9 vjet burgim – si e arsyetoi Gjykata Speciale dënimin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt? - NACIONALE

9 vjet burgim – si e arsyetoi Gjykata Speciale dënimin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Me 9 vjet burgim janë dënuar Hysni Gucati e Nasim Haradinaj nga Dhomat e Specializuara të Hagës.

Vendimi është shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith i cili ka thënë me veprimet e tyre duke publikuar dosjet në shtatorin e vitit 2020, Gucati dhe Haradinaj kanë rrezikuar sigurinë e dëshmitarëve.

“Pa dëshmitarë nuk mund të ketë gjykime. E pa gjykime nuk ka drejtësi”, theksoi në hyrje të seancës Charles Smith.

Por, për cilat vepra penale u dënuan dhe si e arsyetoi vendimin Gjykata Speciale?

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj janë akuzuar për në total 6 pika: pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare, pengim i personave në mënyrë të organizuar, frikësim gjatë procedurave penale, hakmarrje, shkelje të fshehtësisë së procedurës, e zbulim të dokumenteve konfidenciale.

Gucati e Haradinaj janë gjetur fajtorë për të gjitha pikat e aktakuzës, përveç pikës 4 ku akuzoheshin për hakmarrje.

“Paketat e sekuestruara bartnin sërë informacionesh të ndjeshme që iu kishin dorëzuar autoriteteve serbe, që përmbanin emra dëshmitarësh, përgjigje të Prokurorisë Serbe për krime të luftës”, thuhet në vendim.

Në lidhje me veprën penale të zbulimit të paautorizuar të informacioneve në procedurën zyrtare, trupi gjykues i ka shpallur fajtorë dy të akuzuarit. Këtë e ka arsyetuar kryegjyqtari Charles Smith. “Trupi gjykues është i bindur se të akuzuarit zbuluan informacionin e mbrojtur sipas Kodit Penal të Kosovës, duke ekspozuar material për gazetarët, e duke i lejuar ata me kamera të filmonin. Dëshira për kryerjen e veprës penale vërehej edhe në deklaratat e tyre se do të publikojnë secilin document që e pranojnë”, tha Smith.

Të fajshëm Gucati e Haradinaj u shpallën edhe për frikësim gjatë procedurave penale. “Trupi gjykues konstaton se të akuzuarit kanë zbuluar të dhënat personale të dëshmtiarëve, dhe zbuluan informacion të mbrojtur. Madje Haradinaj përmendi emrat e së paku 5 dëshmitarëve. Si pasojë e veprave nga të akuzuarit, u shkaktuan pasoja të rënda, pasi dy dëshmitarë u zhvendosën, dhe një tjetër u bë objekt i menaxhimit të riskut.”

Në paraqitjet publike të akuzuarit tërhoqën vëmendje për numrin e madh të dëshmitarëve, dhe i bënë publikë edhe një pjesë të emrave. Ata bënë deklarata të vazhdueshme se kjo gjykatë nuk është e aftë të garantojë sigurinë e dëshmitarëve. Autoritetet në Kosovë dhe në Hagë janë përpjekur për vite me radhë që ta shmangin klimën e frikësimit të dëshmitarëve. ZPS-ja ka vërtetuar përtej dyshimit të bazuar edhe këtë pikë të aktakuzës.”

Për veprën penale të hakmarrjes, dy të akuzuarit nuk u gjetën fajtorë. “ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se të akuzuarit kishin për synim hakmarrjen. Trupi Gjykues konstaton se ZPS-ja nuk e ka vërtetuar veprën penale të hakmarrjes”.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u gjetën fajtorë edhe për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, dhe pengimin e personave me veprime të përbashkëta.

“Trupi gjykues konstaton se ZPS-ja nuk ka dëshmuar ndonjë pengesë konkrete që i është shkaktuar hetimeve. ZPS-ja është penguar në kryerjen e funksioneve të zakonshme, por nuk ka arritur të vërtetojë se veprimet e të akuzuarve penguan zyrtarët. Megithatë, këtu konstatohet se të akuzuarit tentuan të pengojnë punën e tyre. Z. Gucati ka vepruar si udhëheqës i grupit, e Haradinaj si anëtar. Të dy morën pjesë bashkërisht në kryerjen e veprave penale”, thuhet në vendim.

“Veprat e kryera nga të akuzuarit janë kriminale dhe jopatriotike. Kërcënim për drejtësinë. Trupi gjykues Konstaton se nuk ka faktorë të tjerë rëndues sa i përket kontributit në kryerjen e veprave të rënda penale. Trupi gjykues konsideron masë lehtësuese situatën familjare dhe shëndetësore të të dy të akuzuarve”, tha Smith.

Si Gucati edhe Haradinaj u dënuan me 4 vjet e gjysmë burgim dhe 100 euro gjobë. Dënimi u shpall nga kryegjyqtari, “në emër të popullit të Kosovës”.

Çfarë kishte ndodhur?

Ishte 7 shtatori i vitit 2020, kur mediat u ftuan në një konferencë të jashtëzakonshme nga Organizata e Veteranëve të Luftës. Aty u prezantuan disa dosje të Speciales, për të cilat u tha se i kishte sjellë një person i panjohur, të cilit më pas iu dha nofka “Rrufeja”. Edhe dy konferenca të ngjashme u organizuan gjatë muajit të njëjtë, ku u publikuan dosje të tjera.

Një aksion me njësitet elite speciale të EULEX-it u organizua në zyrat e OVL-UÇK-së më 25 shtator 2020, ku u arrestuan Hysni Gucati e Nasim Haradinaj. Më 29 shtator e 1 tetor të vitit 2020, ata dolën para gjyqtarit të procedurës paraprake, ku u deklaruan të pafajshëm.

Gjatë gjykimit, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte paraqitur disa dëshmitarë, në mesin e të cilëve edhe punonjës të ZPS-së. Ata kishin treguar se pas publikimit të këtyre dosjeve, dëshmitarët kanë qenë të frikësuar dhe kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në punën e Gjykatës Speciale. Në mesin e dëshmitarëve të ZPS-së kishte edhe gazetarë, të cilët kishin publikuar këto dosje.

Në total, 14 dëshmitarë ishin të ftuar në këtë proces. Mbrojtja e Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt kishte ftuar 10 dëshmitarë, kryesisht veteranë e punonjës të OVL-UÇK-së.

Gjykimi ka zgjatur saktësisht 31 ditë të plota, kurse procedura paraprake 12 muaj e 12 ditë. Gjatë gjithë kësaj kohe, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj kanë qëndruar në paraburgim.

Lajme të ngjashme