<b></b> Avokatët e ish-liderëve të UÇK-së i kushtuan Kosovës gati 10 milionë euro deri tash

Avokatët e ish-liderëve të UÇK-së i kushtuan Kosovës gati 10 milionë euro deri tash

12.05.2022 16:02

Gati gjysma e mjeteve të ndara nga buxheti i Kosovës për kompensimin e avokatëve në Gjykatën Speciale, tashmë janë shpenzuar. Nga 20 milionë eurot e ndara, avokatët që nga nisja e gjykimeve në Hagë, kanë marrë gati 10 milionë euro. Këto shpenzime i ka siguruar gazeta Nacionale, bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike.

Gjykimet e para në Dhomat e Specializuara të Hagës, nisën nga muaji tetor. Që nga atëherë, avokatëve mbrojtës të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, shteti i Kosovës ua paguan një pjesë të mirë të shpenzimeve. Deri më tash, nga buxheti 20 milionësh që kishte ndarë Kosova për avokatët, janë kryer gati 10 milionë euro pagesa.

Në dy muajt e fundit të vitit 2020 dhe gjatë gjithë vitit 2021, avokatët e 8 ish-pjesëtarëve të UÇK-së që po përballen me drejtësinë e Speciales, kanë marrë nga buxheti i shtetit gati 7 milionë euro e gjysmë. Kurse, në tre muajt e parë të vitit 2022, për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë, janë paguar 1 milion e 906 mijë euro. Totali i faturës për avokatët, shkon në gati 9 milionë e 500 mijë euro.

KUSH U PAGUA MË SË SHUMTI?

Më së shumti nga avokatët, po del se është paguar mbrojtësja e Jakup Krasniqit, Rohini Alagendra. Ajo që nga nisja e procesit gjyqësor, pavarësisht se procedura është në fazën paraprake, ka marrë pak më shumë se 1 milion e 500 mijë euro. Në këtë mes, hyjnë shpenzimet për pjesëmarrje në seanca, parashtresat e ndryshme dhe pagesat e anëtarëve të tjerë të ekipit.

David Young, avokat i Rexhep Selimit, që nga muaji nëntor i vitit 2020, ka përfituar nga buxheti i Kosovës 1 milion e 452 mijë euro.

Pas Krasniqit e Selimit, më së shumti është paguar avokati i Hysni Gucatit, Jonathan Rees. Që nga arrestimi i Gucatit, avokati i tij ka përfituar nga buxheti i Kosovës 1 milion e 337 mijë euro.

Shuma parash janë ndarë edhe për mbrojtjen e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Në emër të mbrojtjes së Thaçit, avokati amerikan Pierre Prosper ka marrë nga buxheti i Ministrisë së Drejtësisë 1 milion e 295 mijë euro. Ekipi i Thaçit është mjaft i madh, dhe për ndihmë juridike gjithashtu ishte hapur edhe një fond publik.

Dy avokatë i ka ndërruar nënkryetari i veteranëve, Nasim Haradinaj. Kur gjykimi atje ka marrë fund e pritet vendimi, shuma që ka përfituar mbrojtja e Haradinajt shkon në 1 milion e 229 mijë euro.

Avokati i Kadri Veselit, i vlerësuar njëri nga më të kushtueshmit, po del se nga buxheti i Kosovës ka marrë më pak se të tjerët. Ben Emmerson që nga nëntori i vitit 2020, deri në marsin e vitit 2022, ka përfituar nga buxheti i shtetit 1 milion e 139 mijë euro.

Salih Mustafa ishte i arrestuari i parë nga Gjykata Speciale. Avokati i tij, holandezi Julius von Bone, ka përfituar për mbrojtjen e Calit 1 milion e 110 mijë euro nga buxheti që ka ndarë Kosova.

Kurse, avokati i Pjetër Shalës, zvicerani Jean Gillissen, ka marrë nga buxheti i Kosovës 325 mijë euro. Kjo pasi Shala, ishte i akuzuari i fundit që është arrestuar nga Gjykata Speciale.

SA?

Fillimisht, për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë, Kosova vite më parë kishte ndarë 3.5 milionë euro. Më pas, pasi u intensifikuan ftesat e intervistimet, ky buxhet u rrit në 7 milionë euro. Kurse, 13 milionë të tjera u lanë në fondin rezervë në rast se nevojiten. Nga totali prej 20 milionësh, del se deri më tani janë shpenzuar gati gjysma e tyre.

Nuk dihet nëse Ministria e Drejtësisë ose Qeveria synon të ndajë mjete shtesë, pasi procesi gjyqësor në rastin kryesor ndaj Thaçit dhe të tjerëve ende nuk ka nisur.

Përveç avokatëve, MD-ja ndan mjete edhe për të mbuluar shpenzimet e vizitave të familjarëve në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.  Gazeta Nacionale ditëve në vazhdim do të raportojë edhe për shpenzimet e vizitave të familjarëve në Hagë.

Tjera nga autori:
1