<b></b> Për një radar që s’u vendos kurrë në Aeroport, u paguan tri kompani – si u dëmtua buxheti për 2 milionë euro?

Për një radar që s’u vendos kurrë në Aeroport, u paguan tri kompani – si u dëmtua buxheti për 2 milionë euro?

14.05.2022 14:48

7 vjet iu deshtën Agjencisë për Shërbime të Navigacionit Ajror, për ta blerë një radar. Tri kompani të ndryshme u paguan, pavarësisht se njëra prej tyre i kishte marrë 8 milionë euro për t’i kryer këto shërbime. Madje, pagesat kompanisë TCN nga Tirana, iu kryen edhe pas shkëputjes së njëanshme të kontratës. Për këtë tender do të përballen me drejtësinë Bahri Nuredini ish drejtor i ASHNA-së dhe Driton Mehaj menaxher i kësaj kontrate. Të dy, akuzohen se e dëmtuan buxhetin e shtetit për gati 2 milionë euro. Gazeta Nacionale ka siguruar aktakuzën dhe sjell detaje.

Ish-drejtori i Agjencisë për Shërbime të Navigacionit Ajror, Bahri Nuredini, ishte mirë i informuar se kompania TCN Tirana e cila kishte marrë gati 8 milionë euro për furnizim me disa radarë, nuk po i kryente punët. Nuredini nuk po merrte asnjë masë. Madje, personat përgjegjës që e kishin njoftuar, i degradoi në pozita tjera. Kompania nga Tirana e kishte fituar këtë tender, edhe pse paraprakisht një tjetër kompani nga Italia, për të njëjtën punë, kishte ofruar çmim për gati 4 milionë euro më të lirë.

Sikur të mos mjaftonte fakti që kompania nuk po i kryente punimet në terren, TCN Tirana vendosi të shkëpusë kontratën njëanshëm. Një vit pas shkëputjes, nga buxheti i shtetit, kësaj kompanie iu derdhën në xhirollogari edhe mbi 450 mijë euro. Të gjitha këto detaje janë zbardhur në aktakuzën e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar gazeta Nacionale.

Sipas aktakuzës, për kryerjen e një pune, AShNA kishte paguar tri kompani të ndryshme. Pagesat kompanisë nga Tirana ia kishte kryer edhe pse puna nuk po realizohej. Pajisjet që ishin detyrë t’i rregullonte kompania përfituese e tenderit, AShNA u detyrua t’i dërgojë për riparim nëpër vende të rajonit. Për këtë çështje, si dëshmitarë u ftuan ish-ministra si Dardan Gashi e Dhurata Hoxha, e ish-kryetari i Skënderajt dikur kryetar i bordit të Aeroport, Bekim Jashari.

Bekim Jashari ka lidhje familjare me Bahri Nuredinin. Më saktësisht, ky i fundit është nip i familjes Jashari.

Të pandehurit me veprimet si futjen e rilokimit në tenderim, kryerjen e pagesës pas shkëputjes së kontratës, në vend se t’i drejtohen gjykatës si dhe lidhjen e një kontrate të re për punët e pakryera nga Operatori Ekonomik i cili e shkëputi kontratën pa i kryer punët, dhe me mosveprimet e tyre duke mos ndërmarrë masa për ta penalizuar Operatorin, i kanë tejkaluar autorizimet e tyre dhe nuk i kanë kryer detyrat zyrtare me të cilat i kanë shkaktuar dëm material AShNa-SË. Madje, për çështjen e radarit të ri, nga buxheti publik është paguar tri herë: herën e parë është paguar operatori TCN Tirana, herën e dytrë kompania Selex/Leonardo në vitin 2018, si dhe herën e tretë sipas Kontratës së Ministrisë së Infrastrukturës së vitit 2017. Nga veprimet dhe mosveprimet e cektura të të pandehurve, rezulton se dëmi material është vlerësuar të jetë të paktën 1 milion e 937 mijë euro”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Për punët të cilat kompania TCN Tirana i kishte marrë 8 milionë euro, nuk kishte nevojë të hapej fare tender. Kështu të paktën po pretendon Prokuroria. Kjo pasi, për kontratën e njëjtë, ekzistonte një marrëveshje e cila e obligonte kompaninë LIMAK t’i kryente këto punime.

Fillimisht, kontrata ishte e paraparë të finalizohej për 523 ditë, mirëpo afati u zgjat në 1700 ditë. Edhe pas kësaj kohe, punët nuk u kryen. Kompania nga Tirana vendosi ta shkëpusë kontratën, por edhe pas këtij veprimi, ata u kompensuan nga AShNA. “Edhe pse Operatori Ekonomik e ka shkëputur kontratën në mënyrë të njëanshme, nga të pandehurit në mënyrë të kundërligjshme me datë 29 maj 2017 është autorizuar ekzekutimi i pagesës në vlerë 457 mijë euro”.

Për furnizimin e riparimin e radarëve, kompania nga Tirana kishte përfituar gati 8 milionë euro. Ajo u përzgjodh fituese, përkundër se një tjetër kompani nga Italia, paraprakisht kishte ofruar çmim përgjysmë më të lirë.

