
Enver Robelli pas dënimit të Gucatit e Haradinajt: Gjykata Speciale është themeluar për të mirën e Kosovës
Anita Nikaj
2 muaj më parë
20:15
2 muaj më parë
20:15
Pas dënimit të Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt me nga 4.5 vjet burg, ka reaguar edhe publicisti Enver Robelli.
Ai ka thënë se në Kosovë, për vite të tëra frikësimi i dëshmitarëve ishte bërë pothuajse normalitet.
“Me vite të tëra frikësimi i dëshmitarëve qe bërë pothuaj normalitet i përditshmërisë kosovare. Vrasje e vetëvrasje të pasqaruara kalonin pa asnjë pasojë. Turma që dilnin në rrugë dhe zbulonin emrin e dëshmitarit të mbrojtur, toleroheshin nga drejtësia dhe nga politika. Sot, një gjykatë e Kosovës, e themeluar me vota me legjitimitet demokratik nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, arriti në përfundimin se nuk është ide e mirë të tentohet të frikësohen dëshmitarët”, ka shkruar Robelli.
Ndërsa sa i përket Gjykatës Speciale, ai ka cituar ish-presidentin Hashim Thaçi i cili gjendet në Hagë, i cili, kishte thënë se gjykata speciale ishte themeluar për të mirën e Kosovës.
“Kjo gjykatë, siç e ka thënë njëri nga themeluesit e saj, Hashim Thaçi, është themeluar për të mirën e Kosovës. Po ashtu, sipas Thaçit, kush është kundër kësaj gjykate nuk ia do të mirën Kosovës”, ka shkruar ai.