<b></b> Avokati i Kadri Veselit: Nazim Bllaca ka vdekur

Avokati i Kadri Veselit: Nazim Bllaca ka vdekur

20.05.2022 17:52

Gjatë seancës së sotme, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson ka dhënë një lajm për të cilin deri më sot nuk dihej.

Ai gjatë fjalimit të tij duke treguar për bashkëpunimin e Serbisë me Gjykatën Speciale, përmendi Nazim Bllacën, për të cilin tha se ka vdekur.

"Prokuroria vazhdon të mbështetet tek një dëshmitar, Nazim Bllaca, i cili ka vdekur. Kishte informata që ka qenë aset serb, i paguar nga Serbia", ka thënë Emmerson, transmeton gazeta Nacionale.

Nazim Bllaca, i vetëdeklaruar si pjesëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), ishte bërë shumë i njohur në vitin 2009, kur publikisht kishte deklaruar se ka bërë vrasje për llogari të kësaj organizate. Ky deklarim i tij kishte bërë jehonë të madhe asokohe dhe menjëherë ishte marrë nën mbrojtjen e EULEX-it, si dëshmitar i mbrojtur.

Nazim Bllaca e kishte shpallur veten ish-agjent i SHIK-ut të Kadri Veselit dhe më keq: i një njësie për vrasje që drejtohej nga Azem Syla.

DEKLARATA E NAZIM BLLACËS

Pas deklaratave të tij, ai ishte larguar nën mbrojtje të EULEX-it nga Kosova, pas disa procesve gjyqësore në Kosovë, ku u dënuan dhjetëra persona.

Ben Emmerson në seancë foli edhe për dëshmitarët e tjerë të Prokurorisë.

“Ekzistojnë prova që shërbimet e Serbisë kanë tentuar të korruptojnë dëshminë e cila është paraqitur para Tribunalit të Hagës. Njëri nga dëshmitarët e ka pranuar se dëshmia e tij ishte e rrejshme. Kjo do të ishte një material që do ta diskreditonte çështjen e Prokurorisë. Prokuroria vazhdon të mbështetet te një dëshmitar, Nazim Bllaca, i cili ka vdekur. Kishte informata që ka qenë aset serb, i paguar nga Serbia”, theksoi Ben Emmerson.

Dokumenti që tregon se Nazim Bllaca ishte rekrutuar nga UDB-ja që nga vitit 1997

E avokati i Thaçit në këtë seancë foli për Dick Martyn.

“Raportet dëshmojnë se një numër materialesh janë marrë nga Serbia e që janë shfrytëzuar nga Dick Marty. Është zbuluar përpjekje për të vrarë Dick Martyn. Autoritetet serbe nxorën një kontratë për vrasjen e Martyt për të fajësuar për këtë shqiptarët e Kosovës”, ka thënë Keohe, transmeton Nacionale.

Por, ai nuk është lejuar ta vazhdojë fjalën nga gjyqtari i procedurës paraprake, me arsyetimin se kjo nuk është tema.

“Kur ndodhi ky kërcënim? Pak pasi klientët tanë u sollën këtu në Hagë, nga fundi i 2020, shërbimi sekret zviceran e kanë marrë në mbrojtje Martyn, pra kanosja ka ndodhur”, ka thënë Keohe.

"Flisni për materialet konkrete shfajësuese", ishte ndërhyrja e gjyqtarit.

NAZIM BLLACA ISHTE SPIUN I UDB-SË

Kujtojmë që Kadri Veseli, sa ishte në liri, e kishte mohuar se Bllaca ka qenë pjesë e SHIK-ut. Madje në Gjykatë e nën betim, Veseli deklaronte se Bllaca nuk ka qenë kurrë as anëtar e as nuk ka kryer asnjë shërbim për SHIK-un, transmeton Nacionale.

Dëshmitari juaj as nuk ka qenë kurrë në SHIK e as nuk ka kryer asnjë shërbim për SHIK-un. Ka një dallim mes të qenit anëtar dhe kryerjes së një shërbimi për SHIK-un. Bllaca nuk besoj që e ka kryer as këtë të dytën”, thoshte Veseli nën betim në Gjykatën e EULEX-it.

Por, deklarimin e Emmersonit në seancën gjyqësore rreth vdekjes së Bllacës, ekipa e Veselit po e cilëson si deklaratë të gabuar.

Burimet e Nacionales pranë ekipit të mbrojtjes së Veselit tregojnë se deklarata e Emmerson ka qenë lapsus.

Ai e ka pasur fjalën për një tjetër dëshmitar”, tha ky burim Nacionales. 

Sipas burime të Nacionales, këtë pritet ta sqarojë avokati Emmerson në fund të seancës sot.
 
Tjera nga autori:
1