Prej A deri në Zh - çfarë ndodhi mbrëmë në Ferizaj, kush kënd e vrau dhe pse - NACIONALE

Prej A deri në Zh - çfarë ndodhi mbrëmë në Ferizaj, kush kënd e vrau dhe pse

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një krim në botën e reperëve ka tronditur Kosovën. Gjithçka duket se nisi nga një miqësi, pastaj me ofendime në rrjete sociale, rrahje e therrje, e deri në vrasje. Vëllau i Butës, dyshohet të jetë dorasi në vrasjen e mëngjesit të sotëm në qendër të Ferizajt. Gazeta Nacionale sjell të përmbledhur gjithçka që dihet deri më tani për vrasjen në Ferizaj, ku mbeti i vdekur Gazmend Hyseni me nofkën “Strella”.

Deri vonë, Qëndrim Januzi me nofkën “Rifa”, vëllau i Butës, ishte në burg. Me të dalë, ai u përfshi në tjera veprimtari kriminale. Januzi është i dyshuari kryesor për vrasjen në qendër të Ferizajt, ku e vrau mikun e tij deri vonë, Gazmend Hysenin i njohur me nofkën “Strella”.

Prokuroria ka vlerësuar se ende është herët për tu dhënë detaje rreth motiveve, megjithatë gazeta Nacionale ka mësuar se gjithçka kishte nisur si pasojë e disa konflikteve mes reperëve. Vrasja që u krye në orën 01:00 të mëngjesit të sotëm, dyshohet se u parapri ka një rrahje pak orë më parë.

Gazeta Nacionale kishte siguruar edhe pamjet nga momenti i vrasjes.

Dëshmitarët i kanë thënë gazetës Nacionale, se gjithçka nisi nga kjo therrje. Pas një koncerti që kishte reperi Buta në Ferizaj, ai i shoqëruar nga vëllau i tij Qëndrim Januzi. Megjithatë, vëllau i Butës u largua për ta kryer vrasjen.

“Ka ndodh therrja e Rifës edhe pas koncertit që e ka pas Buta mbramë, Strella i paska prit te banesa. Rifa (Qëndrim Januzi) i ka thanë Butës shko ti n’banesë unë veç po e parkoj kerrin edhe ka dalë tani me Strellën (Gazmend Hysenin) u taku edhe ka ndodh vrasja”, ka treguar një dëshmitar ekskluzivisht për gazetën Nacionale.

Por si përfundoi një miqësi me tragjedi?

Burimet i kanë treguar Nacionales se deri vonë, dy të përfshirët në këtë tragjedi kishin qenë miq. Madje, ata edhe i kishin dalur në mbrojtje njëri-tjetrit, kur kishin probleme me reperët e tjerë. Siç është rasti me këngëtarin Mozzik.

Një dëshmitar anonim i cili e ka parë gjithë ngjarjen, ka treguar për Nacionalen se miqësia e viktimës me të dyshuarin, ishte prishur kohëve të fundit.

“Strella (Gazmend Hyseni, viktima), e kishte kërcënuar para disa ditëve me vrasje Butën. Më saktë, para dy ditëve”, ka thënë dëshmitari për Nacionalen.

“Mbrëmë ia ka dhanë 7 plumba”, tregon më tutje ai.

“Rifa (Qëndrim Januzi) është i plagosur në krahë. Dy herë ka gju policia në drejtim të tij”, ka thënë dëshmitar për Nacionalen.

Problemet mes këtyre personave, kishin kulmuar edhe në muajin prill me një incident. Vetura e Butës ishte djegur, e i dyshuar kryesor ishte viktima e sotme, Gazmend Hyseni.

Nacionale ka siguruar edhe pamjet kur ishte djegur vetura e Butës.

Si ndodhi e gjithë ngjarja?

Kryeprokurori i Prokurorisë në Ferizaj, Shukri Jashari ka treguar për Nacionalen se si kishte ndodhur e gjithë ngjarja. I dyshuari kryesor për këtë vrasje, është arrestuar, përderisa po e vazhdon trajtimin në spital.

“Personi i dyshuar është në sptial, është operuar. Rasti ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit rreth orës 1 të mëngjesit. Një person është vra, ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes”, ka thënë fillimisht Jashari.

Polici në rroba civile kishte qëlluar rastësisht në vendin e ngjarjes, duke e shoqëruar një të dyshuar tjetër për në stacion.

“Personi i dyshuar ka tentuar me ik, aty ka rastis polici në rroba civile, i cili ka qenë duke e transportuar një të dyshuar tjetër në Gjilan. Ai është prezantuar si polic që me u ndal i dyshuari, ai nuk është ndalë. Është rrezikuar edhe polici nga ana e të dyshuarit, dhe është detyruar me shti, e ka godit njëherë në nofull”, ka theksuar Jashari.

Duke folur për motivet që çuan deri te vrasja, Jashari tha se është ende herët.

“Motivi i vrasjes ende nuk dihet sepse vetëm një dëshmitar është intervistu kurse personat që kanë qenë me të dyshuarin jo", theksoi Shukri Jashari për Nacionalen.

Burime të Nacionales theksojnë se i dyshuari është në gjendje stabile.

“Ka ardhë mbrëmë në Emergjencë. Ka qenë i plagosur por gjendjen e ka stabile. I kemi dhënë ndihmën e nevojshme shëndetësore. Po e vazhdon trajtimin e mëtejmë”, thotë burimi.

Kënga e Butës e konfliktet mes reperëve

Kënga e fundit e këngëtarit BUTA është e titulluar “Rich” (i pasur) dhe në të cilën, ashtu si edhe në të tjerat, glorifikohet dhuna dhe kriminaliteti.

Në një prej vargjeve të kësaj kënge shkruhet si vijon:

“Kena ma shumë armë se FSK,

7.62.44 9mm”

“Alo, alo, 194 përfundon n’QKUK”

Në këtë këngë, reperi Buta me një video-spot që duket se i ka kushtuar shumë glorifikon pasurinë dhe tregon se si mund të ligjërojë për mënyrën se si të qenët gangster të bën edhe të pasur.

Ky video-spot në kanalin e Butës në YouTube i ka marrë mbi 1 milionë e 400 mijë shikime dhe mbi 18 mijë pëlqime.

Nuk dihet nëse tekstet e këngëve të këtij këngëtari janë marrë apo do të merren në shqyrtim nga hetuesit e policisë së Kosovës

Nacionale ka sjellur edhe një përmbledhje të konflikteve mes reperëve kosovarë ndër vite.

Lajme të ngjashme