<b></b> Shkon Lumezi, vjen u.d. Besimi - Kryeprokurori i ri merr 'myzhde' nga Nacionalja, tregon çka do të bëjë

Shkon Lumezi, vjen u.d. Besimi - Kryeprokurori i ri merr 'myzhde' nga Nacionalja, tregon çka do të bëjë

21.04.2022 15:36

Besim Kelmendi është përzgjedhur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës si ushtrues detyre i Kryeprokurorit. Kjo pasi mandati i Aleksandër Lumezit ka përfunduar ditën e sotme. Vetë Kelmendi ka folur për gazetën Nacionale pak minuta pasi edhe zyrtarisht KPK-ja vendosi që ai të bëhet Kryeprokuror.

Përderisa Këshilli Prokurorial i Kosovës po mbante mbledhjen për caktimin e Besim Kelmendit si U.D. të Kryeprokurorit, vetë Kelmendi ishte i zënë me një takim. Edhe pse kishte zëra që ai mund të bëhet përkohësisht pasues i Lumezit, Kelmendi nuk ishte në dijeni se për të do të votohej.

Kelmendi ka thënë për gazetën Nacionale se do ta presë vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, dhe më pas do ta nisë punën.

“Jam në zyrën time, dhe nuk kam diçka zyrtare. Është diskutuar, mirëpo nuk e di. Po e pres vendimin, pastaj do t’i mbledhi prokurorët e zyrës dhe do të shohim si do të ecim përpara”, deklaroi Kelmendi për gazetën Nacionale.

Ai tha se do ta vazhdojë bashkëpunimin edhe me Aleksandër Lumezin.  “Ju e dini që është rregull që institucionet të bashkëpunojnë me ish-udhëheqësit, edhe ndihma e tij mundet me kontribu në mbarëvajtjen e zyrës sonë”, shtoi Kelmendi për Nacionalen.

KUSH ËSHTË BESIM KELMENDI?

Karriera e Besim Kelmendit në sistemin e drejtësisë është e pasur. Fillimisht ai punoi si bashkëpunëtor profesional në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, e pastaj edhe si bashkëpunëtor në Gjykatën Supreme. Pastaj, u emërua edhe si gjyqtar për 4 vite në Gjykatën e Qarkut.

Për pesë vjet e gjysmë, Besim Kelmendi ishte prokuror në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Nga data 01.09.2015 dhe aktualisht Prokuror i Shtetit ne Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Kelmendi njihet si prokuror që ka zhvilluar vazhdimisht hetime për kurdisjen e ndeshjeve futbollistike në Kosovë. “Ne kemi pasur disa informacione nga burime të ndryshme se mund të ketë dukuri negative në ndeshjet e fundit në Superligë. Ne kemi kërkuar që të jemi afër këtyre ndeshjeve. Nëse ka prova, ne do të ngrisim hetimet tona. Nuk mund të flas se për cilat ndeshje, por ne po punojmë intenzivisht në këtë drejtim. Ka kurdisje në futbollin kosovar dhe ka ndeshje që ka aktakuzë për ato”, kishte thënë Kelmendi.

KUSH E PROPOZOI?

Propozimin e parë për U.D. të Kryeprokurorit e dha prokurorja Bedrije Alshiqi. Ajo kërkoi që Aleksandër Lumezi ta mbajë edhe më tutje këtë pozitë. Megjithatë, vetë Lumezi tha se nuk e pranon këtë propozim.

Që Besim Kelmendi të bëhet ushtrues detyre i Kryeprokurorit, propozimin e dha anëtarja e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jehona Grantolli. E propozimin e saj e përkrahën me 10 vota pro, edhe anëtarët e tjerë të KPK-së.

Propozimi im është që si U.D. Kryeprokuror të caktohet Besim Kelmendi. Duke u bazuar në karrierën e tij, prokurori Besim ka dëshmuar profesionalizëm dhe efikasitet të jashtëzakonshëm në ushtrimin e detyrës së tij si prokuror në mbrojtje të sitemit prokurorial”, ka thënë Grantolli.

PLASI VAJI

Duke ditur se ishte dita e fundit e tij si Kryeprokuror, Aleksandër Lumezi mbajti edhe një fjalë rasti para anëtarëve. Ai u pa i emocionuar, përderisa po fliste për punën e tij si Kryeprokuror.

“Është e vështirë në këto fjalime lamtumirëse me thanë diçka. Kam pasë nderin dhe privilegjin që kam punuar me prokurorët e zyrës sime, dhe prokurorët e tjerë. Ka qenë fat që si një Kryeprokuror i ri i shtetit kam punuar me juve. Ka qenë vështirë sepse para vetes kam pasur sfida të mëdha, sfida reale, sfida të ndryshme gjatë 7 vjetëve. Mirëpo, duke falënderuar komunitetin e prokurorëve të shtetit, vlerësimin e tyre, bashkëpunimin e tyre, kam arritur deri dikund që të zhvillojmë dhe të bëjmë lëvizje të caktuara brenda sistemit. Sot jemi shumë më kredibil se para disa vitesh. Ndoshta edhe në momentet më të vështira të karrierës sime më keni përkrahë. Gjatë kësaj rruge ka pasur sfida të ndryshme, shpesh kanë qenë qëllimkëqia”, ka thënë Lumezi.

Në fund pati edhe përqafime e mirënjohje nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

NISIN HETIMET NDAJ HAMITIT

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka themeluar panelin hetimor, për shkelje disiplinore nga prokurori Armend Hamiti. Njëherësh kandidat për Kryeprokuror të Shtetit.

Kjo erdhi pas publikimit të disa fotografive, ku Hamiti u takua me një person me të kaluar kriminale. Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Jetish Maloku, tha se me veprimet e tij, prokurori në fjalë e ka dëmtuar imazhin e KPK-së.

“Kanë nisur hetimet, ka bërë shkelje, dhe dëmtim imazhit të KPK-së. Do të nisë procedurë disiplinore, dhe ndaj të njëjtit të shqiptohet masë vërejtje publike me shkrim në përputhje me ligjin”, u shpreh Maloku,

BLLOKADË!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka paralajmëruar se nuk do ta dekretojë momentalisht Blerim Isufajn për Kryeprokuror. Kjo pas kundërshtimeve nga ambasadat ndërkombëtare në Kosovë dhe shoqëria civile. Pikërisht sot, Osmani ka pritur në takim organizatat e shoqërisë civile.

Ajo ka paralajmëruar se do të takohet edhe me palët e tjera të interesit, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.

Përveç Blerim Isufajt, kandidat për Kryeprokuror ishin edhe Armend Hamiti, Kujtim Munishi, Shqipdon Fazliu e Lulzim Sylejmani.

Tjera nga autori:
1