<b></b> A do të jetë Nazim Bllaca dëshmitar i Prokurorisë në Hagë?

A do të jetë Nazim Bllaca dëshmitar i Prokurorisë në Hagë?

21.05.2022 10:38

Emri i tij për herë të parë dominoi skenën publike në Kosovë në vitin 2009. Një konferencë të cilën Nazim Bllaca e kishte mbajtur para objektit të Kuvendit aso kohe, kishte tronditur vendin. Një person jo i njohur, e që publikisht thoshte se ka qenë pjesëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës. Por, ajo konferencë do të ishte vetëm fillimi i një periudhe, ku Nazim Bllaca do të merrte primatin si një nga personat më të diskutuar në atë kohë. Tri procese gjyqësore u zhvilluan mbi deklaratat e vetëm një dëshmitari, Nazim Bllacës, e dhjetëra persona u dënuan, një pjesë e të cilëve edhe sot mbajnë burg.

Pas disa vitesh heshtje, emri i Nazim Bllacës u rikthye sërish në temë diskutimi në Kosovë. Një lapsus i avokatit të Kadri Veselit në Dhomat e Specializuara të Hagës, bëri që Bllaca të vërshonte diskutimet publike në vend. "Prokuroria vazhdon të mbështetet tek një dëshmitar, Nazim Bllaca, i cili ka vdekur. Kishte informata që ka qenë aset serb, i paguar nga Serbia", deklaroi Ben Emmerson, avokat i Veselit.

Megjithatë, kjo deklaratë e mbrojtjes së ish-kryeparlamentarit të Kosovës, u demantua nga familja e Bllacës. Ata thanë se Nazim Bllaca është shëndosh e mirë. Gabimin e përmirësoi edhe vetë avokati i Veselit, më vonë në seancë. “Bëra një gabim, thashë Nazim Bllaca ka vdekur. Nuk është e vërtetë. E kisha fjalën për një tjetër dëshmitar”, tha Emmerson në fund të seancës.

Megjithatë, nga ky lapsus opinion kosovar kuptoi dy gjëra. E para është se një dëshmitar në rastin e krerëve të UÇK-së në Hagë, për të cilin mbrojtja thotë se ka lidhje me Serbinë, ka vdekur. Dhe e dyta, Nazim Bllaca, potencialisht mund të jetë dëshmitar në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Një gjë e tillë nuk mund të konfirmohet pasi procedurat në Speciale po mbahen tejet konfidenciale, mirëpo Nazim Bllaca tash e sa vite është jashtë Kosovës, dhe nën mbikëqyrjen e EULEX-it.

Megjithatë, përvojën me procese gjyqsore Nazim Bllaca e ka të madhe. Me vetëm deklaratat e tij, në Kosovë, gjatë kohës sa EULEX-i kishte kompetenca ekzekutive, ishin zhvilluar tri procese gjyqësore. Bllaca 1, 2 dhe Bllaca 3. Ishin dënuar dhjetëra persona, në proceset që i kishte gjykuar ish-gjyqtari Maurizio Salustro.

Në rastin Bllaca 1, Gjykata e Qarkut në Prishtinë në përbërje të një paneli gjyqtarësh të EULEX-it ka dënuar me 18 vjet burg Fahredin Gashin, nën akuzat për vrasjen e Salih Gashit, më 15 qershor 1999, në fshatin Varigovc të Lipjanit. Me 6 muaj burgim me kusht është dënuar Hysri Rama, për veprën penale të dhënies së ndihmës kryerësit, pas kryerjes së veprës penale.

Ndërkohë, në rastin Bllaca 2 do të shqiptohen 54 vjet burg për 5 të pandehur.

Gjykata e Qarkut në Prishtinë dënoi Sadik Abazin me 12 vjet burg, Driton Hajdarin me 7 vjet burg, Bekim Sylën 12 vjet, Shaban Sylën 8 vjet dhe Shpresim Ukën me 15 vjet burgim.

Dënimi u shqiptua për vrasjen e Ibush Kllokoqit dhe vrasjen në tentative të ish zv.kryeministrit Adem Salihaj si dhe Ismet Arifit, aktivist i LDK-së.

Më 19 korrik 2013 përfundoi gjykimi i njohur si Bllaca III ku i pandehur ishte vet Nazim Bllaca. Ai u shpall fajtor për vrasjen e Ibush Kllokoqit në natën e 6 gushtit 1999 dhe u dënua me katër vjet e gjashtë muaj burg. Dënimi i shqiptuar është minimal, dhe kjo ndodhi sipas kërkesës së prokurorit special të Misionit Europian për Sundim të Ligjit, Maurizio Salustro.

KUSH ËSHTË NAZIM BLLACA?

Nazim Bllaca, në vitin 2009, ishte bërë personi më i përfolur në Kosovë, pasi që publikisht kishte pranuar se kishte marrë pjesë në vrasje, plagosje, vrasje e rrëmbime. Të gjitha këto, ai thoshte t’i kishte bërë në emër të Shërbimit Informativ të Kosovës, të cilin prej themelimit e deri në shuarjen e tij e udhëhoqi Kadri Veseli, që tash është i paraburgosur nga Gjykata Speciale në Hagë.

Bllaca më 2009 kishte deklaruar publikisht se ka kryer krime nën urdhrat e Azem Sylës që ishte pjesë e SHIK-ut.

“Epror kryesor në SHIK e kam pasur Azem Sylën. Bëhet fjalë për vrasje, plagosje, kërcënime, shantazhe, rrahje brutale etj. Është vështirë me ardhë këtu para parlamentit edhe me thënë si dëshmitar, mirëpo boll ka shkuar me ata dëshmitarët e fshehtë. Unë jam penduar për punën që është bërë nga 12 qershori i vitit 1999”, pati thënë Bllaca, duke mos përmendur emrin e personit që thotë ta ketë vrarë, siç raportonte REL.

Deklarimi i tij, që tronditi Kosovën, e bëri atë të njohur. Në paraqitjen e tij të parë publike, ai kishte hedhur akuza të rënda se si SHIK-u kishte kryer vrasje politike, duke qenë edhe vetë pjesë e kësaj organizate.

Nazim Bllaca e kishte shpallur veten ish-agjent i SHIK-ut të Kadri Veselit dhe më keq: I një njësie për vrasje që drejtohej nga Azem Syla.

Pas deklaratave të tij, ai ishte larguar nën mbrojtje të EULEX-it nga Kosova, pas disa procesve gjyqësore në Kosovë, ku u dënuan dhjetëra persona.

I lindur në Prill të vitit 1972, në Ribar të Madh të komunës së Lipjanit, Bllaca kishte ushtruar profesionin e mësimdhënësit në fshatin e tij, gjersa gjatë luftës ishte uniformuar në radhët e UÇK-së.

I vetëdeklaruar si pjesëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), kishte bërë jehonë të madhe asokohe dhe menjëherë ishte marrë nën mbrojtjen e EULEX-it, si dëshmitar i mbrojtur.

Nazim Bllaca e kishte shpallur veten ish-agjent i SHIK-ut të Kadri Veselit dhe më keq, i një njësie për vrasje që drejtohej nga Azem Syla, ish-komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Tjera nga autori:
1