<b></b> Shpeshtimi i vrasjeve: 250 mijë armë ilegale në duart e kosovarëve

Shpeshtimi i vrasjeve: 250 mijë armë ilegale në duart e kosovarëve

31.05.2022 08:21

Vrasja e fundit që ndodhin të shtunën më 28 maj në Ferizaj, ka ngritur debat të gjerë për armët pa leje dhe për tekstet e këngëtarëve në këngët e tyre. Pasi në këtë vrasje u përfshi vëllai i reperit me emrin artistik Buta. Pas kësaj ngjarje të rëndë, disa po kërkojnë cenzurimin e këngëve e disa të tjerë po fokusohen më shumë në armët ilegale që qarkullojnë në duart e kosovarëve.

E armët ilegale vazhdojnë të jenë shqetësim për qytetarët dhe institutcionet e sigurisë në vend.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, në duart e qytetarëve të Kosovës janë rreth 250 mijë armë ilegale. Dhe sipas eksperteve të sigurisë, kjo shifër paraqet rrezik për jetën e qytetarëve dhe sigurinë publike.

Në bazë të kësaj shifre, i bie që çdo i shtati qytetar potencialisht mund të ketë një armë pa leje.

Sipas MPB-së, nga hulumtimi i fundit, janë rreth 100 mijë armë ilegale më pak. Në kohën e hulumtimit të cilit i referohet kjo ministri kanë qenë rreth 360.000 armë ilegale.

Deri në vitin 2010 sipas MBP-së rreth 35.000 armë janë regjistruar në administratën e UNMIK-ut.

Në pesë vitet e fundit, sipas të dhënave zyrtare, Policia e Kosovës ka konfiskuar 6,538 armë pa leje.

Ndërkohë, njohësi çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, për EO ka thënë se qytetarët që posedojnë armë ilegale duhet të lirohen nga taksat dhe të ketë shpërblime për dorëzim të armëve, e jo denoncime me siç thotë ai, taksa të larta.

"...Në këtë drejtim duhet të bëhen përgatitjet e duhura, nganjëherë të lirohen nga taksat dhe të ketë shpërblime për dorëzim të armëve, e jo përkundrazi, të denoncohen me taksa të larta, e me trajnime, e që qytetarët 'më mirë të ruajnë armë ilegalisht' sesa t’i nënshtrohen gjithë atyre harxhimeve”, ka thënë ai.

Kurse sociologu Ferdi Kamberi, në një pronocim dhënë për Nacionale para një jave për këtë temë, ka thënë se fenomeni i vrasjeve që pas vitit 1999 në Kosovë ka pasoja shumë të rënda për shoqërinë në përgjithësi. Sipas tij kjo situatë prodhon pasoja të rënda dhe një shoqëri të dhunshme. 

Fenomeni i vrasjeve në Kosovë pas vitit 1999 e këtej është shndërruar në ato fenomene të cilat kanë pasur një rritje dhe pasoja jashtëzakonisht të rënda për familjen, komunitetin dhe shoqërinë në përgjithësi. Ky fenomen është shqetësues për shoqërinë kosovare për shkak se atakon drejtpërdrejt jetën e individit dhe bart në vete një mori pasojash të cilat mund të reflektojnë në periudhat afatgjata dhe nëse nuk merren masa preventive me kohë, atëherë ky fenomen mund të jetë në rritje që do të reflektonte edhe në gjeneratat e reja, duke prodhuar kështu një shoqëri të dhunshme”, ka thënë Kamberi për Nacionale.

Ai ka përmendur disa shkaqe të vrasjeve. Sipas tij janë periudha e tejzgjatur e tranzicionit, që sipas tij ka prodhur një krizë vlerash dhe identiteti, e po ashtu për sociologun, edhe konfliktet ndërpersonale për “motive të ulëta” dhe gjakmarrja janë shkak për këto ndodhi.

Pastaj afekti, xhelozia, gjendja psikologjike e krijuar nga mbidoza, problemet me alkool, depresioni kronik, stresi posttraumatik, sidomos i cili shfaqet në ato vende të cilat kanë pasur konflikte ose lufta dhe zakonisht ndodh pas një periudhe 15 – 20 vjeçare, gjë që është evidente te shoqëria kosovare. Po ashtu, faktorë dhe motive të tjera janë edhe numri i madh i armëve të cilat janë në duart e qytetarëve, faktorët individualë, faktorët socio-ekonomikë (borxhet, fajdetë ose konfliktet për gjëra të tilla), ndikimi i medieve në veçanti filmat me përmbajtje të dhunës, gangsterëve, etj, të cilat mund të jenë model sidomos për të rinjtë duke imituar rolet e tyre”, tregon Kamberi, i cili thotë se në kontekstin sociologjik, vrasjet ndodhin edhe si rezultat i modelit kulturor dhe sjelljes së të mësuarit me gjuajtje me armë dhe prezencës së lartë të armëve në duart e qytetarëve.

“Rritja e këtij fenomeni, pa dyshim se paraqet një problem gjithëshoqëror për shkak se përveç që bart në vete pasoja të shumta tek individi, familja, komuniteti dhe vetë shoqëria, ndër to: izolimi social, mungesa e integrimit shoqëror, problemet me stresin dhe depresionin, shpërfaqje e panikut dhe pasigurisë sociale, humbje e besimit ndaj institucioneve të vendit, mundësi e gjakmarrjes, linçimin publik (stigma), ndërprerjen e shkollimit për fëmijët, vuajtjet e tyre, si dhe pasoja të tjera”, kishte thënë Kamberi.

Kujtojmë se vrasja e rëndë në Ferizaj nuk ishte e vetmja që ndodhi gjatë vitit 2022.

Sipas të dhënave të policisë në periudhën janar-maj të vitit 2022, janë raportuar nëntë raste të vrasjeve në Kosovë.

Që nga viti 2017 Kosova ka ligj që mundëson legalizmin e armëve pa leje.

Tjera nga autori:
1