A po ndikon Kanuni në drejtësi? - NACIONALE

A po ndikon Kanuni në drejtësi?

1 vit më parë

nga NACIONALE

“Falë iu qoftë o burra”. Këtë shprehje e thonë kur dy familje, ia falin një aksident a krim njëra-tjetrës. Jo rrallë, prezentë në ceremoni të tilla të faljes janë hoxhallarë, deputetë e politikanë të niveleve të larta. Madje, me krenari e publikojnë nëpër rrjete sociale. Falja e gjakut, përdoret si një tjetër argument edhe gjatë proceseve gjyqësore.

Pendimi për kryerjen e një vepre penale, e pajtimi ndërmjet familjeve, shpesh përdoret si argument nëpër gjykata, në mënyrë që dënimi të jetë më i ulët. Këtë e parashohin edhe disa ligje që janë në fuqi. Rasti i fundit është kur dy familjet u pajtuan, pas vrasjes së dy ish-zyrtarëve të PDK-së, Astrit Ademaj e Blerand Kadriaj.

Profesori i së Drejtës Romake në Universitetin e Prishtinës, Bedri Bahtiri problemin e sheh tek mentaliteti, pasi sipas tij, ligjet janë mjaft adekuate.

“Legjislacioni i Republikës së Kosovës është në pajtim me legjislacionin e BE-së, dhe standardet më të larta ndërkombëtare, rrjedhimisht, ky legjislacion nuk është i ndikuar nga e drejta zakonore. Pra, problem në vetë përbën praktika, për shkak të mentalitetit të rrënjosur thellë në tradita dhe zakone prapanike, e që po e interferojnë drejtësinë në Kosovë, të cilat duhet tejkaluar”, thotë Bahtiri për gazetën Nacionale.

“Legjislacioni i Republikës së Kosovës, ka marrë parasyshë të gjitha kontekstet, dhe nuk ka asnjë hapësirë, që kontestet të cfarëdo natyre, të zgjidhen me norma të tejkaluara kanunore”. ka thënë për Nacionalen profesori Bahtiri.

Raste të tilla kur Kanuni në një mënyrë apo tjetrën, ndikon në vendimet gjyqësore, ndërlidhen me vrasje e aksidente të ndryshme.

Çka thotë Kanuni e çka Ligji?

Ndermjetës thirret aj, i cilli hîn per me dà fjalët e kqija, me shmangë rragen, prej të cillave mùnd të shkaktohet vrasa a ndo 'i rrênim tjeter” thuhet në njërën nga normat zakonore, mbi shpjegimin e ndërmjetësuesit, e shkruar në Kanunin e Lekë Dukagjinit.

Me kênë të vramë njiqind vetë në njânin krah e në tietrin kurrnji, s'i të hîjë kush ndermjet, pushka do të prâjë, zjarmi do të shuhet”. Thuhet në kanun, respektivisht në librin që mban emrin “Ndera”.

Si babë e paçin faqen e bardhë. Ne duhet m’u mbajtë, ndryshe nuk bon. Se Zoti e ka shkru, çka vjen prej Zotit mirë se ardhtë. Të falësh është burrëri, nder e trimëri! Harmonia mes vete dhe bashkimi, përbëjnë forcën e një kombi. Filan fisteku i liron dy familje, të veten dhe të dhëndrit të tij, (këtu përmendet raporti, në mes paleve) nga ethet e hakmarrjes. E liron Filan Fistekun nga ethet e gjakut”.

Ndërmjetësimi, sipas Ligjit

Shteti, si formë bashkohore e më e organizuar e të drejtave, përmes organeve të veta speciale, në këtë rast gjykatave, ka paraparë edhe mënyren e rregullimit të kontesteve, përmes ndërmjetësimit të rregulluar me ligj, si formë e realizimit të të drejtave, në mes subjektesh.

Ndërmjetësimi sipas ligjit, e në pajtim me konventat relevante ndërkombëtare, fushëveprimin e tij, kryesisht e koncentron në raporte juridiko-pasurore, tregtare, familjare e pronësore.

Për dallim prej kanunit, ligji për ndërmjetësim është shumë më i kufizuar e më i kujdesshëm, sa i përket, fushëveprimtarisë penale.

Ndërmjetësimi në fushën penale zbatohet në rastet ku parashihet dënimi me gjobë dhe dënimi me burgim deri në tri (3) vjet.” thuhet në ligj.

Bile, në ligj, kujdes i veçant i kushtohet edhe dhunës në familje.

Ndërmjetësimi dhe procedura e ndërmjetësimit nuk zbatohet për rastet që kanë të bëjnë me dhunën në familje, në pajtim me Ligjin kundër Dhunës në Familje. thuhet në paragrafin pasues.

Ligji, për dallim me kanunin është krejt i ftohtë, në termat që përdorë për ndërmjetësuesin. Aty shpjegohet, funksioni, ligjshmëria si dhe kush mund të jetë ndërmjetësues.

“Ndërmjetësuesi, është personi i tretë, i paanshëm, i licencuar nga Ministria e Drejtësisë, i cili është përzgjedh të ndërmjetësojë në mes palëve me qëllim të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, në pajtim me parimet e ndërmjetësimit” shpjegohet në ligj.

Kur një marrëveshje e ndërmjetësimit quhet e arritur, sipas ligjit?

“Marrëveshja e ndërmjetësimit, është marrëveshje e arritur me shkrim e nënshkruar nga palët dhe ndërmjetësuesi për zgjidhjen e kontestit ndërmjet palëve në procedurën e ndërmjetësimit”.

Martesa dhe tradhëtia bashkëshortore është tjetër segment, që dallon këto dy të drejta, e që edhe sot në praktikë rregullohen, herë me njërën e herë me të drejtën tjetër.

Tek libri i kanunit, i quajtur “Martesa”, për tradhëtinë bashkëshortore, thuhet kështu:

“Per dy punë e ka fishekun në shpinë grueja e per nji punë i pritet theku e lshohet, per kurvni per mik të prem. Per këto dy punë të pabesijet i shoqi e vret të shoqen, e rrin pa ndore, pa besë e pa kenë i ndjekun për gjak, se prindja e nuses së vrame marrin çmimin e gjakut, e këtij do t’i napin fishekun e do t’i qesin dorëzanët” thuhet në kanun

Përderisa kanuni parasheh pasoja fatale për shkeljen e besnikërisë bashkëshortore, ligji në anën tjetër, këtë e sheh thjesht si një ndër aryset për shkurorëzim në mes bashkëshortëve.

Shkaqet e shkurorëzimit janë mes tjerash: jeta e padurueshme e bashkëshortëve, shkelja
e besnikërisë bashkëshortore,
veprat penale kundër jetës së bashkëshortit, keqtrajtimi serioz,
lënia qëllimkeqe dhe e paarsyeshme, sëmundja psikike e pashërueshme dhe paaftësia e
vazhduar për të vepruar, ndërprerja e paarsyeshme e jetës faktike për më shumë se një vit
dhe shkurorëzimi me marrëveshje të dyanshme
”. rregullon ligji.

Lajme të ngjashme