<b></b> Gjashtë sulmet ndaj Policisë në veri – ende asnjë i dyshuar, hetimet mbesin sekret

Gjashtë sulmet ndaj Policisë në veri – ende asnjë i dyshuar, hetimet mbesin sekret

07.06.2022 15:13

Granata, armë zjarri, plumba, iriqë metalikë, gurë, mjete piroteknike. E tërë kjo “artileri” u përdor në drejtim të Policisë së Kosovës. Nga 13 deri më 26 prill, Policia e Kosovës u sulmua gjashtë herë në veri të Mitrovicës.

Kur kanë kaluar 1 muaj e gjysmë nga këto sulme sporadike ndaj pjesëtarëve të policisë në veri të vendit, ende nuk ka asnjë të arrestuar. Madje për këtë çështje, nuk është dhënë asnjë informacion zyrtar. As nga erdhën sulmet, e as kush i bëri ato.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar me Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, për të pyetur nëse prokuroria ka ndërmarë hapa konkretë në lidhje me këtë rast. I shkurtër ishte Isufaj në përgjigjen e tij.

Atë që mund ta konfirmoj është se jemi duke i trajtu të gjitha këto raste, sulme që ndodhën në veri. Jemi në fazën e hetimeve, dhe po e trajtojmë sikur çdo rast tjetër”, ka thënë Isufaj.

Por, kush mund t’i ketë organizuar këto sulme?

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka thënë se këto sulme drejt policisë në veri ishin të organizuara dhe se prapa tyre qëndron Milan Radojçiq.

Në lidhje me sulmet drejtuar Policise se Kosovës në veri të vendit, mund të themi se ato sulme ishin të organizuara nga grupet kriminale të Milan Radojçiqit i cili ka mbështetjen dhe përkrahjen politike nga Beogradi dhe qeveria atje. Organet e rendit kanë marrë veprime konkrete në parandalimin e veprimeve kriminale në atë pjese, duke mbyllur rrugët alternative që kanë shërbyer këtyre grupeve”, ka thënë Shala për Nacionalen.

Kurse sa i përket aspektit operativ të policisë, Shala tha se policët e sulmuar u treguan profesionistë, duke mos lënë hapësirë që gjendja të eskalojë më shumë. Gjithashtu ai fton organet gjegjëse për kujdes, duke marrë masa preventive

Në asepektin e sigurisë, këto sulme kanë dëshmuar që Policia është treguar profesionale në këtë pjesë, duke mos cenuar dhe rrezikuar sigurinë e përgjithshme, por duke marrë veprime konkrete hetimore. Duhet të kihet kujdes që këso raste të mos përsëriten, gjithmonë duke marrë masa preventive, prej organeve të sigurisë”, ka deklaruar Shala.

Çfarë ndodhi?

Një aksion kundër kontrabandës në veri të vendit, i ndërmarë nga policia, që fillimisht rezultoi me gjashtë persona të arrestuar, u bë më pas mollë sherri, në mes policisë dhe qytetarëve serbë që jetojnë në atë pjesë.

Aksioni që zgjati disa ditë, filloi të pengohej në mënyrë të organizuar nga serbët e veriut, të cilët dolën në rrugë me qëllim bllokimin e këtij aksioni.

E me qëllim të njëjtë, por me forma shumë më radikale, aksioni i policisë në veri u pengua nga persona, për të cilët publiku ende nuk di asgjë, përveçse u tha që disa nga të shtënat mund të kenë ardhur nga shteti i Serbisë.

Reagimet të shumta publike në lidhje me rastin

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, menjëherë pas sulmit të gjashtë ndaj policisë në veri, datën e 26 prillit, doli në konferencë për medie, duke treguar atë që ndodhi si dhe duke bërë me dije se do të hetohet e do të ketë angazhim konkret në gjetjen e autorëve të këtyre sulmeve. Sveçla pak kohë pas sulmit raportoi gjithashtu në Komisionin për Çështje të Mbrojtjes dhe Sigurisë, ku evidentoi pasigurinë, që shkaktuan këto sulme te qytetarët në veri të vendit.

Është e vërtetë që sulmet ndaj Policisë së Kosovës kanë sjellë një ndjenjë pasigurie te qytetarët atje. Angazhimi i suksesshëm i Policisë së Kosovës ka bërë që të kemi një situatë stabile. Policia në çdo cep të Kosovës është për të mbrojtur ligjshmëri dhe për të siguruar qytetarët pa kurrfarë dallimi. Policia  e Kosovës ballafaqohet me vështirësi që janë të mëdha, shumë shpesh të paarsyeshme, por ne po bëjmë çdo gjë që është e mundshme që ato t’i tejkalojmë”, kishte thënë Sveçla.

Gjithashtu edhe KFOR-i reagoi, duke ofruar mbështetje për Policinë e Kosovës nëse ajo do të ishte e nevojshme.

Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO dënon ashpër sulmet e fundit kundër pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Ne konfirmojmë gatishmërinë tonë për të mbështetur Policinë e Kosovës, nëse është e nevojshme dhe kërkohet. Ne presim që të gjitha palët të veprojnë me përgjegjësi dhe në mënyrë konstruktive, dhe të përmbahen nga veprimet që mund të përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet, të ndikojnë negativisht në sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin në të gjithë rajonin”, thuhej në komunikatën e KFOR-it.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pati dënuar fuqishëm një akt të tillë duke e quajtur të pajustifikueshëm.

Ambasada e SHBA-së është thellësisht e shqetësuar nga raportimet për të shtëna me armë zjarri dhe hedhje gurësh ndaj zyrtarëve kosovarë të zbatimit të ligjit pranë Zubin Potokut. Ne e dënojmë fuqishëm këtë dhunë të mjerueshme, të pajustifikueshme”, thuhej në reagimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë.

E reagim krejt te kundërt patën nga Lista Serbe, parti kjo parlamentare në Kosovë.

Ky incident [sulmi i 26 prillit] ka për qëllim destabilizimin e situatës, por është edhe tentim për t’i paraqitur serbët si banditë - gjë që nuk është e vërtetë”, thuhej në një komunikatë të Listës Serbe.

Kujtojmë që rajoni i Mitrovicës së Veriut ka qenë për një kohë të gjatë vatër e tensioneve dhe destabilizimeve.

Kohëve të fundit është shtuar intensiteti i pranisë së policisë së Kosovës atje, mirëpo bashkë me të janë shtuar edhe rreziqet që një situatë e tillë të përdoret nga strukturat kriminale që veprojnë atje.

Tjera nga autori:
1