<b></b> Çka është Vettingu – reforma që po vlerësohet e domosdoshme për drejtësinë në Kosovë?

Çka është Vettingu – reforma që po vlerësohet e domosdoshme për drejtësinë në Kosovë?

08.06.2022 16:00

Njëra nga fjalët më të përdorura tash e sa muaj në qeverisjen Kurti II, është Vettingu. Sistemi i drejtësisë pritet t’i nënshtrohet një reforme të thellë, mirëpo për këtë duhen edhe ndryshime kushtetuese, e së pari vendimi i Komisionit të Venecias.

Fjala “vetting” dhe një historik i shkurtër?

Shumë nga ju keni dëgjuar për Vettingun. Për të kanë folur politikanë, opinionistë, e njohës kryesisht të fushës së drejtësisë.

Nga erdhi fjala Vetting?

Sigurisht pak nga ju keni mundur ta mendoni se një fjalë e tillë, në fakt lidhet me kafshët, specifikisht me garat e kuajve që vite më parë kanë qenë tepër të famshme, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pra, Vettingu ishte fillimisht një term i garave me kuaj, duke iu referuar kërkesës që një kalë të kontrollohet për shëndetin dhe atë nga një veteriner përpara se të lejohet të garojë. Kështu, kjo fjalë ka marrë kuptimin e përgjithshëm “të kontrollosh”.

Bëhet fjalë për një tkurrje figurative të vettingut, që e ka origjinën në mesin e shekullit të 17. Shkurtesa e folur daton në vitet 1860; forma foljore e fjalës, që do të thotë "të trajtosh një kafshë", erdhi disa dekada më vonë. Sipas fjalorit anglisht të Oksfordit, përdorimi më i hershëm i njohur është 1891, dhe u zbatua kryesisht në një kontekst të garave me kuaj "Ai kontrolloi hamshorin para garës", "Ti duhet ta verifikosh atë kalë para se të garojë". Pra duhet t’ia bësh vettingun, përpara se të konstatohet se gjithçka është në rregull me kalin garues dhe se gara mund të fillojë.

Nga fillimi i viteve 1900, vettingu kishte filluar të përdorej si sinonim për vlerësimin, veçanërisht në kontekstin e kërkimit të të metave.

Vettingu i sistemit të drejtësisë në Kosovë

Vettingu në kontekstin institucional është një lloj i drejtësisë tranzicionale që bën pjesë në kategorinë e mekanizmave të reformës së personelit.

Në thelb, masat përfshijnë ekzaminimin e individëve në institucione publike, pozicione gjysmë publike dhe/ose pozicione të përcaktuara lirshëm të besimit publik, në mënyrë që të verifikohet se personeli ka integritetin dhe kapacitetin për të përmbushur pozicionet e tyre në një mënyrë që mbështet qëllimet e një qeverie të re.

Individët që u mungojnë kriteret e caktuara të integritetit ose aftësisë, hiqen detyrimisht nga pozicionet e tyre, pengohen të marrin poste të reja, inkurajohen të japin dorëheqje vullnetare nga postet ose të përballen me zbulimin publik të së kaluarës së tyre, ose si alternativë, u kërkohet të rrëfejnë përfshirjen e kaluar si një formë e llogaridhënies. Masat e vettingut supozohet se krijojnë një shkëputje me të kaluarën dhe ofrojnë mundësi për rindërtim dhe pajtim të shtetit dhe shoqërisë.

Vettingu është përdorur në një sërë kontekstesh post-konfliktuale dhe post-autoritare, duke përfshirë reformat e synuara të sektorit të sigurisë, për shembull; në Liberi dhe Bosnje, programet më të gjera të vlerësimit të punonjësve publikë në Greqi dhe El Salvador dhe reformat e personelit të shoqëruara me tregimin e së vërtetës në Republikë Çeke dhe Poloni. Si masë e drejtësisë tranzicionale, vettingu është përdorur zakonisht ndaj strukturës dhe kapacitetit institucional të shteteve dhe mund të miratohet në lidhje me institucionet si gjykatat, prokuroritë, etj.

Për sa i përket qëllimeve, vettingu zakonisht bëhet për të përmirësuar drejtpërdrejt besueshmërinë dhe funksionalitetin e institucioneve të një qeverie të re, dhe në mënyrë indirekte të mbështesin proceset e demokratizimit e të (ri)ndërtimit të shtetit dhe të pajtimit shoqëror.

Vettingu i sistemit të drejtësisë në Kosovë

Nevojën për një reformë të thellë, pra vetting në sitemin e drejtësisë në Kosovë, e kishin evidentuar kohë më parë njohës të kësaj fushe, shoqëria civile, e partitë politike.

