<b></b> Kompensimi i viktimave në rastin Mustafa – Ministria e Drejtësisë i përgjigjet sërish Speciales

Kompensimi i viktimave në rastin Mustafa – Ministria e Drejtësisë i përgjigjet sërish Speciales

13.05.2022 15:11

Çështja e kompensimit të viktimave në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës në Gjykatën Speciale, vazhdon të jetë temë e një komunikimi ndërmjet trupit gjykues e Ministrisë së Drejtësisë. Pasi përgjigjet e para të ministrisë së Albulena Haxhiut nuk i hynë në punë Gjykatës, MD-ja ka dërguar sërish përgjigje të tjera.

Në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë për trupin gjykues në rastin e Calit, janë ofruar kapacitetet që i ka Kosova në lidhje me kompensimin e viktimave, ruajtjen e anonimitetit, krijimi i ndonjë fondi të veçantë, etj. Gazeta Nacionale ka parë këto përgjigje të Ministrisë së Drejtësisë, ku jepen detaje se si kanë mundësi ta bëjnë kompensimin e këtyre viktimave, nëse Mustafa del fajtor.

Njëra nga pyetjet më të rëndësishme ishte nëse Kosova mund të krijojë ndonjë fond për kompensimin e viktimave, në të cilin zyrtarët e Gjykatës do të mund të aplikonin për kompensim, në mënyrë që të ruhej konfidencialiteti.

Ministria e Drejtësisë e ka pranuar se një gjë e tillë nuk parashihet me rregullim ligjor, por që e kanë lënë të hapur mundësinë se një gjë e tillë mund të krijohet nga Kuvendi i Kosovës.

“Aktualisht nuk kemi një rregullim të tillë ligjor, por mundësia e themelimit të një fondi të veçantë dhe të një rregulloreje të veçantë mbi bazën e së cilës do të aplikohej kjo procedurë, është gjithmonë relative, përmes dhënies së autorizimit ligjor në një ligj ekzistues. Pra, organi legjislativ, nëse ekziston një vullnet i tillë, mund të themelojë fonde të veçanta dhe të aplikojë rregullore të veçantë për zbatimin e realizimit të kërkesave për dëmshpërblim nga ai fond, përmes një kornize ligjore. Ndërsa, organet ekzekutive, mund t’i themelojnë këto fonde vetëm nëse kanë një bazë të caktuar në një ligj të veçantë, siç është rasti i financimit të mbrojtësve të akuzuar pranë Dhomave të Specializuara, që bëhet përmes Ligjit për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare për të akuzuarit potencialë pranë Dhomave të Specializuara. Ndërsa, si mekanizëm përkatës për të shqyrtuar kërkesat për kompensim është Komisioni Qeveritar për Kompensimin e Viktimave të Krimit, i cili nuk ka diskrecion të refuzojë një kërkesë kur ajo i plotëson kushtet ligjore”, theksohet në përgjigje.

“Viktimat e krimit, duke përfshirë edhe viktimat nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara, mund të përfitojnë kompensimin nga Fondi i Kompensimit të Viktimave në Kosovë, vetëm pasi që fillimisht të kërkojnë dëmshpërblim nga i akuzuari, dhe në rast kur nuk mund të vërtetohet se i akuzuari mund të ofrojë dëmshpërblimin pjesërisht apo tërësisht për viktimën. Nëse gjykata (kolegji), nuk mund të urdhërojë kompensimin nga i pandehuri për shkak të rrethanave të përcaktuara në Ligj, i dëmtuari ka të drejtë që të kërkojë nga gjykata që ta dërgojë urdhrin për kompensim te koordinatori i Fondit për Kompensimin e Viktimave. Veprat penale për të cilat mund të kompensohen apo të përfitojnë për dëmshpërblim, procedura për realizimin e kompensimit apo dëmshpërblimit, kushtet dhe kriteret për kompensim janë të përcaktuara me legjislacionin përkatës në fuqi për kompensimin e viktimave të krimit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë për Gjykatën Speciale.

Gjykata Speciale ka pyetur Ministrinë e Drejtësisë nëse kompensimi ndaj një viktime eventuale, mund të mbetet anonim.

“Anonimiteti është pjesë integrale e kornizës ligjore të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, dhe si i tillë gjen vend dhe zbatim në dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Kosovës. Edhe pse nuk është cekur taksativisht në raste të tilla, konsiderojmë dhe vlerësojmë se kompensimi i viktimave nën juridiksionin e Dhomave të Specializura, pas lëshimit të urdhrit për kompensim, nëse është e arsyeshme për çfarëdo rrethane eventuale të krijuar që do të ndikonte në dinjitetin e viktimës së krimit, mund të mbetet anonim, por vetëm përtej personave kompetentë që merren me administrimin dhe ekzekutimin e kërkesës për kompensim. Me këtë rast, bëjmë me dije se anonimiteti vjen në shprehje në të gjitha rastet e tjera, përveç gjatë trajtimit dhe administrimit të lëndës nga personat kompetentë”, thuhet më tutje në përgjigjen e MD-së.

Por, a mund të aplikojë administratori për kompensim, nëse shpallet fajtor në fund Salih Mustafa? Kjo ishte përgjigja e Ministrisë së Drejtësisë: “Është në diskrecionin e viktimës së krimit për t’i dhënë besimin personit fizik apo juridik për ta përfaqësuar në procedura të tilla dhe është detyrim i të autorizuarit që të ruajë anonimitetin e viktimës dhe konfidencialitetin e informatave, veçanërsht kur kemi të bëjmë me raste të ndjeshme. Në rastin konkret, për të shmangur çfarëdo lloj elementi të konfliktit të interesit, administratori nuk mund të jetë si i autorizuar i viktimës së krimit për të kërkuar në emër të saj kompensimin apo dëmshpërblimin në Fond.”

Një shkresë që mban datën 14 mars ishte dërguar nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës për në Gjykatën Speciale. Aty ishin dhënë disa sqarime për kryegjyqtaren në rastin e Salih Mustafës, rreth kompensimit të viktimave të krimeve të luftës, nëse Salih Mustafa shpallet fajtor. Në shkresën e saj, Haxhiu kishte ofruar disa detaje ligjore përfshirë dispozitat e Kodit Penal të Kosovës, Komisionin për Verifikimin e Viktimave të Krimit, etj.

Megjithatë, këto përgjigje të ministres Haxhiu po del se nuk i kanë hyrë në punë Gjykatës Speciale. Pas një kërkese shtesë nga avokatja e viktimave në këtë rast, Annie Pues, trupi gjykues ka vendosur që t’i drejtohet me letër sërish Ministrisë së Drejtësisë. Kjo pasi është konstatuar se MD-ja nuk ka ofruar detaje konkrete për katër pyetjet e Speciales, në lidhje me kompensimin e viktimave.

Tjera nga autori:
1