<b></b> Në pritje të rekomandimit nga Venecia për Vettingun, përplasen pushteti, opozita e KPK-ja

Në pritje të rekomandimit nga Venecia për Vettingun, përplasen pushteti, opozita e KPK-ja

13.05.2022 17:43

Reformë dhe vetëm reformë. Çkapje e drejtësisë. Hajnat në burg. Këto fraza kanë qenë gjithmonë prezente në diskursin publik, të përdorur nga tashmë partia në pushtet e kryeministrit Albin Kurti. Në krye të këtyre reformave ishte edhe Vettingu. Por, se cila do të jetë e ardhmja e kësaj reforme, varet shumë nga një mendim që pritet të arrijë së shpejti në Kosovë nga Komisioni i Venecias.

Më 19 e 20 maj në Kosovë pritet të zbarkojnë raportuesit e Komisionit të Venecias. Derisa ata të vijnë, ministrja e drejtësisë, do të jetë në pritje të një vendimi i cili pritet të ketë vlerë të madhe për sistemin e drejtësisë. Pikërisht Vettingu dhe Venecia, kanë qenë temë e një tryeze diskutimit të organizuar sot nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike. Aty ishte edhe vetë ministrja Haxhiu,

Ajo fillimisht tha se Vettingu ka qenë njëri prej zotimeve të tyre, e tutje shtoi se ky propozim i Qeverisë nuk ka dalë dosido por synon integritetin moral e profesional të figurës së Prokurorëve dhe Gjyqtarëve.

Pra duke pasur parasysh zotimet para qytetarëve dhe nevojën që e kanë për drejtësi ne kemi themeluar grupin punues. Ky dokument ka të bëjë me verifikim si janë gjyqtarë, prokurorë. Vettingu do të fillohet me strukturën më të lartë dhe brenda 5 vjetëve është theksuar se do të përfundojë. Tani besojmë që të gjitha çështjet janë adresuar dhe presim kontribut edhe nga akterë tjerë. Besoj që kemi vullnetin të angazhohemi që qytetarët të kenë respekt për figurën e gjyqtarit dhe prokurorit

E para e drejtësisë kosovare, tutje ka shtuar se Vettingu do të jetë i pavarur dhe se do të monitorohet nga SHBA e BE.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete, që vjen nga rradhët e Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, tha se çështja e Vettingut është zotim i shumicës, duke shtuar se kjo çështje është e domosdoshme dhe e pashmangshme.

Tashmë jemi në pritje të opinionit të Komisionit të Venecias. Ne kemi qenë dëshmitarë të shumë dështimeve dhe konsiderojmë se zhvillimi i Vettingut do të mundësojë kurim të çështjeve aktuale. Procesi i Vettingut përkrahet nga qytetarët që duan drejtësi, dhe inkurajojmë Komisionin e Venecias që të na japin dritën e gjelbër për këtë çështje”, tha Rrustemi.

E kundër Haxhiut e Rrustemit në këtë tryezë doli Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, duke kritikuar qeverinë.

Sipas Malokut, koncept-dokumenti për Vettingun ka vazhduar pa pjesëmarrjen e tyre.

Ai tutje tha se nuk është bërë analizë e mirëfilltë e Vettingut në sistemin gjyqësor dhe nuk është vlerësuar ndërhyrja që i bëhet pavarësisë së sistemit Gjyqësor dhe Prokurorial.

Është një temë që meriton një debat të gjerë, sepse bëhet fjalë për një proces të rëndësishëm që duhet të përfshijë shumë institucione tona. Ky Vetting ka qenë temë që ka dominuar edhe KPK-në. Mendoj se është temë e rëndësishme për sistemin gjyqësor dhe prokurorial. Për fat të keq koncept-dokumenti ka ecur pa pjesëmarrjen tonë. Ne mendojmë se nuk është bërë analizë e mirëfilltë e Vettingut në sistemin gjyqësor dhe nuk është vlerësuar ndërhyrja që i bëhet pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe prokrurorial”, tha Maloku.

I të njejtit mendim ishte edhe deputeti opozitar nga rradhët e LDK-së, që njëherit është edhe anëtar i Komisionit  për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete, Driton Selmanaj. Ai ka kritikuar qeverinë për mungesë të transparencës, duke theksuar se qeveria e ka nisur këtë proces në mënyrë jo të duhur.

Qeveria e Kosovës e ka nisur këtë proces në mënyrë jo të duhur. Kjo çështje është bukur e komplikuar dhe ka nevojë për dakordim nga partitë politike. Ne nuk kemi pasur angazhim të tillë dhe nuk kemi informata si ka ndodhur procesi dhe kush ka qenë i përfshirë dhe as sot nuk e kam. Vetëm se pashë se kanë ardhur disa komente paraprake. Nëpër media mund të ketë qenë por ne nuk e kemi parë”, tha Selmanaj.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka tërhequr vërejtjen se procesi i Vettingut, nuk mund të ketë për qëllim shtrirjen e pushtetit politik, por ngritjen e cilësisë së sundimit të ligjit.

Pikën e parë e kemi adresuar çështjen e Vettingut dhe reformën në drejtësi. Tani çka duhet të kemi kujdes është se Vettingu nuk duhet të ketë për qëllim shtrirjen e pushtetit politik por ngritjen e cilësisë së sundimit të ligjit që lidhet me procesin e integritetit. Vettingu synon më shumë drejtësi, fuqi, guxim dhe pastërti. Duhet ta kuptojmë se reforma në drejtësi është akt i vetëm i vendimit, por proces mirë i konsultuar”, tha Tahiri.

Në media është raportuar se mendimi fillestar nga Venecia ka qenë kundër idesë së Vettingut, por për këtë duhet të pritet një rekomandim përfundimtar.

Tjera nga autori:
1