Në fakt prej partive politike, Lëvizja Vetëvendosje gjithmonë e ka mbajtur “bajrakun” e kësaj ideje. Këtë e patën përkthyer edhe në premtim të madh parazgjedhor, duke përdorur edhe fraza të ndryshme, kryesisht populiste, si: “Hajnat në Burg”, “Dyzi dymbëdhjetë kat”, “Shkon Lumezi, vjen Elezi”, etj.

E tash kur janë në qeveri, Lëvizja Vetëvendosje konkretisht me anë të ministres së drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë vënë në lëvizje mekanizmat shtetërorë për ta realizuar një reformë të tillë. Ndonëse frazat e lartcekura nuk është se po jetësohen, ndoshta edhe për shkak të kontekstit procedural që një shtet patjetër duhet të u nënshtrohet.

Megjithatë, vettingu në sistemin e drejtësisë tashmë ka marrë rrugë, e pritet së shpejti të marrë edhe formë.

Vettingu me apo pa ndryshime kushtetuese?

Dy amendamente, dhe 17 nene të reja në Kushtetutën e Kosovës. Ky mund të jetë bilanci i ndryshimeve kushtetuese të hartuara nga Ministria e Drejtësisë, në mënyrë që t’i hapet rruga një prej reformave më të thella në sistemin e drejtësisë në Kosovë, vettingut.

Kjo reformë sipas planit të ministrisë që e drejton Albulena Haxhiu, synon të bëjë një vlerësim të performancës, pasurisë dhe integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që aktualisht janë pjesë e sistemit të drejtësisë, dhe atyre që në të ardhmen mësyjnë këto pozita.

Në dy prej neneve të Kushtetutës ku flitet për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, do të shtohet nga një paragraf ku thuhet: “Neglizhenca e rëndë e detyrave përfshin edhe rastet kur prokurori/gjyqtari është vlerësuar me performancë të pamjaftueshme ose është konstatuar se ka pasuri të pajustifikueshme, ose integriteti i tij është cenuar, ose ka kryer shkelje të rëndë disiplonore siç rregullohet me ligj.”

Një vlerësim kalimtar i cili do të zgjasë për një periudhë 5-vjeçare do të bëhet, e të cilit do t’i nënshtrohen prokurorë, gjyqtarë dhe pozita tjera në sistemin e drejtësisë, por që kjo do të përcaktohet me një ligj që do të krijohet më vonë. Ky vlerësim kalimtar mund të vazhdojë edhe për dy vite të tjera, varësisht nëse një gjë e tillë përcaktohet sipas ligjit.

“Vlerësimi i performancës përfshin njohuritë profesionale, aftësinë për arsyetim juridik dhe kompetenca tjera të përcaktuara me ligj. Vlerësimi kalimtar i pasurisë përfshin vlerësimin e deklarimit të pasurisë së subjektit që vlerësohet ose anëtarëve të familjes, duke identifikuar rastet e mospërputhjes mes pasurisë së tij, dhe të ardhurave të tij të ligjshme. Vlerësimi kalimtar i integritetit përfshin vlerësimin e kontakteve të panevojshme që mund të ndikojnë në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive në mënyrë të paanshme dhe objektive nga subjekti në vlerësim, ose kur kjo mund të ndikojë në detyrat dhe përgjegjësitë e tij”, thuhet në 3 prej neneve që synohet të shtohen në Kushtetutën e Kosovës.

Njëra nga reformat më të rëndësishme në sistemin e drejtësisë, pritet të marrë rrugë në fillimin e muajit qershor. Synimet e Ministrisë së Drejtësisë për ta bërë Vettingun, në këtë formë, pra me ndryshime kushtetuese, do të qartësohen nga rekomandimi i Komisionit të Venecias.

Para rekomandimit të madh, zyrtarët nga ky Komision qëndruan në Kosovë e ku takuan liderë institucionalë.

Dy zyrtarë të lartë të Komisionit të Venecias muaj më parë zbarkuan në Kosovë. Grainne McMorrow dhe Schnutz Dürr u takuan me ministren e Drejtësisë, zëvendëskryeministrin Bislimi, kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, e presidenten Vjosa Osmani. Nga të gjithë këta, u morën qëndrimet rreth procesit të Vettingut në sistemin e drejtësisë.

Kujtojmë se për t’u kryer këto ndryshime kushtetuese dhe të jetësohet ky lloj i vettingut, duhen 2/3-at e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që i bie 80 sosh.

Në rast se dështon një strategji e tillë e qeverisë, opsion tjetër mbetet vettingu me ndryshime vetëm në ligje përkatëse, por pa prekur nenet e kushtetutës.


Gazeta Nacionale do t’ju mbajë të informuar për çdo lëvizje në këtë drejtim.

Tjera nga autori:
1