<b></b> Bombat e rreme po shqetësojnë seriozisht Kosovën

Bombat e rreme po shqetësojnë seriozisht Kosovën

18.05.2022 15:50

Pas lajmeve të rreme, politikanëve të rremë, veteranëve të rremë, ngjarjeve të rreme, Kosova është bërë edhe me alarme të rrejshme për bomba. Pra, bomba të rreme.

Kohëve të fundit, në Kosovë po bëhen shumë alarme për shpërthime në zona të ndryshme të kryeqytetit, Prishtinës.

I fundit i këtij lloji ka ndodhur të mërkurën. Nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se kanë pranuar informatë për një alarm për shpërthime në Shkollën e Mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë se alarmi për bombë ka ardhur përmes postës elektronike dhe policia ka evakuuar nxënësit dhe personelin e shkollës.

Gjithashtu është konfirmuar se alarmi ishte i rrejshëm.

Sot rreth orës 11:00 është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në shkollën ‘Xhevdet Doda’ në Prishtinë. Informacionet e para flasin se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën në atë zonë. Ndërkohë që në një perimetër të caktuar, policia ka evakuuar nxënësit dhe personelin e shkollës. Specialistë të policisë po trajtojnë dhe verifikojnë informatën”, ka thënë Ahmeti.

Raste të tjera të njëjta të alarmeve për shpërthime

Përveç alarmit për shpërthime në Shkollën e Meseme “Xhevdet Doda”, në Prishtinë edhe të martën pati një alarm të njëjtë.

Më 17 maj, Policia e Kosovës pranoi përmes postës elektronike, po ashtu, një alarm për shpërthime në objektin e Rektoratit të Universiteti të Prishtinës, “Hasan Prishtina”.

Rektorati kishte lajmëruar në polici se një e-mail anonim u kishte thënë se ka vendosur bombë në këtë objekt, mirëpo policia nuk ka gjetur asgjë të dyshimtë apo ndonjë mjet shpërthyes në Rektorat.

Rreth orës 16:00 është pranuar informata për dyshime që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Rektoratin e Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Informacionet e para flasin se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën”, thuhet në njoftimin e policisë.

Edhe Stacioni i Autobusëve në Prishtinë ishte cak i alarmeve për shpërthime. Vetëm në këtë objekt u raportuan tre sosh, e të gjitha dolën raportime të rrejshme.

Në të gjitha rastet policia doli në vend të ngjarjes dhe vendosi masat e sigurisë dhe evakuoi qytetarët, por pas kontrollimit, puna në këtë objekt vazhdoi përsëri pa ndonjë shqetësim.

E për shpeshtimin e këtyre rasteve për shpërthime, Nacionale ka biseduar me njohësin e fushës së sigurisë, Drizan Shala.

Shala për Nacionalen ka thënë se autoritetet e sigurisë në vend duhet sa më parë të gjejnë autorët e këtyre alarmeve dhe të shikohen se nga cilat adresa po bëhen këto paralajmërime.

Alarmet në dy ditët e fundit mbi dyshimet që ekzistojnë mjete ekspolozive (bomba) në dy institucione, atë të Rektoratit si dhe në një shkollë në kryeqytet, paraqesin një situatë në të cilën duhet që sa më parë organet e sigurisë të gjejnë autorin/autorët e këtyre mesazheve. Sepse në aspektin e sigurisë, nëse analizohet me vëmendje, mund të vrehet një mozaik tejet interesant që njësitë relevante duhet të merren me këtë, duke shikuar se a kanë lidhje 5 thirrjet për bombë në stacion të autobusëve me dy thirrjet e fundit që kemi hasur këto ditë. Se si janë realizuar këto kërcënime, përmes postës elektronike apo thirrjeve telefonike, nëse është e para, atëherë të vihen në ndjekje përmes krimeve kibernetike. Të lokalizohet se në cilën IP adresë është lidhur e-maili dhe kështu të dihet se kush qëndron dhe çfarë motive mund të këtë autori/autorët e këtyre kërcnimeve”, ka thënë ai.

Më tej, Shala ka ndërlidhur alarmet për bomba në Kosovë me shtetet fqinje, Serbinë dhe Malin e Zi, duke shtuar se autoritetet duhet të shkëmbejnë informacione mes vete, pasi ai dyshon se po bëhet një ‘luftë hibride’.

Në këto ditë të fundit kemi hasur kërcënime të tilla edhe në Malin e Zi, ku është dhënë alarm për bomba në 41 shkolla fillore, gjithashtu edhe në Beograd patëm raste të tilla të ngjashme ku ishin kërcënuar 22 shkolla. Pra, institucionet relevante duhet të shkëmbejnë informacione se mos kanë lidhje veritikale apo horizontale me Kosovën këto veprime në Malin e Zi dhe Serbi, si dhe të shikohet edhe se a po ka kërcënime në ditët dhe javët në vijim, në Maqedoninë e Veriut si dhe në Bosnjë, dhe atëherë nëse kjo ndodh, këtu kemi të bëjmë me dyshime të një lufte speciale hibride, e cila ka për synim krijimin e frikës në të gjitha këto shtete të rajonit të ballkanit”, ka thënë tutje ai.

Shala shtoi se këto janë kërcënime serioze dhe organet e sigurisë duhet t’i sjellin para drejtësisë.

Teksa inxhinieri i Sigurisë Kibernetike, Valton Tahiri, ka thënë se këto alarme për bomba po vijnë nga serverët që gjenden në Kinë dhe Turqi.

Ndërsa në anën tjetër, Policia e Kosovës nuk ka treguar nëse ka intervistues ndonjë të dyshuar për këto alarme të rrejshme.

Gazeta Nacionale ka kërkuar nga policia një përgjigje për këtë çështje, por deri në momentin e publikimi të tekstit gazeta nuk ka marrë ndonjë përgjigje. 

Edhe shtetet fqinje të Kosovës ishin kërcënuar me bomba e shpërthime.

Në Mal të Zi u dha alarm për bombë në 41 shkolla të këtij vendi dhe mesazhi që u dërgua ishte i tmerrshëm.

Në territorin e shkollës janë vendosur shumë bomba. Ne gjithmonë kemi ëndërruar për hakmarrje. Do të marrim hak, do të vijmë në shkollë. Ne do të vrasim këdo. Askush nuk do të mbetet gjallë. I gjithë qyteti do të rrjedhë gjak”, është mesazhi që kanë marrë një numër i madh shkollash fillore në Malin e Zi.

Edhe në Serbi pati kërcënime të tilla.

Alarmi për bombë në Serbi iu dërgua 97 shkollave në Beograd më 17 maj. Po ashtu edhe disa ndërtesa të njohura dhe aeroporte në Serbi morën kërcënime të tilla, e kryeministrja e këtij vendi ka thënë se alarmet për bomba po bëhen për shkak që Serbia nuk ka vendosur sanksione kundër Federatës Ruse për luftën në Ukrainë.

Tjera nga autori:
1