<b></b> Avokati amerikan: Plotësimi i aktakuzës, e vonon gjykimin ndaj krerëve të UÇK-së

Avokati amerikan: Plotësimi i aktakuzës, e vonon gjykimin ndaj krerëve të UÇK-së

14.05.2022 10:36

Mark Ellis është Drejtor i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve. Në një intervistë ekskluzive për gazetën Nacionale, Ellis ka folur për proceset gjyqësore që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara të Hagës.

Ellis ka thënë se plotësimi i aktakuzës me detaje të reja, e vonon edhe më shumë nisjen e gjykimit. Sipas tij, problemi kryesor në këto procedura, do të jetë kohëzgjatja e gjykimit e cila duhet të bëhet në kohë të arsyeshme. Përderisa, sipas Ellis, mbajtja në paraburgim gjithashtu është sfidë ndërkombëtare.

Drejtori i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, ka theksuar se është vështirësi sigurimi i dëshmitarëve dhe dilemat që kanë qytetarët e Kosovës ndaj Dhomave të Specializuara të Hagës.

INTERVISTA:

                                      Nacionale:

Zotëri Ellis, sa keni arritur të përcjellni proceset gjyqësore që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara të Hagës?

                                       Mark Ellis:

Unë i kam ndjekur procedurat që nga fillimi dhe mezi pres të shoh edhe seancat e ardhshme. Ashtu sikur në çdo mekanizëm të drejtësisë, procedimet në Hagë nënkuptojnë efekte pozitive në llogaridhënie duke zhvilluar një historik të drejtësisë përfshirë: kapitalizim të llogaridhënies, fuqizim të avokatëve dhe shoqërisë civile për drejtësi dhe potencialisht duke kontribuuar në parandalimin e krimeve në të ardhmen.

                                        Nacionale:

Cilat janë detajet më interesante që ju i keni vërejtur gjatë procedurave gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Hagës?

                                       Mark Ellis:

Pika më interesante për Gjykatën Speciale është se ajo është gjykatë hibride. Unë kam qenë një përkrahës i këtij mekanizmi gjyqësor. Edhe pse i themeluar nga Kuvendi i Kosovës, i bazuar në Kushtetutën dhe Ligjet e Kosovës, Gjykata përbëhet nga gjyqtarë, prokurorë e zyrtarë ndërkombëtarë me seli në Hagë. Unë gjithashtu jam mbështetës që mandati i Gjykatës është i përkohshëm, me juridiskion specifk mbi krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krimet e tjera ndërmjet 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000. Kjo qasje përqendron vëmendjen e botës në kohën kritike kur është zhvilluar konflikti.

                                        Nacionale:

Sa është e vështirë puna e avokatëve në Hagë, duke ditur kritikat se Zyra e Prokurorit po i vonon materialet dhe procedurat?

                                       Mark Ellis:

Një burim i rëndësishëm i vonesës midis paraqitjes së parë të akuzuarit dhe nisjes së gjykimit, është koha që i duhet prokurorisë për të bërë shpalosjen e materialeve për ekipin mbrojtës. Në gjykimet penale ndërkombëtare, gjyqtarët zakonisht kërkojnë që kjo të kryhet tre muaj përpara gjykimit. Në shumicën e rasteve ndërkombëtare, prokuroria mban me mijëra dokumente, ku secili duhet të shqyrtohet e redaktohet për shkak të informacioneve delikate.

                                        Nacionale:

Disa ditë më parë Prokuroria e plotësoi sërish aktakuzën ndaj Thaçit dhe të tjerëve, me akuza të reja. Cili është komenti juaj për këtë?

                                       Mark Ellis:

Më 29 prill, Prokuroria e Hagës ka plotësuar aktakuzën ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit. Aktakuza pretendon se këta janë individualisht përgjegjës nën forma të përgjegjësisë, për krimet të cilët janë kryer në kontekst të një konflikti në Kosovë, dhe ishin pjesë e sulmeve ndaj personave që vlerësoheshin si kundërshtarë të UÇK-së. Këto akuza të reja janë pasqyrim i mënyrës në të cilën gjykata po e detajon gjykimin, dhe tregon se procesi do të evoluojë. Ndryshimet nuk janë të pazakonta, sidomos në gjykimet penale ndërkombëtare. Para konfirmimit të aktakuzës, prokuroria mund ta ndryshojë aktakuzën në çdo kohë. Pas konfirmimit, prokurorisë i duhet leje për ndryshim nga gjyqtari, dhe i akuzuari të dëgjohet për ndryshimet.

                                        Nacionale:

A do ta vonojë ky ndryshim nisjen e gjykimit. Nëse po, për sa kohë?

                                       Mark Ellis:

Ka shumë mundësi që ky ndryshim i aktaKuzës ta zgjasë procedurën paraprake, pasi shtesat e reja duhet të vlerësohen nga të akuzuarit, avokatët dhe nga gjyqtarët.

