<b></b> Specialja thotë se s'di asgjë për vizitën e Konjufcës në Hagë: Takime miqësore apo zyrtare?

Specialja thotë se s'di asgjë për vizitën e Konjufcës në Hagë: Takime miqësore apo zyrtare?

15.06.2022 11:21

Dita e premte (17 qershor) do ta gjejë kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën, në Hagë të Holandës. Atje nuk do të shkojë për ndonjë vizitë diplomatike, por t’i takojë krerët e UÇK-së që po akuzohen nga Gjykata Speciale për krime të luftës.

Në bazë të asaj që është raportuar deri më tash, për dallim nga ministrja e Drejtësisë, kryeparlamentari Konjufca i ka të konfirmuara takimet me të gjithë të akuzuarit. Përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi, e ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin.

Megjithatë, përveç të paraburgosurve, nuk dihet nëse Glauk Konjufca do të takohet me ndonjë përfaqësues zyrtar të Gjykatës Speciale. Madje, Specialja duket se nuk ka asnjë informatë në lidhje me agjendën e kryetarit të Kuvendit.

“Ne nuk jemi në dijeni për orarin e z.Konjufca gjatë kohës që ai do të jetë në Hagë”, kanë thënë për gazetën Nacionale nga Gjykata Speciale.

“Për arsye të privatësisë, ne nuk mund të ofrojmë informata në lidhje me kërkesa specifike për vizitat e të paraburgosurve”, thuhet në përgjigje.

Por, a do të qëndrojë Konjufca në Qendrën e Paraburgimit në Hagë me vizitë zyrtare apo personale?

Përgjatë vizitave të kaluara, dilemat kanë qenë nëse vizitat e krerëve të shtetit nga Kosova, iu merren nga koha e vizitave familjare të akuzuarve nga Specialja.

Madje, një gjë të tillë e kishte thënë edhe vetë Nasim Haradinaj kur kishte folur në seancë për vizitën e Avokatit të Popullit të Kosovës. “Kur ka ardhë avokati i popullit tuaj, e keni llogaritur vizitë zyrtare. E vizitën e avokatit të popullit tim, e keni shkruar si personale”, kishte thënë ai.

E duket se situatë e ngjashme do të jetë edhe me vizitën e Konjufcës. Kështu të paktën është lënë të nënkuptohet nga vetë përgjigja e Gjykatës Speciale.

“Udhëzuesi mbi Vizitat bën dallimin ndërmjet vizitave personale dhe special. Vizitat special përfshijnë ato nga Ombuspersoni i Dhomave të Specializuara dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, si dhe vizitat konsullore, vizitat e ndonjë gjyqtari, sekretarit ose anëtarëve të stafit. Për sa i përket procedurës se si kërkohet vizita për një ose më shumë të paraburgosur, të gjitha vizitat e tjera trajtohen si vizita personale. Nëse një visitor është duke vizituar në një funksion personal ose zyrtar, varet nga ai”, bëhet e ditur në përgjigjen e Speciales për gazetën Nacionale.

Se do të vizitojnë të akuzuarit nga Specialja, kishte bërë të ditur Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të Glauk Konjufcës.

“Bashkë me kryeparlamentarin Konjufca me datën 17 Qershor udhëtojmë për t’i vizituar ish krerët e UÇK-së në Hagë”, kishte shkruar Kërçeli në facebook.

Konjufca muajve të fundit ka qenë tejet i zëshëm për proceset gjyqësore që po zhvillohen në Hagë.

“Çka mund të bëhet është që ta themi këtë, çka mund të bëhet është që faktori ndërkombëtar ta kuptojë këtë gjë. Ne unë konsideroj që vazhdimisht ia shprehim, sepse, merreni me mend, ata do të mund të kishin qenë me familjet e tyre, do të duhej të kishin qenë me familjet e tyre. Edhe nëse thu po pajtohna me Gjykatën Speciale, edhe nëse thu që unë jam kundër Gjykatës Speciale, po qe Betimi është për Gjykatë Speciale, unë mendoj që edhe në qato premisa nuk kanë pas të drejtë me i mbajt 1 vjet e gjysmë, sepse është izolim. Krejt kanë mendu që në kuptimin për me qenë fer edhe i ndershëm me procedura gjyqësore, kur e merr ti njeriun hajde së paku mas 2-3 muajve e qet në proces gjyqësor edhe i kallxon për çka e ke marrë. Po me u mbajt 1 vjet e gjysmë, me të vërtetë kjo unë mendoj që është skandaloze”, kishte thënë ai javë më parë në emisionin Tempus.

Vizitat e kaluara nga pushteti

Dy herë drejt Hagës kishin udhëtuar përfaqësues të pushtetit. Herën e parë zv/ministri Blerim Sallahu bashkë me shefin e kabinetit të ministres së Drejtësisë, Genc Nimoni. Kurse, herën e dytë, pak muaj më parë, atje kishte qëndruar edhe vetë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Në asnjërin prej këtyre dy vizitave, Hashim Thaçi e Kadri Veseli nuk i pranuan në takim. Kjo nga miq e bashkëpartiakë të tyre, u vlerësua se ndërlidhet me deklaratat dhe dallimet e mëdha që i kanë pasur në të kaluarën me Haxhiun.

”Dallimet e mëdha që i kemi politike me PDK-në, qëndrojnë. Unë kam bërë kërkesë sepse e kam obligim, ato qëndrojnë mirëpo nuk e kam ndërmend ato dallime që i kemi t’I vazhdoj me këta (Thaçin dhe Veselin). Sepse nuk do të ishte fer me u marrë me dikënd që po përballet me një sistuatë të vështirë’’, kishte thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ndryshe, krerët e UÇK-së për gati 2 vjet po mbahen të arrestuar nën akuzat për krime të luftës. Kjo, pavarësisht se gjykimi ende është në fazën paraprake, dhe nuk mund të nis deri së paku në janarin e vitit 2023.

Tjera nga autori:
1