<b></b> ‘Veteranët’ në rigjykim – për Nacionalen flasin Agim Çeku, Rrustem Berisha dhe avokatët

‘Veteranët’ në rigjykim – për Nacionalen flasin Agim Çeku, Rrustem Berisha dhe avokatët

26.04.2022 17:38

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin “Veteranët”, ku akuzohen Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Të gjithë këta të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare u shpallën të pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Por pas më shumë se një viti shqyrtim në Apel, kjo e fundit ka vendosur ta rikthejë rastin në rigjykim. Kjo duke u mbështetur në disa shkelje procedurale dhe gjendjen faktike.

Agim Çeku, njëri nga të akuzuarit kryesorë në këtë proces gjyqësor, ka thënë për Nacionalen se është i habitur nga vendimi i Gjykatës së Apelit. Sipas tij, vendimi i shkallës së parë ka qenë i argumentuar.

“Jam i befasuar shumë me këtë vendim të Gjykatës së Apelit, nuk e kemi pritë asnjëri, pasi gjykimi ka qenë i gjatë, thelbësor, i argumentuar, vendimi ka qenë i bazuar në fakte, dhe nuk e di pse e ka marrë këtë vendim Gjykata.  S’kemi çka me bo, duhet me vazhdu me drejtësinë”, ka thënë ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Agim Çeku.

Komandanti tjetër i UÇK-së që ishte i akuzuar në këtë proces është Rrustem Berisha. Ish-deputeti i AAK-së ka thënë për Nacionalen, se është i gatshëm që sërish ta vazhdojë ballafaqimin me drejtësinë për këtë çështje.

Nuk e kam parë ende. Nuk kam infomata për këtë çështje, sido që të jetë na do të ballafaqohemi. Unë e di për njësinë teme gabimet që janë bërë në vlerësime, dhe veteranët që i kanë shpallë kontestues. Ata janë veteranë që kanë qenë pjesë e luftës dhe jam i gatshëm të ballafaqohem edhe në të ardhmen”, ka thënë Rrustem Berisha.

Dukshëm më tepër kritika kanë avokatët. Arianit Koci që në këtë proces gjyqësor e mbron Shkumbin Demaliajn, ka thënë për gazetën Nacionale se ende nuk e ka pranuar vendimin. Madje, Koci e ka vlerësuar si katastrofal faktin që vendimet bëhen publike pa iu dorëzuar palëve.

“Ende nuk e kam marrë vendimin, më duhet me pa me lexu, nuk e di për çfarë baze. Shumë keq që po bëhen publike vendimet pa e marrë klienti ose avokati. Meqënëse nuk e kam vendimin, më duhet ta analizoj e pastaj do të deklarohem. Po shkelen të drejta e mbrojtjes, askund në botë nuk ka që me u bo publike njëherë vendimi, e pastaj me e marrë vendimin i akuzuari dhe avokati. Katastrofë është kjo. Kjo na lë përshtypje që gjykata më shumë bën për publikun, se për drejtësinë”, ka thënë Koci.

Kurse Tahir Rrecaj, avokat i Nuredin Lushtakut, ka thënë se në raport me klientin e tij, vendimi i Apelit është i gabuar. Rrecaj sqaron arsyet.

Unë e mbroj Nuredin Lushtakun dhe në raport me të, është tepër i gabuar. Nuk e kam parë me pa si e kanë arsyetuar. Nuredin Lushtaku ka marrë pjesë në një mbledhje të vetme të Komisionit Verifikues nga 29 mbledhje, ka marrë pjesë vetëm në mbledhjen e 26-të në vendin e Sami Lushtakut. Dhe në atë mbledhje nuk është marrë asnjë vendim, ai nuk e ka asnjë pikë faji. Jam irrituar kur e kam lexuar atë vendim. Nëse ka ndonjë shkelje esenciale formale në rregull, por në aspektin faktik është mëkat”, ka thënë Rrecaj për Nacionalen.

ÇFARË SHKELJE?

Gjykata e Apelit në vendimin e saj ka vlerësuar se në procedurë ka pasur shkelje procedurale, por edhe të gjendjes faktike në terren.

Shkelja kryesore në vendimin e Apelit, kishte të bënte me faktin se gjykata në shkallën e parë ka vërtetuar në mënyrë të gabuar, faktet thelbësore që kanë të bëjnë me miratimin e listave.

