<b></b> “Nuk kishte gjykim të pavarur” – detaje nga ankesat e avokatëve të Gucatit dhe Haradinajt në Apelin e Speciales

“Nuk kishte gjykim të pavarur” – detaje nga ankesat e avokatëve të Gucatit dhe Haradinajt në Apelin e Speciales

23.06.2022 09:03

Me nga 4 vjet e gjysmë Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, u dënuan nga Gjykata Speciale në lidhje me akuzat për ndikim në procedurë, zbulim të dokumentacioneve e frikësim të dëshmitarëve. Megjithatë, avokatët e Gucatit dhe Haradinajt i janë drejtuar me ankesa Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuara. Gazeta Nacionale i ka parë këto ankesa dhe sjell detaje.

Në tri pika kryesore e ka mbështetur ankesën e tij në Gjykatën e Apelit të Speciales, avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman. Ai ka vlerësuar se në dënimin prej 4 vjetësh e gjysmë për klientin e tij, trupi gjykues pati gabime ligjore që kanë zhvleftësuar faktet, gabime ligjore në procedurë dhe gabime faktike të rëndësishme sipas tij, për shpalljen e dënimit.

Në ankesën gati 20 faqe që ai e ka drejtuar në Gjykatën e Apelit, Cadman flet për gjykim që nuk ishte i pavarur dhe komplet i përcaktuar nga kërkesat e Prokurorisë së Specializuar.

“Trupi gjykues gaboi duke dështuar në respektimin e parimeve bazë të një gjykimit të pavarur dhe të paanshëm duke demonstruar një pozicion tepër të njëanshëm në favor të Prokurorisë gjatë gjithë zhvillimit të procedurës duke përfshirë: pranimin dhe vlerësimin e provave të ZPS-së, fushëveprimin e marrjes në pyetje të dëshmitarëve të prokurorisë, fushëveprimi i marrjes në pyetje të tërthortë të dëshmitarëve të mbrojtjes, censurimi i referimit të zyrtarëve serbë në seancat publike, dështimi për ta ruajtur barazinë e armëve, dështimi për të parandaluar dhe sanksionuar sjelljet e komentet e pahijshme të ZPS-së gjatë seancave, dështimi për të mbështetur prezumimin e pafajësisë”, thuhet në pikat e para të ankesës, raporton gazeta Nacionale.

Avokati i Nasim Haradinaj ka drejtuar dilemma në lidhje me mënyrën se si u morën në pyetje dëshmitarët, dhe se sipas tij, Specialja e zëvendësoi veten me gjykatat vendore të Kosovës. Cadman flet edhe për kredibilitetin e gjyqtarit kryesor të këtij rasti, Chales Smith.

“Mbrojtja pohon se dështimi për ta përjashtuar Charles Smith nga procedurat, në dritën e pretendimeve që kanë lindur ndaj tij e që janë të rëndësishme për gjykim, si dhe përfshirja e tij (Smithit) në vendimin për pranueshmërinë e dëshmitarit që i ngriti ato pretendime, përbëjnë gabim ligjor dhe që kanë shkelje themelore për një gjykim të pavarur dhe të paanshëm”, theksohet më tutje në ankesë.

Sipas ankesës, trupi gjykues dështoi të përcatojë përgjegjësinë direkte që e kishin të akuzuarit në këtë çështje penale. Në një pjesë avokati i Haradinajt thotë se Gjykata Speciale është mbështetur në thashetheme, duke mos u bazuar në fakte për numrin e dëshmitarëve që sipas tyre janë zhvendosur pas publikimit të dosjeve.

Në një pjesë, Cadman flet për injorimin e bashkëpunimit të Prokurorisë me Serbinë, që sipas avokatit dëshmon sërish njëanshmëri. “Trupi gjykues gaboi kur refuzoi edhe kërkesën e mbrojtje në lidhje me pretendimet për kërcënimin e Dick Martyt”.

Në fund, avokati i Nasim Haradinajt ka kërkuar ulje të dënimit në përpjestim me veprat për të cilat është ngritur aktakuza, peshimin në mënyrë të përshtatshme të të gjithë faktorëve, dhe kërkon që të merren parasysh rastet e njëjta nëpër gjykatat e tjera ndërkombëtare.

Ankesa e avokatit të Hysni Gucatit

Ankesë në Gjykatën e Apelit të Speciales ka dorëzuar edhe avokati i Hysni Gucatit, Jonathan Rees. Qysh në nisje të parashtrimit të tij, Rees thotë se ka evidentuar shkelje të shumta në aktgjykimin e shkallës së parë. Rees ka kërkuar që për të gjitha pikat e dënimit, Gucati të shpallet i pafajshëm, ose Apeli ta ndryshojë vendimin me dënim shumë më të ulët se 4 vjet e gjysmë.

“Trupi gjykues ka konstatuar gabimisht dhe nuk kishte marrë asnjë provë për të shënuar trajtimin e panevojshëm si konfidencial informacionet që kanë lidhje me këto procese që përbën barrë të provës, në rrethana kur përmbajtja e dokumenteve nuk u ekspozua e as nuk u zbulua poltësisht. Nuk u mor parasysh as dëshmitarja e cila kishte shënuar panevojshëm si konfidenciale këto dokumente”, thuhet në ankesën e avokatit të Gucatit.

Më tutje, avokati i Hysni Gucatit thotë se Prokuroria kurrë nuk arriti të dëshmojë për pasojat serioze të dëshmitarëve pas publikimit të dosjeve, e sidomos me zhvendosjen e familjarëve të tyre. Sipas Rees, kjo nuk u mor parasysh as nga trupi gjykues.

“Trupi gjykoi gabimisht se të akuzuarit vepruan me vetëdije dhe dëshirë për të penguar zyrtarët e Prokurorisë në kryerjen e detyrave zyrtare”, thuhet në ankesë kur diskutohet për pengimin e kryerjes së detyrave të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Avokati Rees flet edhe për një kurth, që sipas tij nuk u mor asnjëherë parasysh nga trupi gjykues, e që sipas tij ka të ngjarë t’iu jetë ngritur dy personave të akuzuar.

“Trupi gjykues vlerësoi gabimisht disa aspekte duke mos reflektuar se i akuzuari nuk përdori forcë e as kërcënim, nuk ka dashur që dëshmitarëve t’iu shkaktohet dëm, nuk kishte synim të pengonte ndonjë gjyqtar, dhe se asnjë person nuk kishte marrë lëndime e as kufizime për sigurinë e tyre nga dosjet”, theksohet në ankesë.

Tashmë, kryetarja e Gjykatës Speciale ka caktuar tre gjyqtarë që do të merren me këto ankesa, ata janë: Michele Pichard, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen.

Këto parashtrime do të diskutohen edhe me një seancë para-apelit që është caktua me datën 5 korrik, e ku palët do të japin qëndrimet e tyre publike.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burgim si të dyshuar për hakmarrje, pengim të drejtësisë, zbulim të dosjeve, pas publikimit të materialeve që arrinin në vitin 2020 në zyrat e OVL-UÇK-së.

Tjera nga autori:
1