Çka janë paditë SLAPP që po synojnë t’ua mbyllin gojën gazetarëve? - NACIONALE

Çka janë paditë SLAPP që po synojnë t’ua mbyllin gojën gazetarëve?

1 vit më parë

nga NACIONALE

“Nuk flas për këtë temë, ka një padi në gjykatë për këtë”, është fjalia me të cilën shërbehet subjekti që për qëllim ka prolongimin e të vërtetës, ndaj së cilës e ka ekspozuar, një gazetar, aktivist, apo person tjetër.

Gjykata është organ special i shtetit, i thirrur për të ndarë drejtësi. Por paradoksalisht, ekziston një mjet juridik, që jo rrallëherë shfrytëzohet nga njerëz të fuqishëm, me anë të gjykatës, për të prolonguar të vërtetën.

Paditë Strategjike kundër Pjesëmarrjes Publike vlerësohen të jenë një nga format e abuzimit të gjyqësorit nga njerëz të fuqishëm, kryesisht kundër gazetarëve dhe shoqërisë civile. Kjo, kur politikanëve të fuqishëm apo biznesmenëve, nuk u pëlqen raportimi i gazetarëve.

Një definicion për paditë SLAPP?

Paditë SLAPP janë padi të pabaza ose të ekzagjëruara, të cilat ushtrohen nga njerëz të fuqishëm dhe të pasur, kryesisht figura publike, politikanë apo biznesmenë, kundër gazetarëve, mediave, aktivistëve apo të tjerëve. Qëllimi i tyre është që të pengojë pjesëmarrjen publike në temat me rëndësi publike. Paditë SLAPP janë abuzim i legjislacionit dhe sistemit gjyqësor, me qëllim të frikësimit të gazetarëve dhe aktivistëve.”

Përvoja e Kosovës

Flutura Kusari është një nga personat që me zell lobojnë për informimin e qytetarëve se cili është rreziku nga paditë SLAPP. Kusari në një prononcim për gazetën Nacionale ka treguar se çfarë synime kanë paditë e tilla. Ajo ka theksuar se aktivitetet kundër këtyre padive kanë nisur pas vrasjes së gazetares Dpahne Caruana Galizia në Maltë.

“Paditë SLAPP po përdoren si formë e re e intimidimit të gazetarëve, duke i zvarritë ata me vite të tëra nëpër gjykata, strategji kjo që i mban gazetarët dhe aktivistët larg punës së tyre”, thotë Kusari për Nacionalen.

Në Kosovë deri më tash janë identifikuar të paktën 5 padi SLAPP: RTK kundër Agron Demit, Kompania Kelkos kundër Adriatik Gacaferit, Kompania Kelkos kundër Shpresa Loshajt, Gjiko kundër Lavdim Hamitit dhe Enis Veliut dhe PDK kundër BIRN. Prej këtyre, disa prej paditësve janë tërhequr, e disa janë ende aktive.

“Në Kosovë ende nuk ka asnjë iniciativë shtetërore për adresimin e kësaj problematike. Por ka një iniciativë të organizatave joqeveritare, pjesë e së cilës jam edhe unë, e që quhet “Iniciativa Kosovare Kundër Padive SLAPP”. Ne aty po ngrisim vetëdijësimin e qytetarëve ndaj këtyre padive, si dhe po ndihmojmë në angazhimin e avokatëve për palët që janë viktimë e këtyre padive, si dhe po japim ndihmë juridike rreth tyre”, thotë Kusari për Nacionalen.

Kusari është edhe pjesë e komitetit kundër padive SLAPP, dhe tregon rolin e saj. “Puna ime në komitetin kunder padive SLAPP, në Këshill të Evropës është që brenda dy viteve, ta përpilojmë një rekomandim që do të vlejë për shtetet anëtare të këshillit. Qëllimi është, të udhëzohen anëtarët se si të veprohet ndaj këtyre padive.”

“Baza ligjore që po tentojmë ta përpilojmë i ka tri qëllime. E para, t’u mundësohet gjyqtarëve ta refuzojnë menjëherë një padi të tillë, aty për aty, pa vonesa. E dyta, gjykata të ketë mundësi të shqiptojë gjoba dhe dënime ndaj subjekteve që bëjnë padi SLAPP. Dhe e treta, gjykata duhet t’i kompensojë shpenzimet procedurale”, ka përfunduar Flutura Kusari për Nacionalen.

Paditë SLAPP dhe vetëcenzura

Paditë e tilla kanë disa efekte. E para llogaritet të jetë vetëcenzura. Pastaj, gazetari është i obliguar të marrë pjesë në pothuajse të gjitha seancat. Shpenzimet gjatë procedurës, për shkak të avokatit që e angazhon. Frika gjithashtu për procesin gjyqësor, ndikon në punën e gazetarit në të ardhmen.

Çka po bëjnë vendet demokratike kundër këtij fenomeni?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si bartës e mirëmbajtës të demokracisë në botë edhe në këtë çështje prijnë për nga rregullimi ligjor, në mbrojtje të mediave, shoqërisë civile si dhe debatit publik e të vërtetës.

Kalifornia ka miratuar ligj anti-slapp. Pala e paditur për shpifje, nëse dyshon se ka të bëjë me SLAPP, mund të ngrejë një kundër-padi, duke argumentuar se çështja për të cilën ai ka raportuar ose në një formë e ka mbrojtur, është çështje e interesit publik.

Në këtë pikë, gjykata obligohet ta ndërpresë gjykimin. Pra, nëse gjen se çështja ka të bëjë me interesin publik.

Edhe institucionet më të rëndësishme evropiane, dita-ditës po bëjnë hapa përpara për adresimin dhe kufizimin e mundësive, që slappistët të fshehin të vërtetën.

Këshilli Evropian ka ndërmarë hapa në adresimin e problematikës SLAPP.

Në janar të këtij viti, në një raport të përpiluar nga ky këshill thuhet: “Ky fenomen i rrezikshëm vë në pah çështje të ndjeshme sa i përket rolit të gjyqësorit. Në dritë të mandatit dhe përvojës së tij, Këshilli i Europës duhet të luajë rolin e tij duke zhvilluar kritere për SLAPP dhe duke rekomanduar masa kundër tyre”, thuhet në këtë raport.

Më 17 mars të vitit 2021, Komisioni Evropian ka themeluar grup të veçantë kundër kësaj dukurie.

Grupi i Ekspertëve kundër Padive SLAPP u emërtua trupa, brenda institucionit të Komisionit Evropian i cili në mandatin e vet dyvjeçar, do të ndihmojë Komisionin në përgatitjen e legjislacionit dhe politikave kundër SLAPP.

Më 4 dhe 5 prill të vitit 2022, është mbajtur edhe takimi i parë i kësaj trupe. Aty, si anëtare e këtij komuniteti, figuron edhe juristja e mediave nga Kosova, Flutura Kusari.

Lajme të ngjashme