<b></b> 7 vjet nga gjëmimet në Kumanovë: Çka i tha Beg Rizaj vëllait të tij para nisjes për në Maqedoni?

7 vjet nga gjëmimet në Kumanovë: Çka i tha Beg Rizaj vëllait të tij para nisjes për në Maqedoni?

10.05.2022 10:40

9 dhe 10 maji i vitit 2015 do të shënonte një nga ngjarjet më misterioze në Ballkanin Perëndimor. Një grup i armatosur nga Kosova do të zhvillonte luftime me policinë e ushtrinë e Maqedonisë, në atë që më pas do të njihej si “Konflikti i Kumanovës”. 10 pjesëtarë të grupit nga Kosova e 8 policë mbetën të vrarë. Në mesin e tyre Beg Rizaj nga fshati Prokulluk i Deçanit. Vëllai i Begut, Ramizi, ka rrëfyer për gazetën Nacionale bisedat me të vëllain para nisjes për në Maqedoni, e deri te pakënaqësitë me politikën.

Nga Londra, në televizor i kishte parë zhvillimet e para 7 viteve në Kumanovë të Maqedonisë. Teksa shihte pamjet e luftës në Kumanovë, Ramiz Rizajt, i kujtoheshin fjalët që ia kishte thënë vëllai i tij Begu para nisjes për në Maqedoni, ku do ta gjente vdekjen.

E kemi pasur një gëzim në familje, me e feju djalin tim më 5 mars 2015. Po atë ditë më tha Begi, Ramiz unë e kam bo plan me hi në Maqedoni. Unë jam kthy më 7 mars për Londër. U flitke në media se janë dorëzuar Begi e Mirsadi, po unë e dija sigurt se ata nuk dorëzohen të gjallë. E vret veten Begi e m’u dorëzu kurrë jo. Se thojke Begi, ne kur të hyjmë në Maqedoni jemi të dënar. Sa ka vite burg ligji i shtetit maqedon, kanë me na dënu”, kujton fjalët e të vëllait Ramiz Rizaj nga Deçani.

Beg Rizaj, Mirsad Ndrecaj, bashkë me 8 ish-pjesëtarë të tjerë të këtij grupi, kishin mbetur të vrarë. Më shumë se 35 të tjerë u arrestuan nga Policia, e vazhdojnë të jenë në vuajtje të dënimeve në burgjet maqedonase.

“Krejt luftën e ka bo për atdhe, kërkush s’ka mujtë me e mashtru, krejt kjo luftë ka qenë për të drejtat e shqiptarëve, për me u zbatu marrëveshja e Ohrit. Shumica e bashkëluftëtarëve nga Maqedonia janë tërheqë e kanë mbetë veç këta të Kosovës. Qaty janë thyer djemtë tanë se janë tradhtu, e nuk kanë luftu krejt deri në vdekje si Begi e Mirsadi, e me shokë tjerë të vrarë në betejën e Kumanovës”, tregon Ramiz Rizaj për gazetën Nacionale.

Ramizi rrëfen për Nacionalen në detaje, edhe rrugën e tij deri në Maqedoni kur shkoi për ta identifikuar vëllain e tij, Begun. Ai zbulon disa gjetje të fundit nga obduksioni, për vrasjen e Beg Rizajt.

“Unë kam shku me e marrë vëllain e vdekur më 23 maj në Maqedoni. Kam qenë me mjekun Arsim Gërxhaliu. U vërejke se u vra prej larg me snajper. Pasi u kthyem nga Maqedonia, i kam thënë mjekut dua me e pa edhe një hëre me e vërtetu a është Begu. I thash mjekut se du me ma lëshu menjëherë vëllain me e varrosë.”

“Ne e kemi vujtë 6 vjet prej disa fjalëve të njerëzve të ndryshëm që thonin Begi u dorëzu para armikut. E ne kurrë s’u kemi besu atyne fjalëve se e kemi ditur çfarë trimi ka qenë Begu. Para 3 muajve a 4, ka dalë postimi i parë prej shërbimeve të Maqedonisë. Shihet qartë se Begu është i vrarë me armë në dorë, pushkë automatike gjermane e zbrazur deri në plumbin e fundit, edhe një bombë dore në dorën e majtë”, tregon Ramiz Rizaj.

Madje, vëllai i Begut lartëson angazhimin e këtij grupi në Kumanovë. Thotë se si rezultat i atij konflikti, sot shqiptarët e flasin gjuhën shqipe lirshëm në Maqedoni.

“Planet e Gruevskit me Rusinë u patën ndërpre pasi u derdh aq shumë gjak, edhe ra ai rast edhe ra qeveria e Gruevskit. U pa sa demonstrata u bë pas rastit Kumanova, gjuha shqipe u zyrtarizua krejt për hir të luftës që e patën bë djemtë tonë në shtetin maqedon.”

ZHGËNJIMI ME POLITIKËN

Familja e Beg Rizajt megjithatë, është e zhgënjyer me politikanët shqiptarë në Maqedoni. Përderisa, thonë se nga politikanët e Kosovës nuk ka munguar përkrahja.

“I patëm dërgu fjalë Ali Ahmetit që le të vjen në varrim, eja e pastrohu, sepse familjen tonë ki me e pasë si në hidhërim apo gëzim, por nuk pati ardhur. Ne e dimë që ata ndoshta nuk janë fajtorë, por kur nuk po vijnë, atëherë po lindin dyshime se shqiptarët kanë qenë e mos me ardhë për ngushëllime pak keq”, theksoi vëllai i Beg Rizajt.

“Edhe Talat Xhaferi ka qenë në luftë në vitin 2001 me Begun e Mirsadin, por në ngushëllime nuk ka marrë pjesë. Krejt ajo që pati qenë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.”

“Për këta të Kosovës, kanë ardhur për ngushëllime prej krejt partive, të gjithë kanë qenë”, theksoi Ramiz Rizaj.

Nga luftimet dyditore që kishin tronditur Kosovën, Maqedoninë e gjithë rajonin, kishin humbur jetën 10 persona nga grupi i armatosur e 8 policë. 38 pjesëtarë të këtij grupi ishin arrestuar, 8 prej të cilëve janë dënuar me burgim të përjetshëm. Katër janë liruar, kurse të tjerët janë dënuar me 746 vjet burgim.

Beg Rizaj ishte varrosur disa ditë pas vrasjes, në Kompleksin Memorial në Gllogjan. Në qytetin e Deçanit, Rizajt i ishte ndërtuar edhe një përmendore.

Beg Rizaj la pas vetes 5 fëmijë.

Tjera nga autori:
1