<b></b> Rasti i Gjilanit e i “Kodrës së Trimave” në Prishtinë – kur guxon polici ta përdorë armën?

Rasti i Gjilanit e i “Kodrës së Trimave” në Prishtinë – kur guxon polici ta përdorë armën?

01.06.2022 10:26

Shtiu së paku 6 herë mbi trupin e Gazmend Hysenit në qendër të Ferizajt. E pasi e kreu vrasjen, i dyshuari Qëndrim Januzi, vëllai i reperit Buta, u nis me vrap për të ikur nga vendi ku dyshohet se kreu krimin.

Ngjarja që ndodhi orët e hershme të së shtunës në Ferizaj, mund të përfundonte me një arratisje spektakolare. Që kjo të mos ndodhte u përkujdes një polic.

Afër marketit ku u krye vrasja, qëlloi një polic në rroba civile. Pasi e pa ngjarjen, polici fillimisht i kërkoi dorasit të ndalej. Por, kur e pa që urdhrat e tij nuk po përfilleshin, dhe se i dyshuari i drejtoi armën, zyrtari policor shtiu mbi Januzin duke e qëlluar në nofull, me çka e rrezoi në tokë, e më pas e arrestoi.

Ky nuk është rasti i parë në Kosovë, kur një polic ka shtënë mbi një qytetar. Raste të tilla ndodhën së fundmi në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë. Gjatë një bastisjeje, polici qëlloi një person që ua kishte drejtuar armën zyrtarëve. Disa ditë më pas, i plagosuri nga policia ndërroi jetë.

E një rast shumë më i rëndë kishte ndodhur në Gjilan. Një aksident trafiku në mes një zyrtari policor dhe një qytetari, çoi në përleshje verbale e fizike. Pas konfliktit, që sipas dëshmitarëve, nuk ishte kushedi sa serioz, polici V.H., nxjerr armën e tij zyrtare dhe shtie në kokë ndaj qytetarit, duke e lënë atë të vdekur në vend.

Për këtë rast, polici në fjalë është dënuar me 25 vite burg nga Gjykata Themelore në Gjilan.

A  trajnohen policët për përdorimin e armës ndaj qytetarëve dhe si qëndron Kosova në këtë aspekt?

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në një prononcim për gazetën Nacionale, ka treguar hollësisht se si trajnohen policët, për momente delikate si këto, dhe tregon se si qëndron Kosova në këtë aspekt sipas tij.

“Zyrtarët policorë të Policisë së Kosovës trajnohen që nga trajnimi bazik, për përdorimin e armëve të zjarrit. Ata trajnohen disa herë, për gjuajtje me armë zjarri, gjithashtu kanë trajnime teorike nga inspektorët se si dhe kur duhet të gjuajnë, gjithmonë në bazë të rregulloreve të brendshme të Policisë. Por në realitet, kur polici vjen në një situatë të tillë, pra që ta përdorë armën e zjarrit, që mund të jetë kundër njeriut, sado që ata janë të trajnuar, duhet të kihet parasysh që kanë shumë pak kohë të vendosin, është çështje sekondash që ata vendosin që ta përdorin armën e zjarrit”, deklaroi ish-drejtori i Policisë.

“Duhet të kihet parasysh që arma e zjarrit duhet të përdoret si mjet i fundit, dhe të jetë gjithmonë si forcë proporcionale. Momenti kur polici e përdor armën është moment shumë delikat edhe për vetë policin, por duhet të dihet se polici është i autorizuar, i pajisur dhe i trajnuar për situata të tilla, gjithmonë duke tentuar të shpëtohet një jetë osë më shumë sosh”, tha Qalaj.

“Realisht në Kosovë nuk ka pasur shumë raste kur janë detyruar ta përdorin armën. Kosova absolutisht qëndron shumë mirë. Policët e Kosovës janë shumë të kujdesshëm në përdorimin e armës. Në krahasim me Republikën e Shqipërisë, Serbisë apo Maqedonisë, Kosova sipas meje qëndron shumë më mirë”, ka shtuar Qalaj.

Çka thotë Ligji?

Ligji për Policinë, i ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e specifikon shprehimisht, se kur zyrtari policor guxon ta përdorë armën e zyrtare, ndaj qytetarit.

Në nenin 27 të këtij ligji, kapitulli ku flitet për përdorimin e armëve të zjarrit, thuhet kështu:

“Zyrtari policor është i autorizuar ta përdorë armën e zjarrit kundër personit tjetër vetëm kur mjetet më pak ekstreme janë të pamjaftueshme që ta: mbrojë jetën e vet ose jetën e të tjerëve nga sulmet e pashmangshme; parandalojë kryerjen e pashmangshme apo vazhdimësinë e veprës penale që shkakton rrezik të lartë për jetën; arrestojë personin i cili paraqet rrezik për jetën e të  tjerëve dhe që u reziston urdhrave ligjorë të dhënë nga zyrtari policor dhe parandalojë arratisjen e personit i cili paraqet rrezik të pashmangshëm për persona të tjerë dhe që u reziston urdhrave ligjorë të dhënë nga zyrtari policor.”

Madje në ligj janë të specifikuara edhe veprimet që duhen të ndërmirren para përdorimit të armës, si dhe situatat e caktuara dhe veprimet se si polici duhet të reagojë.

Nuk kanë munguar në të kaluarën rastet kur zyrtarët policorë janë ballafaquar me institucionet e drejtësisë për shkak të përdorimit të armës, gjatë ose jashtë kryerjes së detyrave zyrtare.

Tjera nga autori:
1