<b></b> E konfirmuar: Sekretarja e Zvicrës vjen në Kosovë, temë edhe Dick Marty

E konfirmuar: Sekretarja e Zvicrës vjen në Kosovë, temë edhe Dick Marty

08.06.2022 13:35

Në fund të muajit qershor, në Kosovë pritet të qëndrojë një personalitet i rëndësishëm. Sekretarja e shtetit të Zvicrës, Livia Leu, do të qëndrojë në Prishtinë, në një takim që po vlerësohet i rregullt.

Lajmin për gazetën Nacionale e kanë konfirmuar nga zyra për punë të jashtme në Qeverinë e Zvicrës. Në një përgjigje me shkrim, ata kanë njoftuar se vizita do të shfrytëzohet për diskutime politike.

“Sekretarja zvicerane e shtetit, Livia Leu, do të udhëtojë në Beograd dhe Prishtinë për bisedime politike në fund të qershorit”, thuhet fillimisht në përgjigjen e zyrës për punë të jashtme.

Megjithatë, temë diskutimi nuk do të jenë vetëm temat politike. Kjo vizitë vjen pak javë pas kërcënimit ndaj ish-senatorit zviceran, Dick Marty, i cili po ruhet 24 orë nga Policia e Zvicrës.

Kërcënimi dyshohet se ka ardhur nga intelegjenca serbe, me qëllim për ta fajësuar Kosovën, pak ditë pasi ishte arrestuar Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

Nga Qeveria e Zvicrës nuk janë përgjigjur konkretisht nëse kjo do të jetë temë, megjithatë e kanë lënë të hapur mundësinë që do të diskutohen të gjitha çështjet me interes të përbashkët.

“Bisedimet e parapara janë pjesë e diskutimeve të rregullta dypalëshe, të cilat zhvillohen në nivele të ndryshme. Këto kontakte sigurisht që lejojnë që të diskutohen çështje të ndryshme me interes të përbashkët”, thuhet në përgjigjen për gazetën Nacionale.

Dick Marty kishte qenë hartues i raportit ku UÇK-ja akuzohej për trafikim organesh. Si rezultat, erdhi deri te krijimi i Dhomave të Specializuara me seli në Hagë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte bërë të ditur se ka nisur komunikimet me institucionet e sigurisë së Kosovës dhe ato të Zvicrës, për të kuptuar më shumë detaje. Por diçka konkrete nuk dihet ende të ketë ndodhur mes dy shteteve, të paktën zyrtarisht.

Në anën tjetër, Zvicra ka konfirmuar se po mban kontakte me Qeverinë e Serbisë. Përderisa Dick Marty vazhdon të ruhet në masa të rrepta të sigurisë nga Policia Zvicerane.

Rikthimi i Dick Martyt

Dick Marty u rikthye prapë në skenë, pasi thuajse ishte harruar për disa, e disa të tjerëve ende u bie ndërmend emri i tij.

Marty tash së fundi ka bërë të ditur se po kërcënohet nga shërbimi sekret serb, të cilët kanë provuar ta vrasin e për një gjë të tillë t’i lënë fajin Kosovës.

Në emisionin “Mise au Point”, në Radiotelevizionin e Zvicrës tek kanali “RTS 1”, Marty kishte thënë se ishte habitur se nuk ishin shqiptarët ata që planifikuan vrasjen e tij, meqë supozohej se ata do kishin një arsye, por në fakt ishin serbët që ia donin vdekjen.

Që nga dhjetori 2020, Dick Marty është vendosur nën mbrojtje shumë të lartë policore. Ai kërcënohej me vdekje nga elemente radikale të shërbimeve të inteligjencës serbe.

“Me 18 dhjetor 2020, kam pranuar një telefonatë nga policia që më informonin se isha kërcënuar me vdekje dhe më vendosën menjëherë në mbrojtje të lartë të policisë”, ka thënë Marty.

Madje policia i kishin thënë se ai është në rrezik të shkallës së pestë, shkalla më e lartë e rrezikut, prandaj i ishte ofruar ndryshim i identitetit dhe adresës.

“Shkalla pesë nënkupton që të zhdukesh, por unë s’mund ta bëja këtë”, thotë Marty, “prandaj, kemi qëndruar në shkallën katër deri më tani”, shtoi ai.

Marty ka folur përsëri për kërcënimet që i bën atij ku ka dhënë më shumë detaje.

“Elementi që ka shpërthyer këtë skenar cinik dhe pervers nga disa ekstremistë nacionalistë serbë, është pikërisht ngritja e aktakuzës ndaj Thaçit, të cilit i është dashur të japë dorëheqje.

Në fakt, ka një koinçidencë absolute mes kërcënimeve ndaj meje dhe ngritjes së aktakuzës ndaj eprorëve të UÇK-së, që s’ka të bëjë asgjë me mua, edhe pse është e vërtetë që unë kam qenë ai që ka nxitur këtë proces, por në vitin 2010”, ka thënë ai ndër të tjera.

Skenari i Serbisë

Pas intervistës së dhënë për transmetuesin publik zviceran ku bëri këto pretendime, Marty – që ndodhet nën mbrojtje maksimale nga njësitë speciale të shtetit të tij – është rishfaqur në publik.

Në një podcast për RSI-në, Marty ka folur sërish mbi akuzat të cilat i ka shtruar kundër shtetit serb.

“Urrejtja që është ndjellë ndaj meje, më ka bërë që të jem pikë e shënjestrës. Kjo është shfrytëzuar në një mënyrë absolutisht cinike dhe perverse nga një pjesë e elementeve radikale nacionaliste serbe, që pjesërisht zënë vend në shërbimet sekrete dhe institucionet serbe – për t’i diskredituar kosovarët duke eliminuar Martyn, ngase të gjithë do të besonin që kosovarët do ta kishin kryer atë akt, pas 11 vitesh fushatë kundër meje”, u shpreh z. Marty kur iu kërkua të fliste sërish për akuzat e bëra.

Ish-senatori është shprehur se ka paralajmëruar Zvicrën që një vit që të përgatiste terrenin për reagim publik.

“Që para një viti i kam paralajmëruar autoritetet zvicerane që ta përgatisnin terrenin se si do të reagonin publikisht, sepse herët apo vonë e dija që do të shpërndahej në media. Kemi pasur në shtëpinë tonë për katër muaj të tërë forcat e rendit nga të gjitha ekipet e mundshme, përfshirë ato të Inteligjencës”, tha më tej ai, përkthen në shqip gazeta Nacionale.

Elementi që ka shpërthyer këtë skenar cinik dhe pervers nga disa ekstremistë nacionalistë serbë është pikërisht ngritja e aktakuzës ndaj Thaçit, të cilit i është dashur të japë dorëheqje.

“Në fakt, ka një koinçidencë absolute mes kërcënimeve ndaj meje dhe ngritjes së aktakuzës ndaj eprorëve të UÇK-së, që s’ka të bëjë asgjë me mua, edhe pse është e vërtetë që unë kam qenë ai që ka nxitur këtë proces, por në vitin 2010.”

Marty jep, po ashtu në këtë bisedë, edhe një ide të çuditshme – ndoshta pa dashje – se ajo që ka pasur për të thënë mund të jetë përpjekje për të heshtur të vërtetën e papërshtatshme për Serbinë.

“Rasti shkon përtej emrit tim të përveçëm. Sipas meje, gjithandej, edhe nëpër demokracitë e konsoliduara, po lind një lëvizje që dëshiron t’i heshtë ata zëra që vënë në spikamë të vërtetat e papërshtatshme”, përfundonte Dick Marty.

Tjera nga autori:
1