Komisioni ka miratuar listat përfundimtare me datë, 17.05.2016 sipas raportit nr. 1737 ku edhe i ka rekomanduar ato lista në Qeveri, rrjedhë se miratimi i listave ndërlidhet me ligjin e veçantë nr.261, në këtë kuptim Gjykata e Apelit ka gjetur se shkalla e parë ka vërtetuar në mënyrë të gabuar faktin më thelbësor që ka të bëjë me miratimin e listave nga komisioni, në këtë çështje penale kur mbështetet në normat ligjore sipas së cilave të akuzuarit në cilësinë e anëtarëve të komisionit kanë vepruar dhe se kanë qenë dy ligje në fuqi kur kanë vepruar”, thuhet në arsyetimin e vendimit të Gjykatës së Apelit.

Gjykata e Apelit tutje thekson se duke vërejtur se si fakt vendimtar në aktgjykim është pretenduar nga prokuroria se bëhet fjalë për 19 mijë e 500 aplikacione të cilat ndërlidhen me kategorizimin e këtyre aplikuesve, nga shkresat e lëndës rrjedhë se këto aplikacione nuk janë administruar si provë, por janë administruar listat si tërësi në numër prej 19 mijë e 500.

Tutje, në këtë vendim thuhet se duke mos u administruar si provë aplikacionet, gjykata nuk ka vërtetuar në mënyrë të plotë gjendjen faktike lidhur me këtë fakt vendimtar, ngase fakti këtu është shtruar se këto aplikacione sipas të dhënave që ato mbajnë, a janë këto aplikacione me përmbajtje siç pretendonte prokuroria, se ishin me kategori, mbështetje politike, logjistike, financiare, mbështetje mjekësore dhe detyra tjera të caktuara nga komandantët e njësive, shtabeve dhe zonave të UÇK-së.

Rrjedhimisht duke mos administruar aplikacionet për të verifikuar pretendimin e tillë, kjo rezulton në vërtetim jo të plotë të gjendjes faktike, rrjedhimisht duke mos i administruar si provë nuk janë vërtetuar në mënyrë të drejtë faktet edhe sa i përket pretendimeve të prokurorisë, se aplikacionet kanë qenë vetëm me emër dhe mbiemër dhe nuk kanë qenë të nënshkruara. Gjykata duke mos administruar aplikacionet e theksuara në dispozitivin e aktgjykimit, rezulton se nuk e ka vërtetuar në mënyrë të plotë pretendimin e faktit se a ishin të përfshirë persona që pretendohet se ishin të mitur gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe personave që ishin pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, dhe Ushtrisë Çlirimtare në Maqedoni, sepse faktet e tilla mund të vërtetohen në mënyrë të plotë vetëm kur administrohen”, thuhet në vendim.

Në arsyetim tutje thuhet se Apeli fillimisht ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë gabimisht ka vërtetuar faktin se te akuzuarit kur kanë vepruar kanë qenë dy ligje të veçanta në fuqi, kjo për shkak se Ligji nr.04/L-054, në nenin 12 ka përcaktuar rregullimin e kategorive dhe të beneficioneve me ligj të veçantë, gjë që ligji i veçantë nr.04/L-261 në nenin 2 përcakton fushëveprimin që e ndërlidh se fushëveprimi i këtij ligji është i mbështetur në ligjin 054 në nenin 12, sipas së cilit nen parashihet nxjerrja e ligjit të ri.

“Në rrjedhë të këtyre vërtetimeve të gabuara të gjendjes faktike rezultojnë, po ashtu arsyet e dhëna nga gjykata e shkallës së parë kur thekson se, Komisioni ka nxjerr vendimet sipas ligjit 054, ndërsa provat konkretisht audioincizimet e mbledhjeve të Komisionit, ku dëgjohen anëtarët e Komisionit, të cilët që të gjithë pa përjashtim pajtohen që nuk kanë mundur të veprojnë me këtë ligj, pasi që duhet të nxjerret ligji i ri për të vepruar lidhur me aplikacionet për njohjen e të drejtës së veteranëve të Luftës, ndërsa sipas audioinçizimeve të mbledhjeve Kryetari i komisionit i akuzuari A.Ç. i njofton anëtarët e Komisionit se kanë qenë në Kuvendin e Kosovës dhe se draft ligji ka mbetur të shqyrtohet vetëm edhe në komisionin për të drejta të njeriut dhe pastaj do të kalojë në seancën e Kuvendit, të gjitha këto biseda rezultojnë qartësisht se të akuzuarit shfaqnin diskutimet mbi problemin e pamundësisë së zbatimit të ligjit nr. 04/L- 054, ndërsa Gjykata konstaton se ata kanë zbatuar ligjin e tillë kur kanë nxjerrë vendimet”, thuhet në vendim.

Tjera nga autori:
1