<b></b> Për të gjitha gratë që mendojnë se është e pamundur: Historia e nënës që fitoi kujdestarinë e vajzës në Gjykatë

Për të gjitha gratë që mendojnë se është e pamundur: Historia e nënës që fitoi kujdestarinë e vajzës në Gjykatë

03.05.2022 17:34

Ishte vetëm 17 vjeç, kur u dashurua në një djalë me të cilin do të martohej brenda një viti. Gjithçka ishte mirë në fillimet e lidhjes dhe martesës mes tyre. Ishin bërë prindër dhe entuziazmi ishte i madh, deri kur bashkëshorti filloi ta tradhëtojë. Pas një kohe u bë e ditur për të se martesa nuk kishte shpëtim. Të sharat dhe tensioni po rriteshin mes tyre. Divorci ishte i pashmangshëm. Por shumë dilema të tjera e bënin të paqartë epilogun e divorcit: Denisa nuk kishte asnjë vend pune, asnjë shkollim të lartë të përfunduar, dhe asnjë ide se si t’ia bënte hallit të vajzës.

“Boll jam tutë se mos po e humbi vajzën. Krejt ishin kundër meje. Rrethi më thoshte se duhet të duroj hatri i fëmijëve. Por unë nuk doja me humbë çikën, edhe e përmblodha veten”, kujton Denisa, mysafirja e Podcast Nacionale, që rrëfen historinë e saj nëpër gjykata për të fituar kujdestarinë e vajzës. 

Do të nevojiteshin qindra diskutime me veten, ndërrimi i tre psikologëve dhe një angazhim i jashtëzakonshëm për të gjetur një vend pune, por gjithçka ia ka vlejtur. Denisa në javën e fundit të prillit, pas disa vitesh nëpër gjykata, ka fituar kujdestarinë e vajzës së saj. 

“Problemi kryesor ka qenë se si me gjetë një vend pune. Kështu që krejt angazhimi im ka qenë se si me siguru një vend pune. Tani kur e kam gjetë punën, ka qenë problemi i gjetjes së një banese. Nuk ka qenë lehtë, në fakt shumë e zorshme, por ia ka vlejtë”, thotë ajo. 

Historinë e plotë të saj e dëgjoni në podcast bisedën e realizuar në Nacionale. Kjo bisedë është e rëndësishme për faktin se mund të shërbejë si një inspirim për shumë gra, nëna në Kosovë. Ka shumë nëna në Kosovë të cilat kur ndahen nga bashkëshorti, heqin dorë nga fëmijët e tyre, e ata mbesin tek familja e burrit. Kjo ndodh për shumë arsye: shumica e grave në Kosovë nuk kanë të ardhura financiare për të mbajtur veten dhe fëmijët, nuk kanë pronë ku të ndërtojnë një shtëpi ose e gjejnë të zorshme të ndjekin procedurat ligjore. Por të gjitha këto janë të mundura të arrihen nëse vërtet e do kujdestarinë e fëmijëve. Denisa ka një mesazh për këto gra. 

“Mos duroni për asgjë. Nëse s’keni vend pune, kjo nuk do të thotë që nuk mund të gjeni asnjë punë. Nëse s’keni pronë nuk do të thotë që s’ka shtëpi për ju. Thjesht duhet të jeni të vendosura që të mos heqni dorë nga fëmija”, thotë Denisa. 

Ajo e quan fatkeqësi idenë që shumë gra në Kosovë heqin dorë nga fëmijët e tyre, për shkak se e shohin të pamundur ta fitojnë rastin në gjykata. 

“Arsyeja pse po e tregoj këtë rrëfim timin është vetëm me ju tregu që është e mundur”, thotë Denisa. Dëgjojeni historinë e saj për të kuptuar se si vendoshmëria është e vetmja armë që i duhet nënave që të triumfojnë ndaj burrave dhe sistemit patriarkal në Kosovë:

Tjera nga autori:
1