres së Drejtësisë së Kosovës Albulena Haxhiu e Ministrit të Drejtësisë së Danimarkës Nick Hakkerup.

Ministri danez Hakkerup, në ditën e marrëveshjes me Republikën e Kosovës, pati thënë se këtë marrëveshje e sheh si gurëthemel për marrëveshje të ardhshme dhe duke potencuar se shërbimi korrektues danez është i stërngarkuar. "Është një marrëveshje nga e cila do të përfitojmë të dyja palët. Shërbimi korrektues i Danimarkës është i mbingarkuar. E kemi kontaktuar para një viti qeverinë e Kosovës. Kjo marrëveshje do të zgjidhë në një masë të madhe problemet, me të cilat përballemi ne në vendin tonë, këtë marrëveshje e shohim si gurthemel për marrëveshjet e ardhshme”.

Ndërsa ministrja Haxhiu pati thënë se këtë marrëveshje e sheh si vlerësim pozitiv të shtetit të Danimarkës për burgjet e Kosovës. "Kjo është një shenjë e mirë që Danimarka vlerëson se si trajtohen të burgosurit në Republikën e Kosovës, sepse paraprakisht është bërë një vlerësim se si shtetet, posaçërisht ato të Ballkanit Perëndimor, i trajtojnë të burgosurit, sa respektohen të drejtat e tyre dhe Kosova ka dalë ndër vendet që më së shumti respekton të drejtat e të burgosurve, sepse natyrisht është barrë e rëndë edhe për Danimarkën që t'i dërgoj në një vend ku nuk respektohen të drejtat e burgosurve

Qendra korrektuese që iu është dhënë me qera shtetit të Danimarkës, gjindet në fshatin Pasjak, në afërsi të qytetit të Gjilanit.

KDMLNJ KUNDËR!

Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, ka dalur haptasi kundër marrëveshjeve të tilla. Ata kanë reaguar ashpër edhe për zërat se Kosova mund të arrijë marrëveshje për të burogsurit edhe me Suedinë.

“Danimarka e ka gjetur mënyren të lirohet nga kriminelët që janë të dënuar në këtë shtet e që nuk kanë shtetësi daneze duke ia shitur Kosovës. Pastaj,  është një mashtrim se nëse deputetët do ta votojnë këtë marrëveshje diskriminuese dhe raciste , Danimarka nuk do të kundërshtojë liberalizimin e vizave për Kosovën thuaja se vetëm ka mbetur që Danimarka të pajtohet dhe vizat të hiqen që sa është mashtrim siç ndodhi me Demarkacionin ashtu është edhe e pavërtetë sepse asnjëherë nuk ka ndodhur që një shteti t&#39;i hiqen vizat sepse paska pranuar kriminelë nga shtetet tjera. A nënkupton kjo se nesër edhe Franca ,  Greqia , Sllovakia , Rumunia , Qipro e sidomos Spanja do të paraqesin të njëjtat kërkesa për dhënien e pëlqimit për viza sikur që e bëjnë danezët , si kushtëzim politik kurse kartelet e drogës nga Meksiko , Kolumbia , Ekuadori apo Mafia italiane do te marrin burgje me qira në Kosovë nëse ofrojnë më shumë para se Danimarka apo Suedia?”, thuhet në reagim.

“Opinioni po mashtrohet me 200 milionë euro që i paguan Danimarka Kosovës për afatin 10 vjeçar duke mos treguar se ku shkojnë ato para dhe duke fshehur faktin se SHKK fare pak përfiton nga kjo dhe se legalizimi i standardit të dyfishtë në trajtimin e të burgosurve duke favorizuar danezët dhe duke diskriminuar kosovarët dëmin më të madh , me pasoja të rënda do t’i shkaktojnë pikërisht SHKK –së”, thuhet më tutje.

 

Tjera nga autori:
1