<b> Albin Kurti e quan dëshmor Arbënor Deharin,</b>  por nuk tregon se kush e vrau

Albin Kurti e quan dëshmor Arbënor Deharin, por nuk tregon se kush e vrau

11.06.2022 22:08

Sot është shënuar përvjetori i vdekjes së Arbënor Deharit, aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje. E kjo parti, ka organizuar një tribunë përkujtomore për nder të tij, e ku prezent ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që është njëherit kryetar i Vetëvendosjes, ku Dehari ishte aktivist. Ai e quajti dëshmor Arbënor Deharin, por duke mos treguar se kush e vrau atë, ndonëse ai zyrtarisht është i vetëvrarë.

Në tribunën përkujtimore, Kurti pati edhe një fjalim, relativisht të gjatë para të pranishmëve, e ku prezent ishin edhe prindërit e Deharit, Avni e Xhemile Dehari. Tribuna, siç është zakon kurdo që VV organizon të tilla mbledhi, fillon me himnin kombëtar. Në tribunën për Deharin, nuk u dëgjuan tingujt e himnit të Kosovës.

Megjithatë, ajo që ra në sy në fjalimin e Kurtit ishte termi që Kurti zgjodhi ta përshkruante aktivistin e vdekur të VV-së. Duke folur për figurën e Deharit, Kurti e përdori termin dëshmor.

Ai tha se kur shikojnë fotografinë e aktivistit, shohin gjendjen e tij të lëvizjes, duke shtuar se për dëshmorin e kemi më të lehtë të flasim.

Arbënori, është figura e ndalur në kohën e lëvizjes, me metodën unike që Lëvizja jonë e ka ushqyer që nga themelimi: pra, të qenit i pandalshëm. Ajo është veçse një foto e ndalur e mënyrës sonë të qenies dhe të punës. Mirëpo, jo edhe jetë e kontribut i ndalur. Këtë e dëshmon edhe fakti që ne jemi mbledhur këtu dhe që Arbënorin e kujtojmë përditë dhe e gjejmë gjithandej”, tha Kurti para të pranishmëve.

Në fjalën e tij, Kurti tha se Arbënor Dehari mbetet referencë, duke përdorur një metaforë të lumit për të shpjeguar rëndësinë e të shikuarit në fotografinë e aktivistit që s’jeton më.

Kur e shohim këtë foto, ne e bëjmë pyetjen: ç’ishte lëvizja? Dhe përgjigjemi thjesht dhe shpejt: lëvizja ishte lumi i identitetit tonë. Të gjithë të ndryshëm ishim të njëjtë. Por kur lumi shtrihet aty afër cakut, aty afër rezultatit, aty e zgjeron shtratin, e ul forcën dhe nis e shpërndahet. Zgjerimi më i madh i lumit është te destinacioni i tij, te deti: është delta që edhe ndan edhe e bashkon lumin me detin, lëvizjen me popullin. Lumi është metafora jonë, të cilën mund ta mbajë gjallë vetëm fakti që nuk po flasim për molekula uji, por për molekula vullneti njerëzor e kombëtar dhe mendimi teorik e praktik”, tha ai.

E në paragrafin e ardhshëm të fjalimit, Kurti e cilësoi Deharin e vetëvrarë si dëshmor.

E shohim foton e ndalur të aktivistit në gjendjen e tij të lëvizjes. Për dëshmorin e kemi më të lehtë të flasim, por për aktivistin e ndalur aty para nesh, si gjendja jonë e një kohe tjetër, ky lloj raporti është shumë më i vështirë. Ai na drejton një vështrim të qetë me pyetjen e rëndë: a e mbani mend formën tuaj më të bukur, atë fuqi të së pamundshmes? Sepse kohët e veprimit, edhe pse me një ndarje të vogël vitesh, nuk janë të përkthyeshme veçse me një kusht: kuptimi i vetes duke parë këtë foto, foton e Arbënorit”, shtoi Kurti.

Por, shefi i ekzekutivit nuk tregoi arysen pse e quajti dëshmor Deharin dhe, më të rëndësishmen, nuk dha asnjë indicie se kush e vrau aktivistin e VV-së. Gjithashtu, Kurti nuk tregoi se dëshmor i kujt është Dehari, që u vetëvra në vitin 2014.

Por, cili është kuptimi i termit dëshmor sipas fjalorit të gjuhës shqipe?

Në fjalorin elektronik të shipes, dëshmori shënjon një luftëtar që vritet për liri e për drejtësi shoqërore.

Ai që fal jetën për të mirën e popullit e të atdheut”, thuhet në fjalorin e elektronik.

Kujtojmë që Dehari kishte vdekur 11 qershor të vitit 2014, duke rënë nga kati i gjashtë i banesës ku jetonte në Prishtinë. Zyrtarisht, ai është i vetëvrarë.

Arbënor Dehari ishte aktivist i LVV-së që nga formimi i saj, duke qenë pjesë e Sekretariatit për Media dhe Komunikim të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndryshe, edhe vëllai i vogël i tij, Astrit Dehari, kishte vdekur në burg në vitin 2016, pasi ishte arrestuar së bashku me 5 aktivistë të tjerë të VV-së si i dyshuar për sulm terrorist ndaj Kuvendit të Kosovës. Rasti i tij ende nuk është zbardhur, edhe gati 6 vite pas vdekjes.

Babai i tyre, Avni Dehari tash është deputet i VV-së në legjislaturën e dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

Tjera nga autori:
1