Dyshime se ministri Liburn Aliu u kompensua si ish-i burgosur politik pa rend - NACIONALE

Dyshime se ministri Liburn Aliu u kompensua si ish-i burgosur politik pa rend

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës [MPHI], Liburn Aliu, në intervistën e dhënë në T7 ka thënë se me paratë që ka fituar si i burgosur politik, ka investuar duke e blerë banesën në lagjen luksoze “Marigona Hill”. Por, marrë parasysh kohën, lindet një tjetër pikëpyetje: a u favorizua Liburn Aliu që t’i merrte më herët paratë?

Të gjithë urrejmë të presim me rend, e si duket edhe ministrit Liburn Aliu nuk i pëlqente të priste në rend për t’i marrë paratë që i takonin si i burgosur politik.

Banesa më e vogël e mundshme aty është 90 e ca metra katrorë, e cila është blerë pasi e kemi zgjidhur çështjen e trashëgimisë në familje dhe e cila trashëgimi ka mbetur banesa në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë. Motra ka dalë trashëgimtare e saj. E ka shitë, e ka qitë në emër të nënës dhe e kemi shfrytëzuar atë mundësi në momentin kur e ka pasur mundësi të merret aty banesa në emër të nanës dhe ka mbetur aty një pjesë e borxhit i cili ka vazhduar të paguhet me këste. Këtu përfshihen edhe paratë për të burgosurit politikë për babën, që i ka marrë familja, dhe përfshihen pastaj paratë të cilat janë marrë si i burgosur politik që më kanë takuar mua në bazë të ligjit. Këto i kemi përfshirë në këto prona, kaq”, kishte thënë ministri Aliu derisa po arsyetohej në lidhje me skandalin e ryshfetit të publikuar nga gazeta Nacionale.

Burime të Nacionales kanë bërë të ditur se Liburn Aliu ka përfituar në mënyrë të parregullt dhe parakohe statutin e të burgosurit politik, ani pse verifikimi dhe kompensimi i tyre ka ndodhur në mënyrë kronologjike sipas vitit të burgosjes duke filluar nga 1945.

Liburn Aliu që ka qenë i burgosur në vitet 1997 e deri më 2001 , dhe është dashur që mjetet financiare t’i marrë në vitin 2021 ose edhe 2022 e jo në vitin 2020 siç ka deklaruar në Anti-Korrupsion (AKK) se i ka marrë.

Sipas rregullores janë tri kategori të cilat kanë pasur përparësi që paratë t’i merrnin edhe pa marrë parasysh prej viteve të burgosjes: a) ish-të dënuarit mbi moshën 80 vjeçare (Liburn Aliu është 47 vjeçar), b) rastet sociale (Aliu ka deklaruar 100 mijë euro të hyra në vitin 2021) dhe c) ata që kanë probleme me shëndet (Aliu nuk ka).

Për më tepër, Komisioni Qeveritar për njohjen e statutit të ish-të Dënuarve dhe ish-të Përndjekurve Politikë, prej pandemisë e këndej thuajse gjatë tërë kohës ka qenë jofunksional, gjë që ka bërë që pagesat të jenë të parealizueshme.

Ndërkohë, në deklarimin e pasurisë për vitin 2021, Aliu ka deklaruar se ka fituar mbi 25 mijë euro nga kompensimi për të burgosurit politikë pasi për një ditë të kaluar në burg, ish-të dënuarit politikë kompensohen me 16.70 euro.

Sqarim shtesë: më datë 09 tetor 2020, më janë lëshuar mjete në vlerë prej 25,350.60€ në emër të kompensimit për të burgosurit politikë”, thuhet në deklarimin e pasurisë.

Nacionale ka provuar që të kontaktonte ministrin Liburn Aliu, mirëpo ai ka qenë i paqasshëm në thirrjet e gazetës.

Në anën tjetër, Berat Luzha, përfaqësues nga Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, nuk ka dashur të prononcohet lidhur me pyetjet e gazetës nëse ka pasur parregullësi gjatë verifikimit.

Ish-i burgosuri në pritje për kompensim

Teksa Aliu e ka kryer këtë punë, të burgosur të tjerë politikë, për shembull ata që kanë qenë të burgosur politik në vitin 1993, ende nuk janë kompensuar.

