<b></b> Lëmshi “suprem” për rrymën që e shkaktuan gjykatat –  fatura të shtrenjta apo të lira?

Lëmshi “suprem” për rrymën që e shkaktuan gjykatat –  fatura të shtrenjta apo të lira?

18.06.2022 12:00

Tri vendime gjykatash, dy të njëjta, e një tjetër që i rrëzoi dy vendimet e para. E fundit që e bëri lëmshin “suprem”, në çështjen e faturave të rrymës ishte gjykata me po të njejtin emër ajo Supreme e Kosovës.

Pyetja më e shpeshtë e qytetarëve kohëve të fundit ka qenë “a janë faturat me të lirën, apo me të shtrenjtën”. Mbase me të drejtë sepse dy Gjykatat e shkallës së parë vendosën ta pezullojnë shtrenjtimin e rrymës. E Gjykata Supreme i rrëzoi dy vendimet e para, duke e lënë në fuqi shtrenjtimin e rrymës, deri në vendimin përfundimtar të gjykatës.

Ky vendim i Supremes për ta revokuar masën e përkohshme, e të kthehen faturat e shtrenjta, po shihet si tejkalim i komptencave të Supremes nga njohësit e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Hulumtuesi në IKD, Driton Nocaj ka thënë se një vendim i tillë nga Supremja përbën tejkalim të kompetencave të saj, për shkak se e njëjta, duhet të vendos për aktgjykime të formës së prerë dhe jo për forma të tjera siç është masa e përkohshme.

Veprimtaria gjyqësore e gjykatave tona në Kosovë jo rrallë herë manifestohet në ndërrim të shpesht të qëndrimeve juridike dhe kundërthënie mes gjykatave të ndryshme për të njëjtën cështje. Veprimet e tilla padyshim se minojne sigurinë juridike dhe shpërfaqe jokonsistencën e qëndrimeve juridike për një cështje të caktuar. -Ne rastin konkret, Gjykata Supreme ka vendosur të ndryshoj qëndrimet juridike të vendosura nga Gjykata Themelore ne Prishtine dhe Gjykata e Apelit të cilat kishin pezulluar tarifat e rritura të ZrrE-së”, ka thënë Nocaj për Nacionalen.

“Fillimisht në aspektin procedural, vendimi i Gjykatës Supreme është si rezultat i pranimit të mjetit të jashtzakonshëm juridik -Kërkeses për rishqyrtim të jashtzakonshëm gjyqësor, i cili në këtë rast, në bazë të dispozitave të Ligjit për Konfliktet Administrative(LPA) nuk është mjet juridik i lejueshëm në këtë fazë të procedurës pasi objekti i kontestit administrativ nuk ishte vlerësimi i themelësisë se kërkesëspadisë se paditësit por vendosja e masës se përkohshme”, përfundoi hulumtuesi në IKD.

Driton Nocaj thekson se Gjykata Supreme do të duhej ta hidhte poshtë ankesën e ZRrE-së, sepse sipas tij, Supremja nuk ka kompetencë të trajtojë ankesa që ndërlidhen me masat e përkohshme, por vetëm me vendimet përfundimtare të gjykatave.

Si nisi gjithçka?

Kriza energjetike e shkaktuar nga faktorë tashmë të njohur, solli një vendim nga Zyra që është e thirrur për të rregulluar çështjet energjetike.

Zyra e Rregullatorit të energjisë (ZRrE) me 9 shkurt, vendosi t’i shtrenjtojë faturat. Kjo solli pakënaqësi, e reagim qytetar, që u kurorëzua me një padi në Gjykatë, nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës kundër ZRrE-së.

Gjykata Themelore, vendosi, t’i vë masë të përkohshmë kësaj lënde, që i binte, rikthim i faturave të lira, deri në një vendim tjetër, e përfundimtar të gjykatës. Lënda u dërgua në Apel. Edhe aty u ndoq logjika e njejtë. Masë e përkohshme, fatura të lira.

Gjykata Supreme, në mënyrë krejt të pazakontë, vendosi ta heq masën e përkohshme për këtë lëndë, e të vazhdohet me fatura të shtrenjta, deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

Në anën tjetër, Zyra e Rregullatorit për Energji, menjëherë pas vendimit të supremës, ka lëshuar komunikatë për medie, duke precizuar se me këtë vendim, faturat e shtrenjta do të mbesin në fuqi.

Zyra e Rregullatorit për Energji, njofton opinionin se Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit ARJ nr.45/2022, ka ndryshuar Aktvendimin e Gjykatës së Apelit dhe Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe ka refuzuar si të pabazuar kërkesën-propozimin e paditësit, për shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji. Përmes këtij Aktgjykimi të Gjykatës Supreme, vendimi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji i marrë me 8 shkurt 2022, mbetet në fuqi”, thuhet në komunikatën e tyre.

E Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se nuk do të ndalen këtu. Ata me anë të avokatit të autorizuar të tyre, kanë mbajtur një konferencë për medie, nga ku informuan publikun se kjo çështje, do të jetë subjekt edhe i Gjykatës Kushtetuese.

“Tashmë, i autorizuar nga PDK-ja, unë kam filluar procesin e shqyrtimit të këtij vendimi dhe të njëjtin do ta dërgoj në Gjykatën Kushtetuese brenda dy javëve të ardhshme”, ka thënë avokati Faton Fetahu.

Ende nuk dihet se kur do të përfundojë kjo sagë juridike në mes PDK-së, ZRrE-së e gjykatave. Ajo që dihet dhe mbetet valide është se qytetarët do të faturohen me tarifën e shtrenjtë, deri në një vendim përfundimtar e meritor të gjykatës.

Tjera nga autori:
1