<b></b> Shkelja e të drejtave të njeriut, Avokati i Popullit në Speciale refuzon ankesën e krerëve të UÇK-së

Shkelja e të drejtave të njeriut, Avokati i Popullit në Speciale refuzon ankesën e krerëve të UÇK-së

07.05.2022 16:41

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, po mbahen në paraburgim për më shumë se 1 vit e gjysmë. Për shkeljet e të drejtave të njeriut në procedurë, katër ish-krerët e UÇK-së i ishin drejtuar me një ankesë Avokatit të Popullit në Dhomat e Specializuara, Pietro Spera. Megjithatë, ankesa e Thaçit dhe të tjerëve është refuzuar.

Kjo është konfirmuar nga vetë Avokati i Popullit, Pietro Spera, në një intervistë ekskluzive për gazetën Nacionale. Ai nuk ka folur konkretisht se për cilin rast bëhet fjalë, mirëpo bazuar në detajet e ankesës, vërejtjet që i ka përmendur, lë të kuptohet se bëhet fjalë për rastin e Thaçit, Krasniqit, Selimit e Veselit.

“Ankesa e mëvonshme ishte e lidhur me një shkelje të pretenduar të të drejtave themelore të ankuesve nga Prokurori i Specializuar dhe nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara. Ankesa kundër Prokurorit të Specializuar u refuzua në përputhje me Rregullën 29(3)(e) të Rregullave, pasi nuk ishte paraqitur brenda gjashtë muajve të shkeljes së pretenduar dhe nuk është paraqitur shkak i mirë për këtë vonesë. Ankesa kundër Gjykatësit të Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara u refuzua në përputhje me Rregullat 29(1) dhe 29(3)(a) të Rregullave, të cilat e parandalojnë Avokatin e Popullit që të ndërhyjë në rastet ose procedurat e tjera ligjore para Dhomave të Specializuara të Kosovës, përpos në rastet e vonesës së paarsyeshme”, ka thënë Spera për Nacionalen.

Në këtë intervistë, Ombuspersoni i Speciales ka folur për vonesat në proceurë, kohëzgjatjen e gjykimit, kushtet në Qendrën e Paraburgimit etj.

INTERVISTA:

                                                 Nacionale:

Zotëri Spera, së pari për qytetarët e Kosovës që nuk kanë njohuri, cilat janë detyrat e juaja të sakta në Dhomat e Specializuara?

                                               Pietro Spera:

Avokati i Popullit në Dhomat e Specializuara vepron në mënyrë të pavarur për të monitoruar dhe mbrojtur, të drejtat dhe liritë e personave që ndërveprojnë me Dhomat e Specializuara ose Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Njëra nga përgjegjësitë e mia kryesore është që si Avokat i Popullit t’iu përgjigjem ankesave nga personat që mendojnë se të drejtat e tyre themelore janë shkelur. Nëse një ankesë e tillë është e pranueshme, atëherë unë kryej një hetim dhe në fund e publikoj raportin me të gjeturat. Një autoritet tjetër të rëndësishëm që e kam, është të hyj dhe të inspektoj në çdo kohë objektet e Paraburgimit në Dhomat e Specializuara për t’i vlerësuar kushtet. Për shembull, kam kryer një inspektim personal të objekteve të paraburgimit në tetor 2021 dhe sërish në prill të këtij viti. Në vizitën e fundit, pata një takim shumë konstruktiv me shtatë nga tetë të arrestuarit. Do të vazhdoj të inspektoj rregullisht ambientet e paraburgimit dhe do të angazhohem bashkë me të paraburgosurit dhe stafin tjetër. Gjatë pandemisë Covid-19 jam angazhuar edhe me Njësitet e Regjistrimit dhe Menaxhimit të Paraburgimit, lidhur me ndikimin që kishte pandemia në këto ambiente.

Mund t’i referohem edhe Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me pajtueshërinë e ligjit të Dhomave me Kushtetutën e Kosovës. Nëse konstatoj se një nen specifik i ligjit ose i rregullores së punës nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, do t’i drejtohesha Dhomave të Specializuara të Kushtetueses në Hagë. Mund të bëj rekomandime te Kryetarja e Gjykatës dhe Prokurori i Specializuar, lidhur me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Nëse një gjyqtar ose trup gjykues do të donte mendimin tim për çështje që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, atëherë unë jap mendimin tim. Ajo që nuk mund të bëj është të ndërhyj në procedimet penale në vazhdim, përveç rasteve të zvarritjeve të paarsyeshme.

                                                 Nacionale:

Deri në këtë fazë të procedimit, a keni evidentuar ndonjë shkelje të të drejtave të njeriut për proceset që po zhvillohen?

                                               Pietro Spera:

Jo, deri më tani nuk kam konstatuar asnjë shkelje të të drejtave themelore të dikujt që ndërvepron me Dhomat e Specializuara ose Prokurorinë e Specializuar. Që nga themelimi i saj, Zyra e Avokatit të Popullit ka pranuar 19 ankesa. 15 prej tyre u deshtëm t’i konsiderojmë të papranueshme sepse në këto raste, ankuesit nuk kanë demonstruar se Dhomat e Specializuara ose ZPS-ja janë përfshirë në çështjet për të cilat janë ankuar. Kjo do të thotë se ankesat ishin për diçka qënuk kishte të bënte me Dhomat e Specializuara, ose personi që u ankua nuk kishte ndonjë ndërveprim me këto institucione.