“Lidhur me këtë tender, paraprakisht më 2011, kompania italiane Selex me seli në Romë kishte dërguar në AShNA propozimi lidhur me furnizimin e sistemeve të navigimit ajror, në të cilën janë përfshirë shërbimet që do të kryheshin në vlerë 3 milionë e 726 mijë euro. Kjo ofertë ishte dukshëm më e ulët dhe më e favorshme për AShNA. Nëse i krahasojmë ofertën e kompanisë italiane dhe asaj TCN nga Tirana, rezulton se kompania Selex kishte ofertë përgjysmë më të lirë”, thuhet në aktakuzën e siguruar nga gazeta Nacionale.

Si pasojë e moskryerjes së punëve, përveç që radari në Aeroport është jofunksional, ndër vite ishte raportuar për prishje edhe në Golesh.

DËSHMITARËT

Si dëshmitarë nga Prokuroria janë ftuar disa personalitete publike. Bëhet fjalë për ish-ministrin e Ambientit, Dardan Gashi, pastaj Dhurata Hoxha, ish-kryetari i Skënderajt, Bekim Jashari, që më herët kishte qenë kryetar i bordit në Aeroport.

Jashari në deklaratën e tij ka sqaruar marrëveshjen me LIMAK-un, në mënyrë që kjo kompani t’i marrë 130 punëtorë, kurse AShNA ta bëjë riparimin e radarëve. Kurse, ish-ministrat Dardan Gashi e Dhurata Hoxha kanë thënë se nuk janë fort në dijeni me këto kontrata që kanë të bëjnë me radarët në Aeroport.

Megjithatë, në dijeni po del se janë disa zyrtarë të AShNA-së. Madje, zv/drejtori i këtij institucioni, Bujar Ejupi ka thënë se ishte larguar nga puna, pas kërcënimit të Bahri Nuredinit. Ai i ka treguar prokurorisë detajet e këtij tenderi që i kushtoi buxhetit 8 milionë euro. “Unë së bashku me drejtorin operacional kemi shprehur shqetësimet tona tek drejtori lidhur me disa parregullsi në implementimin e kontratës. Disa pajisje kjo kompani i ka sjellur një muaj para se ta shkëpusë kontratën. Edhe pse kësaj kompanie në vitin 2017 i është paguar borxhi, punët nuk janë përfunduar asnjëherë”.

Kurse, dëshmitari tjetër, Ersen Shileku që ka qenë zv/drejtor për shërbime operative, gjithashtu thotë se është larguar nga puna nën kërcënim e dhunë nga drejtori i AShNA-së, Bahri Nuredini. Kjo kishte ndodhur pas raportimit të disa skandaleve nga ai, pas vizitës së zv/presidentit amerikan, Joe Biden në Kosovë në vitin 2016. “Ndërprerja e energjisë elektrike gjatë vizitës së Joe Biden, ku para se të ateronte aeroplani ishte ndërprerë energjia dhe gjeneratori nuk ndizej, meqë rast kishte rrezik për sigurinë e aviacionit”.

Shileku në deklaratën e tij kishte hedhur dyshime edhe për cilësinë e pajisjeve që janë montuar nga kompani TCN Tirana, përfituese e 8 milionë eurove nga ky tender. Madje, për një prishje të radarit, Shileku thotë se ka qenë i informuar edhe kryeministri i atëhershëm, Isa Mustafa. “Rasti i furnizim dhe montimit me radarë edhe sot nuk është funksionalizuar. Radari nuk e jep pamjen e kërkuar nga teknologjia, për shkak të disa pjesëve të TCN Tirana nuk i ka sjellur. Disa herë i kemi shkruar drejtorit, dhe si reagim ai nxjerr rregullore ku i merr kompetencat e mia. Unë e kam kundërshtuar këtë përmes reagimit me shkrim. Më 31.12.2016, pëson prishje radari që zgjatë diku 4 ditë. Për këtë prishje ka qenë në dijeni ministri i athershëm Lutfi Zharku e kryeministri Isa Mustafa”.

Se punët nuk kishin përfunduar kurrë, e konfirmon edhe dëshmitari tjetër Agon Krasniqi, i cili thotë se nuk ka pasur nevojë për tender rreth radarëve, pasi ka qenë kompetencë e LIMAK. “TCN Tirana nuk është prodhues i pajisjeve e as programeve të radarëve. Kriteret profesionale janë ulur, përkundër dakordimit tonë që të ketë kritere më strikte kualifikuese. Konsideroj se projekti në fjalë kurrë nuk është përfunduar sipas planit. Edhe sot e kësaj dite,r adari në afërsi të ndërtesës të cilin e ka rregulluar kompania Leonardo, nuk konsiderohet funksional, pasi nuk jep katër kanale, por vetëm një”.

Në anën tjetër, dy të akuzuarit Bahri Nuredini e Driton Mehaj nuk i kanë pranuar akuzat për të cilat ngarkohen. Ata janë arsyetuar, se në lidhje me tenderin ku fitoi kompania TCN Tirana, gjithçka ka qenë në rregull.

Një ekspert financiar i aranzhuar nga prokuroria, vlerëson se edhe pse ishte paraparë që projekti të përfundonte për 18 muaj, ai edhe pas 8 vitesh nuk është finalizuar.

SHËNIM: Personat e akuzuar janë pjesë e dosjes së Prokurorisë, dhe prezumohen deri në vendimin e formës së prerë nga Gjykata.

Tjera nga autori:
1