U bllokua shtrenjtimi i çmimit të rrymës, çka tash? - NACIONALE

U bllokua shtrenjtimi i çmimit të rrymës, çka tash?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Fillimisht Gjykata Themelore, e më pas edhe ajo e Apelit. Në këtë formë, dy instanca gjyqësore vendosën masë të përkohshme ndaj vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e çmimit të rrymës. Zyra e Rregullatorit të Energjisë fillimisht ishte arsyetuar se vendimi nuk është i plotfuqishëm, por pas vendimit të djeshëm, ulja e çmimit të rrymës nuk ka alternativë. Por, çfarë do të thotë vendimi i Gjykatës dhe cilat janë procedurat e radhës?

Pyetja që shumë qytetarë e shtruan publikisht, ishte nëse ata do të kompensohen pasi për disa muaj e kanë paguar rrymën me tarifat e shtrenjta. Një sqarim juridik për këtë çështje e ka dhënë Driton Nocaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

“Po ashtu qytetarët do të mund të kompensoheshin, edhe nën supozimin se kërkesëpadia e paditësve do të argumentohej si e bazuar në fund të shqyrtimit kryesor dhe anulimi i këtij vendimi do të përbënte bazë që qytetarët të kompensoheshin nga momenti i nxerrjes së vendimit të ZRRE-së, të datës 09.02.2022. Duke marrë për bazë faktin se Gjykata ka shtyrë ekzekutimin e vendimit, atëherë do të duhej që gjykata të vepronte me prioritet për shqyrtimin meritor të këtij kontesti administrativ”, ka thënë Nocaj.

Megjithatë, duhet të sqarohet se vendimi aktual është vetëm pezullim i përkohshëm. Kjo, deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga instancat gjyqësore për shtrenjtimin e çmimit të rrymës.

Vendimi i Gjykatës së Apelit për vërtetimin e vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për shtyrjen e ekzekutimit të ZRRE-së, tani për tani në këtë fazë të përkohshme është përfundimtar sa i përket masës për pezullimin e tarifave të reja. Sa i përket kompensimit, qytetarët do të duhej të kompensoheshin nga ZRRE-ja nga data 08.04.2022, kur është marrë vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të ZRRE-së për tarifat e reja deri në vendimin e Gjykatës së Apelit, vendim ky që ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë si të drejtë dhe të ligjshëm”, ka thënë Nocaj i IKD-së për Nacionalen.

ÇKA TASH?

Deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës, ajo që dihet është se qytetarët do ta paguajnë rrymën me tarifat e vjetra, para se ato të rriteshin pas krizës energjetike.

Zyra e rregullatorit të energjisë, më datë 9 shkurt, pati vendosur për rritjen e çmimit të energjisë.

Ndaj këtij vendimi u organizuan protesta në rrugë, e brenda zyrës së rregullatorit. Më e zëshmja kundër këtij vendimi doli partia joparlamentare, ajo e PSD-së.

Ata ishin shumë aktivë në shpjegimin, sipas tyre, të kundërligjshmërisë së këtij vendimi.

Ishte Partia Demokratike e Kosovës, ajo që e mori përsipër, mbledhjen e 40 nënshkrimeve, e shtyerjen përpara të kësaj çështje, me përplasje të shumta me mazhorancën.

E Partia Demokratike e Kosovës, ishte ajo që nisi edhe procesin gjyqësor ndaj ZRRE-së, duke dorëzuar padi në gjykatë, për vendimin e kësaj zyre, me të cilën po shtrenjtohej rryma në vend.

Gjykata Themelore në Prishtinë e trajtoi me urgjencë këtë lëndë. Më 9 prill gjykata i vuri masë të përkohëshme këtij vendimi, deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

Shtyhet ekzekutimi i vendimit Nr.077/22 i datës 09.02.2022 i publikuar më datë 16.02.2022 i të paditurës Zyra e Rregullatorit për Energji me seli në Prishtinë derisa gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor me padinë e paditëses”, thuhej në vendimin e Gjykatës Themelore.

Madje, PDK-ja kishte dorëzuar edhe kallëzim penal ndaj ZRRE-së, e cila nuk po e zbatonte vendimin e gjykatës së shkallës së parë, me arsyetimin se do të ankohen në Apel.

E pikërisht sot, PDK-ja doli në një konferencë për media, ku tha se qytetarët më nuk do t’i paguajnë faturat e larta të energjisë. Kjo, edhe pse sa për sqarim, vlen vetëm deri në vendimin përfundimtar të gjykatës.

“Natyrisht, kjo fitore ligjore e PDK-së, me mbështetjen edhe të partive tjera opozitare, ndaj pushtetit dhe vendimeve të kundërligjshme të tij, nuk është fitore politike ndaj pushtetit, por fitore meritore për të drejtat e qytetarëve përballë autoritetit të pushtetit kur ai autoritet përdoret kundërligjshëm dhe në dëm të interesit publik. Kjo e shton përgjegjësinë tonë politike dhe Partia Demokratike e Kosovës, si në këtë rast, do të vazhdojë të qëndrojë në anën e qytetarëve kundër çdo vendimi të kundërligjshëm e të padrejtë të pushtetit”, ka deklaruar Memli Krasniqi.

Lajme të ngjashme