                                        Nacionale:

Prokuroria ka kërkuar 8 deri në 10 vjet kohë për zhvillimin e gjykimit në këtë rast. Në praktikat ndërkombëtare, sa është e gjatë kjo periudhë?

                                       Mark Ellis:

Kohëzgjatja e gjykimeve në nivelin ndërkombëtar, është kritika kryesore. Fatkeqësisht një periudhë 8 deri në 10 vjet nuk është e pazakontë për gjykimet penale ndërkombëtare, të cilat janë dukshëm më komplekse se gjykimet e brendshme përfshirë numrin e dëshmitarëve e sasinë e provave. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka përcaktuar katër kritere nëse kohëzgjatja e procedurës është e arsyeshme: kompleksiteti i çështjes, sjellja, kërkesat e autoriteteve dhe interest e tjerë. Megjithatë, në Gjykatën Ndërkombëtare Penale kjo nuk ka ecur aq mirë. Jean Pierre Bemba bëri paraqitjen e parë në Tribunal në vitin 2008. Gjykimi filloi në vitin 2010 dhe zgjati katër vjet. Kaluan dy vite para se gjykata ta shpallte fajtor në vitin 2016. Dy vite të tjera pasi Apeli e shpalli të pafajshëm në vitin 2018. Kështu ai ka qenë në paraburgim për gati një dekadë.

Gjykimi mesatar në Tribunalin Penal për Ish-Jugosllavi në shkallën e parë ishte 176 ditë. Dhoma gjyqësore vendosi se në rastin e Sheshelit, gjykimi që zgjati 13 vjet nuk kishte shkelje pasi ishte çështje komplekse, kishte shumë dëshmitarë, sjellja e palëve dhe natyra e akuzave. Pra, gjykimet ndërkombëtare janë më të vështira për tu ndjekur penalisht.

                                        Nacionale:

Të akuzuarit janë në paraburgim për më shumë se një vit, dhe gjykimi nuk ka nisur. A ka ndonjë shkelje?

                                       Mark Ellis:

Ligji ndërkombëtar për të drejtat e njeriut nuk specifikon një periudhë të lejueshme për paraburgimi. Lirimi i mundshëm duhet t’iu nënshtrohet garancive për paraqitjen në gjykim. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut thekson se “çdo person i arrestuar ka të drejtë të gjykohet brenda një kohe të arsyeshme”. Gjykata ka përcaktuar se paraburgimi duhet të vlerësohet rast pas rasti. Në këtë vlerësim, Gjykata ka marrë parasysh faktorë si serioziteti i veprave penale, dënimet, rreziku i ikjes apo vonesat e ndryshme. Kohëzgjatja e paraburgimit ndërlidhet me të drejtën për gjykim brenda një periudhe të arsyeshme kohore. Edhe këtë, vlerësimet bëhen rast pas rasti. Kompleksiteti i çështje është factor i rëndësishëm, dhe si e tillë vonesat mund të konsiderohen të arsyeshme.

                                        Nacionale:

Në Kosovë ka pasur shumë dilema për ndërhyrjet e mundshme politike në këtë Gjykatë. Cili është qëndrimi juaj për këtë?

                                       Mark Ellis:

Mund të thuhet se çdo gjykim e ka dimensionin e vet politik. Por, kjo nuk do të thotë se drejtësia është mjet politik. Gjykata Speciale operon në një mjedis të vështirë dhe të politizuar. Grupe të ndryshme brenda Kosovës mund të ndjehen të kërcënuar nga Dhomat e Specializuara. Ajo është sulmuar si Gjykatë mono-etnike por edhe më keq. Një studim i kryer në vitin 2017, arriti në përfundim se shumica dërmuese e shqiptarëve e shohin Gjykatën Speciale si gjyktë të padrejtë e cila ndjek vetëm krimet e pretenduara të UÇK-së. Për më tepër, mbrojtja e dëshmitarëve është një nga problemet kryesore, pasi dëshmitarët në të kaluarën u frikësuan të flasin. Sigurimi i dëshmitarëve ka qenë problem duke nisur nga Tribunali në Hagë, UNMIK-u, EULEX-I e gjykatat në Kosovë e Serbi.

Komuniteti ndërkombëtar ka qenë constant në kritikat ndaj Kosovë në lidhje me mbrojtjen e dëshmitarëve. Sipas ish-prokurores Carla Del Ponte, “hetimi ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së ishte më zhgëjyesi pasi ëdshmitarët ishin të frikësuar të flisnin. Ata duhej të transferoheshin në vende të tjera në mënyrë që të pranonin të intervistohe”.

Sipas studimit të përmendur, shqiptarët pajtohen se Ligji për Gjykatën Speciale u miratua nën presionin e ndërkombëtare dhe se ishte imponim i padrejtë. Në fund, Gjykata synon t’i jap fund pandëshkueshmërisë dhe vendosjes së drejtësisë. Nuk duhet harruar fakti se kjo gjykatë u themeluar nga një marrëveshje ndërkombëtare, dhe është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Në këtë kuptim, kjo është më shumë gjykatë e Kosovës.

Tjera nga autori:
1