A.Z. (emër i njohur për redaksinë) ish-i burgosur në vitin 1993, për Nacionalen ka treguar se po pret tash e sa vite për t’u kompensuar. Ai thotë se aplikacionin e ka dërguar para 7 viteve, teksa ende nuk ka pranuar ndonjë konfirmim.

“Aplikacionin e kam dorëzuar para 7 vitesh, edhe hala nuk kam pranuar ndonjë konfirmim”, ka thënë ai.

Edhe shumë ish-të burgosur të tjerë kanë shprehur dyshime se kompensimet u janë lëshuar pa rend personave të fuqishëm politikisht.

3 mijë e 959 të burgosur politikë u kompensuan

Zyrtarja e Komisionit Qeveritar për njohjen e statutit të ish-të Dënuarve dhe ish-të Përndjekurve Politikë, Naime Maçastena-Sherifi, për Nacionalen ka treguar se deri më tani janë kompensuar 3 mijë e 959 përfitues teksa kanë aplikuar rreth 11 mijë persona.

Deri më tani afër 4 mijë përfitues buxhetit të shtetit i kanë kushtuar 59 milionë euro, ndërkaq për vitin 2022 janë ndarë edhe mbi 5 milionë euro për kompensimin e të dënuarve politikë. Ndërsa vetëm në këtë vit janë kompensuar 236 aplikues me vlerë prej 1 milionë e 448 mijë euro.

Maçastena-Sherifi po ashtu ka thënë se Komisoni në vazhdimësi është ballafaqur me ndërprerje të punës, e cila ka vështirësuar kompensimin e të burgosurve. Bile bash në kohën kur është kompensuar Aliu, del se komisioni nuk ka mundur të kryejë pagesa.

Jo një kohë, por ka pasur shumë herë pauza, dy-tri pauza i ka pasë. Ndoshta 8 muaj, 10 muaj ka pasë raste që ka pauzu. Në vitin 2020 për shkak të pandemisë kemi punu, po me restriksione, dhe nuk kemi pasë komision deri në gusht, tani prej gushtit deri në shkurt e kanë formu një komision edhe atij apet i ka dalë afati deri në gusht, ne kemi punu, por pagesa nuk kemi mujtë me ba për shkak se komisoni s’ka qenë i formuar. S’kemi mundësi ligjore me pagu kërkon”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se procesi ka qenë krejt në rregull.

Jo jo, procesi i verifikimi krejt në rregull, absolutisht. Në mënyrë shumë strikte. Ne i thirrim njerëzit ku janë e ku s’janë për me i thirrë me i plotësu. I ki letrat, e vlerëson komisioni”, ka thënë ajo.

Mirëpo, ka pasur edhe lëshime dhe jo gjithçka ka shkuar në mënyrë si është e paraparë me rregullore.

Në mënyrë kronologjike janë pagu, prej fillimit, u është dhënë përparësi të burgosurove të gjallë që i kanë pasë 50-60 vjet. Strikt, strikt krejt nuk janë të bone, ki rast është i burgosur në vitin 1988 po është pagu tash sepse është lajmëru tash sepse nuk i ka pru dokumentet. Ai ka apliku por ka pasë mungesë të dokumenteve... nuk janë krejt strikt të ndame, mirëpo një kronologji përcillet, është përcjellë tanë kohën një kronologji e pagesave. Ashtu e thotë edhe rregullorja që duhet të përcillet kronologjia”, ka thënë ajo.

Derisa ka mohuar që ka pasur parregullsi në rastin e Liburn Aliut, megjithëse nuk ka treguar se kur janë kompensuar ata që kanë nisur burgimin në vitin 1997.

Kujtojmë se VV dhe vetë Aliu kanë qenë ndër zërat kritikë ndaj keqpërdorimeve që janë bërë në vend.

Aliu kishte qenë i dënuar me 10 vjet, ndërsa ka vuajtur dënimin me burg prej 4 vitesh e dy muajsh.

*Nacionale ka kërkuar dokumentacionin nga Ministria e Financave për të gjithë ish-të burgosurit politikë të kompensuar.

Lajme të ngjashme