<b></b> Dallaveret me Subvencione – 13 të akuzuarit deklarohen të pafajshëm, njëri e pranon fajësinë

Dallaveret me Subvencione – 13 të akuzuarit deklarohen të pafajshëm, njëri e pranon fajësinë

01.06.2022 11:07

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës është mbajtur seanca fillestare në procesin gjyqësor që ndërlidhet me dallaveret me Subvencione.

13 të akuzuarit në këtë rast u deklaruan të pafajshëm: Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharri, Kushtrim Zogaj, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Salih Kelmendi, Afrim Abazaj e Florim Nimanaj.

Gazetari i Nacionales, Arbër Ramadani, raporton nga Pallati i Drejtësisë se Fuat Morina e ka pranuar fajësinë. Ndaj tij është veçuar procedura, dhe nesër do të shpallet vendimi i gjykatës.

Avokatët e të akuzuarve do të kenë kohë 1 muaj për ta kundërshtuar aktakuzën që është ngritur nga prokurori i rastit, Rafet Halimi.

Disa nga avokatët kanë pasur kritika në lidhje me pajisjen me shkresat e lëndës, por akuza të cilat i ka mohuar prokurori i rastit, Rafet Halimi.

Për keqpërdorimet me dallavere në bujqësi, kishin qenë të akuzuar edhe disa persona të tjerë. Por, në seancën e 13 prillit, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë për 7 nga 21 të akuzuarit në rastin “Subvencionet 1”.

Ndërsa më 19 prill 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”, Alban Bushati, Kastriot Berisha, Bekim Shala, Flamur Zeqiri, Habibe Dauti, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi, duke i dënuar me 6 vite e 1 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Gazeta Nacionale ka raportuar që nga fillimi për dallaveret me Subvencione.

Gati 650 mijë euro subvencione u dhanë me dallavere. Më shumë se 300 mijë prej tyre, i përfituan zyrtarët publikë në kuadër të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë. Për këtë ndiqej një metodë e sofistikuar. Zinxhiri i personave të përfshirë ishte i gjatë. Nga gruri, personave që aplikonin, kultura e mbjellë u ndryshonte në bimë aromatike, në mënyrë që përfitimi të jetë më i madh.

Çfarë kishte ndodhur?

Ishte muaji gusht i vitit 2020, kur Kastriot Berisha nga Peja kishte vendosur të aplikojë për të përfituar një subvencion nga shteti për një parcelë toke që e kishte mbjellë me grurë. Megjithatë, gjatë aplikimit, atij iu ofrua një mundësi. Ta ndryshonte kulturën e mbjellë nga gruri në bimë aromatike. Arsyeja ishte e thjeshtë, ndihmat për kulturat e bimëve aromatike, përkrahen nga shteti me më shumë para sesa gruri.

Që gjithë plani të realizohej u përkujdes Luan Statovci, që ishte drejtor për pagesa në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë. Luani bashkë me vëllain e tij Salihun, do të përkujdeseshin që Kastrioti të pajisej me certifikatën për mbjelljen e bimëve aromatike. Gjithë kjo, në këmbim të 50% të parave, që Kastriot Berisha do t’i merrte nga shteti si subvencion. Marrëveshja u arrit, dhe procedurat po zbatoheshin në përpikëri.

Kjo metodë u përdor shumë shpesh edhe me aplikuesit e tjerë. Në këtë mënyrë, përfitoi edhe aplikuesi Fuat Morina. 109 hektarët e mbjellë me grurë, Fuatit do t’i ktheheshin në bimë aromatike. Kjo po vazhdonte të ishte mënyrë më e mirë për përfitimin e shumave më të mëdha parash. Gjithmonë sipas dosjes së Prokurorisë.

Janë së paku 6 persona që prokuroria i ka evidentuar se kanë përfituar në mënyrën e njëjtë, duke bërë falsifikimin e produkteve që i kanë të mbjella. Kryesisht nga gruri e misri, në bimë mjekësore aromatike, ku sipas Prokurorisë, shuma që merret nga shteti për këto kultura, është dukshëm më e madhe se ajo që merren për të tjerat.

Lidhja e zyrtarëve në nivel komunal me ata në qendër tek Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë ishte mirë e organizuar. Në disa raste madje, zyrtarë të caktuar kyçeshin në sistemet elektronike me emrat e të tjerëve, duke aprovuar plotësimin e kushteve për personat që paraprakisht u kërkonin ryshfet.

Jeton Sylaj si zyrtar për subvencione në Drejtorinë e Bujqësisë në Istog, dyshohet se ka vepruar njëjtë, kur ia ka aprovuar aplikuesit Dukagjin Mavrajt përfitimin e një subvencioni në vlerë prej 15 mijë eurosh.

“Jeton Sylaj duke përdorur userin dhe fjalëkalimin, vendos në sistem aplikimin, edhe pse ka mospërputhje në mes digjitalizimit dhe parcelave, i cili është bërë në një lokacion tjetër, dhe fletat poseduese të tokës kinse të marrë me qira në një tjetër lokacion. Kështu, ai ka vepruar në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare”, thuhet në një nga pikat e aktakuzës.

Tjera nga autori:
1