<b></b> E konfirmon Kryeprokurori: Kanë nisur hetimet për aferën korruptive në Ministrinë e Liburn Aliut

E konfirmon Kryeprokurori: Kanë nisur hetimet për aferën korruptive në Ministrinë e Liburn Aliut

02.06.2022 12:03

Një ditë pasi gazeta Nacionale raportoi për aferën korruptive në Ministrinë e Infrastrukturës, kanë nisur hetimet nga Prokuroria e Shtetit.

Këtë për gazetën Nacionale e ka konfirmuar ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

“Ju njoftoj se lidhur me rastin, prokurori i shtetit ka filluar procedurën për verifikimin dhe hetimin e pretendimeve të ngritura”, ka thënë Kelmendi për gazetën Nacionale.

Se do të nisin hetimet, Nacionale mësoi edhe nga burimet pranë Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Në anën tjetër, edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi ka kërkuar që Prokuroria të nisë hetime, në një proces të pavarur e të paanshëm.

“Publikime të tilla do të duhej të merrnin vëmendjen e institucioneve kompetente për të ushtruar kompetencat dhe përgjegjësitë që ua cakton ligji. Përderisa, është detyrë dhe obligim i Prokurorit të Shtetit që përmes një procesi të pavarur, të drejtë dhe të paanshëm të hetojë këtë rast për të zbardhur të vërtetën. Incizimet e publikuara dje qartazi përbëjnë dyshim të arsyeshëm për të filluar hetimet lidhur me këtë rast”, ka thënë Gzim Shala nga IKD për gazetën Nacionale.

Sipas Shalës, ligjërisht personat e përfshirë prezumohen të pafajshëm. Por që marrja e masave në aspektin politik, është e domosdoshme.

“Përderisa, në aspektin juridik, personat e përfshirë në këto incizime konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të organeve të drejtësisë, në aspektin politik, etika dhe morali i një qeverie nuk mund ta durojë që personat e përfshirë në incizim të mos kenë asnjë pasojë edhe në këtë fazë”, theksoi Gzim Shala nga IKD-ja.

Skandali korruptiv në Ministrinë e Infrastrukturës

Një skandal të madh e nxori në publik dje gazeta Nacionale. Nëpërmjet emisionit Ditari i Buzhalës, u publikuan përgjime të cilat dëshmojnë ryshfetin e korrupsionin në Ministrinë e Infrastrukturës që drejtohet nga Liburn Aliu. Një lidhje në gjithë këtë aferë, doli se e ka edhe këshilltari i Aliut, Florent Ramqaj. Përgjimet tregonin duke bërë pazar dajtë e Ramqajt. “20 qetash, 10 mijë ma vonë”.

Është fjala për kompaninë e quajtur “Infratek”, në të cilën kishte punuar këshilltari i Liburn Aliut. Dhe, madje jo veç që kishte punuar, por edhe kishte lidhje familjare me pronarët. Ata ishin dajtë e tij.

Emri i këtij këshilltari është Florent Ramqaj. Emri i ministrit është Liburn Aliu. Emri i dajës është Halil Jahaj. Mbiemri i ministrisë është “e Infrastrukturës”. Shuma e ryshfetit? Eh, këtu ju lusim që të mbani frymën: bëhet fjalë për 30 mijë euro. Pra, bëhet fjalë për 20 mijë euro që jepen një herë, e 10 mijë të tjera më vonë.

Kompania e dajës së Vetëvendosjes – siç quhej Halili nga aktivisti i shquar i partisë së Kurtit, Pajtim Demaj – kishte për detyrë që të shkruante raportin për punët e kryera nga kompanitë e caktuara. Dhe, në vend se të kryente punën siç e parashikonte ligji, përfaqësuesi i kompanisë dëgjohet duke keqpërdorur detyrën zyrtare, pra pushtetin, për të marrë përfitime financiare.

Në muajt e fundit pas ardhjes në pushtet, mediet raportuan për shtëpinë e Liburn Aliut në Lagjen Marigona, dhe e cila nuk përkonte me imazhet e politikanit që avokonte për varfërinë dhe për mjerimin.

Por, emri i Liburn Aliut përmendet edhe në këto përgjime. “E ka jaran Liburnin”, thotë në një sekuencë përfaqësuesi i Infratek-ut duke e mbështetur kërkesën për ryshfet – e cila në një moment shndërrohet edhe në kërcënim – ndaj viktimës.

Tjera nga autori:
1