<b></b> Provoi ta vriste duke e goditur 8 herë me thikë gruan - nëna e të akuzuarit jep versionin e saj

Provoi ta vriste duke e goditur 8 herë me thikë gruan - nëna e të akuzuarit jep versionin e saj

21.04.2022 17:45

Tetë herë e kishte goditur bashkëshorten e tij me thikë, duke tentuar t’ia marrë jetën.  Madje i dyshuari kishte bërtitur edhe ‘Allahu Ekber’. Muhamet Juniku për më shumë se një vit po vazhdon të mbahet në paraburgim si i dyshuar për vrasje në tentativë. Një seancë ishte planifikuar edhe për sot por e cila nuk u mbajt. Nëna e të akuzuarit për vrasjen e gruas, ka rrëfyer për gazetën Nacionale detaje se si kishte ndodhur e gjithë ngjarja.

Kujtesa Juniku nga Gjakova, dikund 70 vjeçare, destinacion kryesor tash e një vit e ka Qendrën e Paraburgimit dhe Gjykatën e Gjakovës. Aty i biri i saj, Muhameti, po përballet me akuzat se ka tentuar ta vrasë bashkëshorten e tij duke e goditur me thikë plotë 8 herë.

Në mungesë të palës së dëmtuar, edhe seanca e sotme është shtyrë për një afat tjetër. Në seancë u vendos që të akuzuarit t’i bëhet një ekzaminim psikiatrik, dhe raporti do të nxjerret brenda 30 ditësh nga ekspertët. E gjithë kjo situatë po del e papërballueshme për nënën e të akuzuarit, e cila edhe sot ishte në gjykatë.

“Të vetmin djalë e kom këta që e kam në burg. Djali i ka 44 vjet, unë jam e mbyllne në katër mure. Avokat nuk kemi, shteti na e ka caktuar një. Unë po duhet me jetu e vetë se burri më ka vdekë”, nis rrëfimin e saj Kujtesa Juniku, nëna e Muhametit që po akuzohet për vrasje në tentativë.

Si nisi gjithçka?

Gjithçka kishte nisur pas një lidhje që kishte nisur ndërmjet Muhametit dhe Rudinës, një grua nga Tirana. Dashuria e tyre kishte kulmuar me martesë, pavarësisht se familja e djalit nuk e kishte përkrahur këtë lidhje. Pak ditë pas martesës, kishin nisur probleme mes çiftit, kryesisht për motive të xhelozisë nga Muhamet Juniku.

“Pasi që më vdiq burri, nusja e djalit e lindi fëmijën e parë vajzë. Ajo shkoi pastaj te familja e vetë në Tiranë e ka qëndru atje 1 muaj. Pas 9 muajsh, nusja mbeti shtatëzënë në Tiranë sa ishte te familja e vetë. Qaty patën nis problemet mes këtyre. I pajsha që janë të acarum. Pasi që e lindi djalin, ndryshoi edhe sjellja e nuses. Bile ajo flejke në katin e parë të shtëpisë, e djali jem në të dytin”, tregon tutje Kujtesa, nëna e Muhamet Junikut.

Muhamet Juniku ishte elektricist. Punën e kishte gjatë tërë kohës në terren, para se të përfundonte në burg. Kjo pasi ai ishte arrestuar dy herë për veprën e njëjtë. Dhunë në familje ndaj gruas, për motivet e njëjta: xhelozi.

“Djalit i ra Covidi e pasi u kthy nga spitali, dy fëmijët ishin kap për disa lodra, e Muhameti e kapi djalin e vogël mos me lanë me qajt, erdhi nusja ia mori djalin nga dora e i thojke kishe ky nuk është fëmija yt. Ajo i thojke që pa u nda nuk i kallëxon, e qaty u kapën. Ajo u mundu me shty, e djali jem e goditi me shuplakë. Nusja i kish pas thirr policinë, e erdhën e çun djalin tem në burg”, tregon e moshuara.

Pasi që qëndroi për 4 muaj në burg, Muhamet Juniku ishte liruar dhe ndaj tij kishte urdhër që të mos i afrohet bashkëshortes.

SULMI ME THIKË

Nëna e të akuzuarit i cili kishte tentuar ta vrasë bashkëshorten, thotë se djali i saj ishte i provokuar nga Rudina. Megjithatë, çifti veç kishin nisur procedurat e divorcit.

“E thirrën djalin me i rregullu disa drita, edhe nusja dul menjëherë pas tij. Thashë me vete çka po del ajo. Nuk kanë shku shumë minuta, erdhën Policia edhe kontrolluan më thanë a e ki djalin këtu se e ka therr me thikë nusen e vetë. Kur shkova në stacion djali jem veç sillej me një cigare në dorë”, rrëfehet Kujtesa Juniku.

“Shyqyr që nusja ka pshtu, e djali jem nuk ka bo diçka keq ma shumë”, thotë ajo.

ÇFARË THOSHTE VIKTIMA?

Rudina Juniku, pak ditë pasi kishte ndodhur tentim-vrasja ndaj saj kishte thënë se gjithçka kishte ndodhur për motive xhelozie. Në një prononcim për Klan Kosovën, ajo thoshte se ngjarja kishte ndodhur në parkun e qytetit në Gjakovë, ku i kishte dërguar fëmijët për të luajtur.

“Erdhi më të shpejtë më kapi nga supet, e kishte pasur thikën dhe më ka ngulur në qafë dhe e sillte thikën në qafë. Kur ka thënë Allahu Ekber dhe ia kam parë thikën sipër, aty thashë vetes ky po më mbyt. Mua më kërcënonte edhe vjehrra, më goditi sapo kishte ardhur nga spitali në dhomë”, kishte treguar Rudina për Klan Kosovën.

AKTAKUZA

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se Muhamet Juniku me 31 mars 2021, në parkun e qytetit në Gjakovë me dashja ka tentuar ta privojë nga jeta të bashkëshorten e tij, Rudina Juniku.

Sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që për shkak të problemeve të mëparshme xhelozie dhe po ashtu të disa rasteve të dhunës në familje që i akuzuari ia ka shkaktuar të dëmtuarës, i njëjti sapo e vëren të dëmtuarën tek vendi i lartcekur e përcjell pas e i afrohet, e kap për fyti me dorën e djathtë, ndërsa me dorën e majtë e nxjerrë thikën nga xhepi, e në prezencën e fëmijëve të moshës 2 dhe 4 vjec, duke bërtitur “Allahu Ekber” e therë 8 herë me thikë, fillimisht në qafë, ku e dëmtuara bie për tokë dhe tenton të mbrohet me duar, i akuzuari vazhdon duke e therur edhe disa herë në gjoks, brinjë si dhe prapë në drejtim të qafës.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.3 lidhur me nenin 28 të KPRK-së. Kjo vepër dënohet jo më pak se 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm, ndërsa në nenin 28 thuhet personi që tenton të kryejë vepër penale dënohet si të kishte kryer veprën penale, mirëpo dënimi mund të zbutet

Tjera nga autori:
1