<b></b> Gjykatat e bllokuan, faturat ende me të shtrenjtën – cila është zgjidhja?

Gjykatat e bllokuan, faturat ende me të shtrenjtën – cila është zgjidhja?

28.05.2022 23:50

Si asnjëherë më parë, institucionet e Kosovës, gjenden në një situatë krejt të pazakontë. Të zbatohet ligji apo të mbrohet një vendim me arsyetimin e një krize energjetike.

Në njërën anë e kemi një vendim të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, për rritje të çmimit të rrymës, me arsyetimin e mbrojtjes nga kriza energjetike e ekonomike dhe në anën tjetër një vendim gjykate që e bllokon përkohshëm këtë rritje.

Edhe pse vendimi i gjykatës së shkallës së parë, u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit, ZRrE, vazhdon të mos e respektojë këtë vendim, nën arsyetimin se po të zvogëlohen tarifat prishet struktura ekonomike dhe futemi në krizë. Si rezultat, ata kanë kërkuar sqarime shtesë si të veprohet tutje.

Për juristin Anton Nrecaj, nuk ka asnjë dyshim, vendimi i gjykatës duhet të respektohet.

Ai i ka thënë Nacionales, se pala paditëse, në këtë rast PDK, duhet t’i drejtohet sërish gjykatës, që t’i kërkojë zbatimin e vendimit.

“Partia Demokratike e Kosovës që ka iniciuar padi në Gjykatë ndaj ZRrE-së, duhet t’i drejtohet gjykatës, që i njëjti vendim i gjykatës nuk po respektohet. Mbi bazën e kësaj, gjykata duhet të marrë aktvendim, me anë të të cilit ia bllokon të gjitha llogaritë ZRrE-së”, tha fillimisht ai.

Tutje, Nrecaj ka shpjeguar se mosrespektimi i vendimit të gjykatës, përbën edhe shkelje të të drejtave të njeriut.

Pezullimi nënkupton që në momentin kur Gjykata e nxjerrë një vendim të tillë, gjithçka stopohet. Pas vendimit të gjykatës , kjo formë e pagesës së tarifës, nuk guxon në anjë formë të vazhdojë. Derisa nuk kemi një Aktgjykim përfundimtar të gjykatës, kjo nënkupton që ZRrE duhet patjetër ta respektojë vendimin e tanishëm për pezullim. Nëse vazhdon ZRrE të mos e përfillë këtë vendim, atëherë qytetarët duhet të bëjnë ankesë përsonalisht në ZRrE, duke ia bërë me dije asaj se tarifat e reja, bien ndesh me vendimin e gjykatës”, ka deklaruar Nrecaj.

Rritja e çmimit, arsyetimet, mbështetësit

Kriza energjetike e vuri Kosovën para një dileme të zgjidhjes së saj, me dy alternativa të propozuara.

Sipas qeverisë dhe bordit përgjegjës për këtë punë, pra ZRrE-së, ekzistojnë dy mënyra se si dilet nga kjo krizë. E para, që u provua për një kohë të shkurtër, ishte reduktimi i furnizimit me energji për qytetarët. Dhe e dyta, që po vazhdon të zbahtohet, është rritja e çmimit të rrymës.

ZRrE së bashku me qeverinë, e panë këtë masë, si më të përshtatshmen, për shpëtim nga kriza që kaploi vendin.

“S’ka zgjidhje të lehtë, pasi kriza është e rëndë”, kishte thënë kryeministri Kurti në kuvend.

Madje qeveria, këtë masë e mbështeti edhe me ndarjen e 100 milionë eurove, për ta subvencionuar faturën e rritur.

ZRrE-së së fundi në mbrojtje i ka dalë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili në një raport për Kosovën ka theksuar se rritja e çmimit të rrymës ka qenë politikë e duhur. Duke shtuar gjithashtu se anulimi i rritjes së tarifës do të përbënte barrë serioze për buxhetin.

“Rritja e tarifave të energjisë elektrike në muajin shkurt për të reflektuar faturën më të madhe të importit të energjisë elektrike, së bashku me zbatimin e subvencioneve të energjisë elektrike për rreth 20 për qind të ekonomive familjare, ishin gjithashtu lëvizje të duhura të politikave. Anulimi i rritjes së tarifës do të çonte në deficit më të madh të llogarisë rrjedhëse dhe do të përbënte barrë serioze për buxhetin”, thuhet në raportin e FMN-së.

Kundërshtimi i rritjes së çmimit – pezullimi i rritjes nga gjykata

Konferenca për medie, aksione e protesta, ishin forma fillestare e reagimit qytetar ndaj rritjes së çmimit të rrymës.

Parti politike, organizata joqeveritare, grupacione të ndryshme e individë, kundërshtuan në forma të ndryshme këtë vendim.

Por, e gjitha kjo thuhej se nuk ishte e mjaftueshme për të ndryshuar vendimi i Zyrës së Rregullatorit. Për këtë duhej një proces ligjërisht i pranueshëm. Partia Demokratike e Kosovës e mori përsipër këtë proces, duke dorëzuar padi në gjykatë, kundër ZRrE-së.

Më 9 prill, gjykata i vuri masë të përkohëshme vendimit të ZRrE-së, deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

“Shtyhet ekzekutimi i vendimit Nr.077/22 i datës 09.02.2022 i publikuar më datë 16.02.2022 i të paditurës Zyra e Rregullatorit për Energji me seli në Prishtinë derisa gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor me padinë e paditëses”, thuhej në vendimin e Gjykatës Themelore.

E masa e përkohshme ka për qëllim që të mbrohen të drejtat dhe interesat e palëve në rastet pranë gjykatave, duke parandaluar që të ndodhin humbje apo dëme të pariparueshme, para se gjykata të marrë vendim përfundimtar mbi meritat e padisë.

Faturat erdhën, vendimi i gjykatës nuk u zbatua, e ZRrE vazhdon ta mbrojë vendimin e saj.

Nuk dihet se sa do të zgjasë kjo amulli, apo për konsekuencat që do të krijohen. Vetëm një gjë po vazhdon: qytetarët po i paguajnë ende faturat me tarifa të shtrenjta.

Tjera nga autori:
1