<b></b> Përballja me akuzat e reja, kritikat dhe kërkesat e Thaçit e Veselit ndaj Speciales

Përballja me akuzat e reja, kritikat dhe kërkesat e Thaçit e Veselit ndaj Speciales

10.05.2022 12:54

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, kanë dalë para Gjykatës Speciale, në lidhje me akuzat e reja që po përballen.

Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka plotësuar aktakuzën e kaluar me dy lokacione të reja, në Suharekë dhe në Gjilan, ku dyshohet se janë kryer krime të luftës.

Thaçi e Veseli, që të dy janë deklaruar të pafajshëm në lidhje me këto akuza. Por, secili prej tyre kanë pasur disa kritika e kërkesa për gjyqtarin e procedurës paraprake.

Thaçi ka deklaruar se nuk i ka kuptuar akuzat e reja, pasi aktakuza është shumë e redaktuar.

“Po, e kam marrë aktakuzën e ndryshuar. Nuk i kam kuptuar sepse s'kam pasur mundësi me i lexu sepse janë të redaktuara shumë. Deklarohem i pafajshëm, megjithëse lëndën nuk e kam lexuar e as kuptuar. Por deklarohem i pafajshëm”, deklaroi Thaçi.

“Zoti gjyqtar, theksova edhe njëherë, amendamentet e juaja shtesë janë të redaktuara. Jam munduar t’i lexoj, nuk kam arritur, prandaj nuk kam mundur edhe t’i kuptoj dhe deklarohem i pafajshëm”,  u shpreh ish-presidenti i Kosovës.

Kritika pati edhe avokati i Hashim Thaçit, Gregory Keohe.

“Nuk kemi nevojë të lexohen elementet e reja të aktakuzës. Si shumica e këtyre akuzave janë shumë të redaktuara, emrat, vendet, kohët, dhe kjo është njësoj si përpara dhe kjo e bën Thaçin dhe të tjerët që të mos kenë mundësi të kuptojnë ekzaktësisht se çfarë saktësisht po paraqet ZPS-ja. Është e vazhueshme, shtojnë materiale, dhe ka redaktime”, deklaroi avokati Keohe.

I pafajshëm është deklaruar edhe ish-kryeparlamentari, Kadri Veseli. Ai i ka kërkuar gjyqtarit që gjykimi të nisë sa më shpejt, në mënyrë që, siç tha, ta dëshmojë pafajësinë e tij.

“Po, e kam marrë aktakuzën e plotësuar. Faleminderit, i kam lexuar. Kam dëshirë që procesi të fillojë sa më shpejt dhe ta kem të drejtën time të shprehi pozitën time dhe pafajësinë time para qytetarëve të Kosovës, luftëtarëve të UÇK-së dhe këtij gjyqi të nderuar. Deklarohem i pafajshëm”, u shpreh Veseli.

Në seanca të ndara do të dalin edhe Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

AKUZAT E REJA

Prokuroria e Specializuar në Hagë e kryesuar nga Jack Smith, i ka rënduar akuzat ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Aktakuza e dorëzuar 2 vite më parë, është plotësuar me pretendime të reja, të cilat thuhet se janë kryer në disa fshatra të Suharekës dhe në qytetin e Gjilanit. Gazeta Nacionale i ka parë këto pretendime të reja të Prokurorisë, dhe sjell detaje.

Edhe dy anekse shtesë të mbushura me akuza pritet të rëndojnë edhe më shumë mbi krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Më shumë se 30 faqe të reja do t’i shtohen aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Fshatrat Budakovë dhe Semetisht gjenden në komunën e Suharekës. Në këto dy zona, Prokuroria e Hagës po pretendon se ish-pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte. Këto pretendime i kanë shtuar në aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Aktakuza e re e plotësuar në rastin e krerëve të UÇK-së është dorëzuar më 28 prill. Përveç fshatrave të Suharekës, krime lufte pretendohet se janë kryer edhe në një konvikt në Gjilan.

Deri te ky plotësim i aktakuzës, kishte ardhur pasi gjyqtari i procedurës paraprake, më 23 dhjetor 2021 kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë për të shtuar akuza të reja ndaj krerëve të UÇK-së. Mbrojtja e Thaçit dhe Veselit u ankuan për këtë synim të Prokurorisë, por Gjykata e Apelit në Speciale i hodhi poshtë ankesat e mbrojtjes.

Këto akuza të reja vijnë në kohën kur avokatët e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, kanë pasuar ankesa të shumta për vonesat në proces. Pas këtij plotësimi të aktakuzës, mbrojtjes do t’i duhet kohë për hetime të tjera, shpalosjen e materialeve nga Prokuroria, por edhe punë në terren në lokacionet e reja që janë shtuar në aktakuzë.

Detajet e aktakuzës mund t'i lexoni KËTU

Tjera nga autori:
1