<b></b> Avokati i Nasim Haradinajt: Jemi të zhgënjyer me dënimin, do ta çojmë në Apel

Avokati i Nasim Haradinajt: Jemi të zhgënjyer me dënimin, do ta çojmë në Apel

18.05.2022 17:31

Toby Cadman, avokat i Nasim Haradinajt, është shprehur i zhgënjyer me dënimin prej 4 vjet e gjysmë për klientin e tij.

Dhomat e Specializuara të Hagës, dënuan sot Haradinajn dhe Hysni Gucatin me nga 4 vjet e gjysmë, për pengim të drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve e pengim të personave në kryerjen e detyrës zyrtare.

Përveç me burgim, ata u dënuan edhe me nga 100 euro gjobë.

Avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman, ekskluzivisht për gazetën Nacionale ka thënë se një vendim të tillë nuk e kanë pritur.

Cadman ka thënë do ta apelojnë vendimin, pasi ta lexojnë aktgjykimin që ka mbi 300 faqe.

“Mund të them se jemi shumë të zhgënjyer me vendimin dhe do ta apelojmë. Ne jemi të detyruar nga kuadri ligjor dhe afatet strikte kohore. Mendimi ynë është se i kemi 30 ditë për të paraqitur qëndrimet tona të apelit, dhe më pas në një periudhë të mëtejshme për të paraqitur dokumentacionin e plotë të ankesës. Afatet janë të shkurtra, por duhet të respektojmë interesin e klientit tonë”, ka thënë Cadman për Nacionalen.

Sipas tij, Prokuroria nuk ka arritur ta vërtetojë çështjen përtej dyshimit të bazuar. Andaj ka thënë se dënimi ishte tejet i lartë.

“Sa i përket dënimit, ne nuk konsiderojmë se prokuroria e ka vërtetuar çështjen e saj përtej dyshimit të arsyeshëm. Për këtë arsye ne synojmë të apelojmë këtë dënim. Ne e konsiderojmë se ka një disproporcion të madh në këtë dënim”, theksoi më tutje Cadman.

“Si avokat unë duhet të kem besimin në këtë proces gjyqësor. Prandaj, ne do të argumentojmë ankesën tonë me forcë, brenda kufijve të ligjit, pasi ta kemi shqyrtuar plotësisht aktgjykimin”, ka përfunduar Toby Cadman për gazetën Nacionale.

Gucati e Haradinaj u dënuan për të gjitha veprat që akuzoheshin, përveç asaj të hakmarrjes, për të cilën Gjykata konstatoi se nuk kishte arritur të vërtetohet.

Vendimi u shpall nga Charles Smith, kryetar i trupit gjykues. I njëjti, gazeta Nacionale ka raportuar se, ishte përfshirë në disa skandale në EULEX. Malcolm Simmons e kishte përfshirë Smithin në kërcënime për dënime politike, sa të dy ishin kolegë në misionine BE-së për sundim të ligjit.

REAGON AVOKATI I GUCATIT

Ndaj vendimit të sotëm, me një deklaratë për media ka reaguar edhe mbrojtja e Hysni Gucatit. Aty thuhet, se dënimi është i tepërt. Avokati i Gucatit ka bërë të ditur se shumë shpejt, rastin do ta adresojnë në Gjykatën e Apelit.

“Në varësi të këtyre ankesave, pasoja e aktgjykimit fajësues dhe e dënimit të shqiptuar është se z. Gucati me gjasë do të ngelet në burg derisa prokuroria të mbyllë rastet e tyre për të gjitha aktakuzat tjera aktualisht në dhomat e specializuara. Është aksiomatike që dënimi duhet të jetë proporcional me sjelljen e të akuzuarit dhe të mos llogaritet me referenca të orareve të rasteve tjera”

“Trupi gjykues deklaroi se vendimi i tyre është vendim i popullit të Kosovës. Populli i Kosovës e di se ku qëndron e vërteta. Populli i Kosovës e njeh historinë e vet. Ne nuk do të lejojmë që të rishkruhet historia. Aktgjykimi i sotëm nuk është fillimi i fundit-ky është vetën fundi i një fillimi”, thuhet në deklaratën e ekipit mbrojtës të Gucatit.

KRENOHET PROKURORI SMITH

Në anën tjetër, me një komunikatë për media ka reaguar edhe prokurori i Specializuar i Hagës, Jack Smith. Ai ka thënë se klima e frikësimit të dëshmitarëve duhet të dënohet.

 “Zyra e Prokurorit të Specializuar do të vazhdojë fuqishëm hetimet dhe ndjekjen penale të të gjitha akteve të frikësimit të dëshmitarëve, hakmarrjes ndaj dëshmitarëve ose pengimit të drejtësisë. Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë mundësinë unike që të japin drejtësi për viktimat sepse ato janë një vend i sigurt ku dëshmitarët mund të flasin hapur për krimet që kanë parë dhe pësuar përpara më shumë se 20 viteve. Frikësimi apo hakmarrja ndaj këtyre viktimave është, sipas mendimit tim, krim shumë i rëndë që godet në zemër aftësinë e këtij institucioni për të dhënë drejtësi dhe sundimin e ligjit. Nëse përpiqeni të frikësoni apo të hakmerreni ndaj dëshmitarëve të kësaj gjykate, unë do të bëj gjithҫka që është në pushtetin tim dhe të sigurohem që ju të dilni përpara drejtësisë.”, thuhet në reagim.

Si Gucati edhe Haradinaj u dënuan me 4 vjet e gjysmë burgim dhe 100 euro gjobë. Dënimi u shpall nga kryegjyqtari, “në emër të popullit të Kosovës”.

Ndaj frazës “në emër të popullit”, pati shumë reagime në rrjete sociale duke shkruar “Jo në emrin tim”.

Tjera nga autori:
1