<b>Varrezat</b> masive që ekspozuan tendencën e regjimit serb për varrosjen e krimit

Varrezat masive që ekspozuan tendencën e regjimit serb për varrosjen e krimit

27.04.2022 20:32

6 mijë e 500 persona ishin të zhdukur menjëherë pas përfundimit të luftës. Aktualisht, të pagjetur janë edhe më shumë se 1 mijë e 600 të tjerë. Ajo që shumëkush e quan tentim të Serbisë për ta varrosur krimin, u zbulua pikërisht në territoret e shtetit serb. Varrezat masive atje kanë qenë dhe mbesin, adresë për gjetjen e personave që ende janë të zhdukur nga lufta e fundit. Gazeta Nacionale sjell detaje.

Batajnica, Petrovo Selo, Liqeni i Peruqacit, Rudnica e Rashkës e në fund Kizhevaku. Këto kanë qenë vendet të cilat Serbia i kishte shfrytëzuar për t’i zhdukur trupat e personave që paraprakisht i kishte vrarë në Kosovë. Qysh pas përfundimit të luftës në këto lokacione nisën kërkimet për varrezat masive.

Batajnica

Batajnica gjendet në periferi të Beogradit, më saktësisht në komunën e Zemunit. Në vitin 1999 në këtë vend ka ekzistuar një qendër trajnimi e njohur si 13 maji, ku kryenin stërvitje Qendra e Njësisë Speciale kundër Terrorizmit në Serbi.

Në mes të viteve 2001 dhe 2003, tetë varreza masive janë zbuluar dhe u zhvarrosën në qendër të vendit “13 Maj”. Zhvarrosja është kryer nga një ekip i ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Beograd. Eshtrat e njerëzve u zhvarrosën dhe u dorëzuan në ZPZHML në qese për trupat e vdekur dhe u bartën në Kosovë. Në total, në këtë varrezë masive janë gjetur 744 trupa të shqiptarëve të Kosovës.

Nga ekspertizat mjeko-ligjore ishte vërtetuar se më shumë se 500 prej personave që u gjetën, shumica prej tyre ishin të vrarë me armë zjarri, gjysma prej të cilëve ishin të qëlluar në kokë.

Petrovo Selo

Petrovo Selo është një fshat i vendosur në shpatet lindore të malit Miroc i cili gjendet në Komunën e Kladovos. Në vitin 1999, ka ekzistuar një qendër trajnimi e Ministrisë së Brendshme të Serbisë. Në mes të 25 dhe 28 qershorit të vitit 2001, një ekip i ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore kanë zhvarrosur dy varreza masive të zbuluara në Petrovo Selo.

Raporti i prodhuar nga ekspertët e zhvarrimit thotë se 75 persona u zhvarrosën nga dy varreza masive në Petrovo Selo, afër qendrës së trajnimit policor. Shumica prej tyre kanë qenë të goditur në kokë.

Liqeni Peruçac

Liqeni Peruçac është vendosur në Komunën e Bajina Basta në Serbinë perëndimore. Zhvarrosja e një varri masiv u zbulua në afërsi të liqenit, e cila filloi me 6 shtator të vitit 2001. Hetimi ligjor e përfundoi zhvarrosjen e varrezës masive më 14 shtator të të njëjtit vit.  Sipas raportit të ekspertëve të zhvarrimeve, të paktën 48 trupa u zhvarrosën të plotë nga varri masiv pranë liqenit Peruçac. ZPZHML, megjithatë, i ka ri-shqyrtuar mbetjet e njerëzve që u morën nga ai vend, ku pati konstatuar se 48 trupa ishin të plotë dhe 84 trupa ishin të pa plotë.

Rudnica

Fshati Rudnicë është vendosur në Komunën e Rashkës në Serbinë jugore, në afërsi të Jarinjës, kalimi kufitar mes Serbisë dhe Kosovës. Varreza masive u zbulua të jetë në vendin e braktisur guror në afërsi të këtij fshati. Vendi ishte në gërmim disa herë brenda vitit 2007, mirëpo, më 13 dhjetor të 2013-ës, u zbuluan mbetjet njerëzore. Gjatë gërmimeve të cilat zgjatën deri më 22 gusht të 2014-ës, 52 trupa u gjetën në varrezë masive.

Kizhevaku

Zona e fundit ku u gjetën varreza masive është në Kizhevak të Serbisë. Një zonë e minierës, ku trupat e shqiptarëve të vrarë ishin mbuluar nga tonelata të gurëve, gjë që ia kishte vështirësuar punën edhe më shumë eskpertëve të Kosovës për të kryer hetimet. Në këtë lokacion u gjetën 10 trupa të shqiptarëve, prej të cilëve shtatë ishin identifike të reja, përderisa dy të tjera ribashkime nga trupat e gjetur më parë.

Përveç Serbisë, trupa të shqiptarëve të vrarë u gjetën në disa zona në Kosovë siç janë varrezat e myslimanëve në Mitrovicë. Kërkime ishin bërë edhe në oborrin e Universitetit të Prishtinës, megjithatë pa sukses.

PLAGA E HAPUR

Që pas përfundimit të luftës, me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur merret Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare. Blakaj në një rrëfim në Podcast Nacionale, ka treguar për sfidat e tij gjatë kryerjes së këtyre punëve.

“Kam vazhduar me intervistu familjarë të viktimave dhe të zhdukurve. Është e vështirë sepse je në kontakt të përditshëm me personat që janë afektuar më së shumti në luftë. Ata që kanë familjarë të vrarë e të zhdukur. Pra kur një person ka qenë viktimë e stërfishtë. Ndoshta më së vështiri ka qenë me kalimin e kohës, të punosh me familjarët e personave të zhdukur, e ata krejt kohën kanë shpresuar e kanë qenë të bindur se familjarët e tyre janë gjallë dikund në burgje sekrete ose kampe të ndryshme. Ishte periudhë 1 vit pas përfundimit të luftës, mirëpo ka pasur shumë të tillë që kanë shpresuar se familjarët i kanë gjallë”, ka treguar Blakaj për Nacionalen.

Megjithatë, ai e pranon se institucionet nuk kanë bërë mjaft për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur. “Komisionet për të vërtetën dhe pajtimin është dashur t’i mbledhin të gjitha faktet. Dëshmpërblimet gjithashtu janë me rëndësi. Dhe reformat institucionale që janë të domosdoshme për ta parandaluar përsëritjen e dhunës”, ka theksuar Bekim Blakaj.

Edhe 23 vjet pas luftës, familjarët e më shumë se 1 mijë e 600 personave vazhdojnë të mbesin me një ankth e një pritje: të marrin një lajm nga më të dashurit e tyre që ende janë të zhdukur.

/Nacionale/

 

Tjera nga autori:
1