Në vitin e kaluar, Zyra e Avokatit të Popullit ka pranuar pesë ankesa. Nga këto, tri janë gjetur të papranueshme për arsyet e njëjta që i përmenda, një ankesë është në shqyrtim, dhe një tjetër që e kemi shqyrtuar është dashur ta refuzojmë gjithashtu si të papranueshme. Ankesa e mëvonshme ishte e lidhur me një shkelje të pretenduar të të drejtave themelore të ankuesve nga Prokurori i Specializuar dhe nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara. Ankesa kundër Prokurorit të Specializuar u refuzua në përputhje me Rregullën 29(3)(e) të Rregullave, pasi nuk ishte paraqitur brenda gjashtë muajve të shkeljes së pretenduar dhe nuk është paraqitur shkak i mirë për këtë vonesë. Ankesa kundër Gjykatësit të Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara u refuzua në përputhje me Rregullat 29(1) dhe 29(3)(a) të Rregullave, të cilat e parandalojnë Avokatin e Popullit që të ndërhyjë në rastet ose procedurat e tjera ligjore para Dhomave të Specializuara të Kosovës, përpos në rastet e vonesës së paarsyeshme.

Në fillim të vitit 2021, Ombuspersoni përfundoi një hetim për një ankesë të vitit 2020. Ankuesi kishte pretenduar se Sekretari i kishte shkelur të drejtat e tij themelore duke publikuar konkursin ku thuhej se aplikantët duhet të jenë me shtetësi nga vendet e BE-së ose shtetet kontribuuese në Gjykatën Speciale. Në këtë rast, kam konstatuar se procedura e rekrutimit dhe përzgjedhjes së zbatuar nga Sekretari janë të ligjshme dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

                                                 Nacionale:

Në rastin e Thaçit dhe të tjerëve është raportuar se të akuzuarit janë ankuar me një letër. Cila ishte përmbajtja?

                                               Pietro Spera:

Ankesat pranë Ombusperonit trajtohen si konfidenciale. Vetëm raporti përfundimtar pas përfundimit të hetimit bëhet publik. Prandaj, as nuk do ta konfirmoj dhe as mohoj marrjen e një letre nga Thaçi dhe të tjerët.

                                                 Nacionale:

Duke qenë se në këtë rast të akuzuarit po mbahen në paraburgim për më shumë se një vit, a ka shkelje të të drejtave të njeriut?

                                               Pietro Spera:

Deri më tani, nuk kam gjetur asnjë shkelje të të drejtave të askujt që ndërvepron me Dhomat e Specializuara ose Prokurorinë e Specializuar. Jam i vetdijshëm se një sërë ankesash janë duke u proceduar në Dhomat e Specializuara, lidhur me vazhdimin e paraburgimit për të akuzuarit.

                                                 Nacionale:

Prokuroria ka kërkuar mijëra orë për gjykimin, i cili mund të zgjasë deri në 10 vjet. Keni ndonjë koment?

                                               Pietro Spera:

Unë nuk do të komentoja për procedurat në vazhdim. Brenda mandatit tim, do të shqyrtoj çdo ankesë që e pranoj.

                                                 Nacionale:

E di që keni pasur një vizitë në Qendrën e Paraburgimit në Hagë. Cilat ishin shqetësimet e të akuzuarve?

                                               Pietro Spera:

Kemi kryer një inspektim në objektet e paraburgimit në tetor të vitit 2021, dhe në prill të këtij viti. Në të dyja rastet kam pasur një takim edhe me shtatë nga tetë të arrestuarit. Për arsye të privatësisë, nuk mund të them se çfarë u diskutua. Megjithatë, ajo që mund të them është se kushtet e paraburgimit janë të një standardi mjaft të lartë dhe jam i kënaqur me të drejtat themelore që mbrohen nga Njësia e Menaxhimit të Paraburgimit. Do të vazhdoj të inspektoj rregullisht ambientet e paarburgimit.

                                                 Nacionale:

A keni hartuar ndonjë raport për gjetjet gjatë kësaj vizite?

                                               Pietro Spera:

Nëse pas ndonjë inspektimi në ambientet e paraburgimit, kam ndonjë shqetësim, do t’i ngrisja këto shqetësime. Unë jam i kënaqur me të drejtat themelore të të paraburgosurve që po mbrohen nga autoritetet përkatëse. Unë hartoj një raport vetëm nëse ankesa është e pranueshme dhe pasi të kem përfunduar hetimin.

                                                 Nacionale:

Ju keni pasur një takim me Avokatin e Popullit të Kosovës. Keni ndonjë bashkëpunim me të?

                                               Pietro Spera:

Unë jam takuar me Avokatin Aktual dhe atë të kaluarin, dhe ishin dy takime interesante. Megjithatë, ato ishin takime me mirësjellje, pasi mandatet, rolet dhe përgjegjësitë e tona nuk mbivendosen.

                                                 Nacionale:

Cili është mesazhi juaj për qytetarët e Kosovës që mund të kenë dilema se të drejtat e njeriut po shkelen në Gjykatën Speciale?

                                               Pietro Spera:

Si Ombusperon dhe një gjykatës me shërbim të gjatë në Itali, i marrë seriozisht përgjegjësitë që më janë besuar me ligj. Do të vazhdoj të veproj brenda mandatit tim për t’iu përgjigjur çdo ankese të ardhur dhe për të monitoruar kushtet në ambientet e paraburgimit. Kur bëhet fjalë për çështje që lindin në rrjedhën e procedurave gjyqësore në vazhdim, ndërkohë që roli im është i kufizuar, do të theksoja njerëzve se ka rrugë ligjore brenda vetë procedurës që personat e akuzuar të paraqesin ankesat e tyre. Gjithashtu, pas shterimit të të gjitha mjeteve të parashikuara me ligj, të akuzuarit dhe viktimat mund t’i referohen Gjykatës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara, në lidhje me çdo shkelje të pretenduar.

Tjera nga autori:
1