Problemet e vazhdueshme të shoqërisë me shkronjën ‘ë’ i japin të drejtë Nacionales dhe jo Mehmet Krajës.
Këtë e argumenton më së miri autori i megaskandalit, Martin Berishaj, që raportohet se shpërlau 600 mijë euro nga GEN-i në Beograd, ama s’di ku ta vendosë shkronjën ‘ë’.
MartinGate duket se s’po i bën fort përshtypje ambasadorit Berishaj, pasi po vazhdon ta mbajë postin diplomatik, e po mban edhe takime.
Në takim me politikanin kroat Mladen Vedris, Berishaj shkruajti “Takim cilësorë...”.
Siç thotë Kurti për Thaçin kuptimisht “S’e di a vendoset aty Ë-ja, apo jo, por le ta ketë qaty”.
Në këtë rast duhej shkruar “Takim cilësor”.
Në anën tjetër, i pari i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja, është kapur me Nacionalen për një shkrim ku gazeta thoshte se Ë-ja po ua nxin jetën shoqërisë.
Kraja dje sqaroi pse u tregua i paduruar dhe reagoi.
“Nuk është se reagoj shpesh, nuk paraqitem shpesh në rrjetet sociale. Ishte një situatë që më shkaktoi nervoz. Sepse mënyra se si u trajtu problem i shkronjës ë, që për mua është shkronjë identitare e gjuhës shqipe, më bëri të paraqitem dhe të them një gjë jo të këndshme për ata që thanë çfarë thanë”, tha Kraja në Pressing.