Çka ndryshon, pse pati reagime dhe si do të zbatohet? Gjithçka që duhet të dini për reformën në Këshillin Prokurorial - NACIONALE

Çka ndryshon, pse pati reagime dhe si do të zbatohet? Gjithçka që duhet të dini për reformën në Këshillin Prokurorial

1 vit më parë

nga NACIONALE

Deputetët e Kosovës e kanë miratuar edhe në lexim të dytë ndryshimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës. 61 deputetë kanë marrë pjesë në votim, prej tyre 60 kanë votuar “për” dhe një deputet ka abstenuar.

Është pikërisht ky ligj me të cilin pushteti synon të identifikohet, marrë për bazë slloganin e tyre “drejtësi e punësim”. Rëndësia e ligjit është vlerësuar tejet e madhe, pasi Këshilli Prokurorial është edhe kategori kushtetuese, dhe njëherësh njëra nga institucionet më të rëndësishme për sistemin e drejtësisë.

Megjithatë, përplasjet ndërmjet Këshillit Prokurorial e partisë në pushtet kanë vazhduar edhe sot, kur ligji u miratua në lexim të dytë. KPK-ja tha se nuk do t’i nënshtrohen asnjë ndryshimi, për të cilin u votua sot në Kuvend.

“Meqenëse me këtë Ligj cenohet mandati kushtetues i anëtarëve të Këshillit, Këshilli njofton se përveçse do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të kontestuar përmbajtjen e këtij ligji, gjithashtu, asnjë anëtar i Këshillit nuk do t’i nënshtrohet kërkesave kundërkushtetuese dhe antiligjore që janë edhe kundër standardeve ndërkombëtare, por edhe kundër dy rekomandimeve të dhëna nga Komisioni i Venecias”, thuhet në komunikatë.

Çka parasheh ligji, cilat janë ndryshimet?

Me ligjin e ri parashihen 7 anëtarë, 4 prej tyre prokurorë, 2 anëtarë të zgjedhen nga Kuvendi i Kosovës, 1 anëtar të delegohet nga Avokati i Popullit.

Ligji i vjetër përcaktonte numrin e anëtarëve të këshillit me 13 anëtarë, 10 prej tyre prokurorë, duke përfshirë Kryeprokurorin e Shtetit, 1 anëtar avokat nga Oda e Avokatëve, 1 anëtar profesor universitar i drejtësisë, 1 anëtar përfaqësues nga shoqëria civile.

Zvogëlimi i numrit të anëtarëve të këshillit, që parashihet me ligjin e ri është njëri ndër ndryshimet më thelbësore e që pati përplasur pozitën, opozitën por edhe vet Këshillin Prokurorial.

Kjo pasi sipas opozitës, numri prej 7 anëtarëve në këshill, do të jetë shumë më e lehtë që të politizohet, e të “kapet” këshilli nga pushteti, sipas opozitës.

Ndryshe, Ministria e Drejtësisë fillimisht kishte propozuar që 4 nga 7 anëtarët e këshillit të zgjedhen nga Kuvendi i Kosovës. Por kjo u pa si ndikim i drejtëpërdrejt i politikës në drejtësi nga Komisioni i Venecias, ku në opinonin e tyre në lidhje me këtë ligj thuhej: “Reforma nuk duhet të çojë në nënshtrim të KPK-së ndaj shumicës qeverisëse

Si nisi ndryshimi i këtij ligji

Drafti i parë i këtij projektligji, i dërguar në Komisionin e Venecias nga vetë ministrja Albulena Haxhiu, u përballë me vërejtje serioze nga ky i fundit.

Në draftin e parë të përpiluar nga ministria e drejtësisë synohej që përveç zvogëlimit të numrit të anëtarëve nga 13 në 7, të ndryshohej edhe mënyra e zgjedhjes së anëtarëve në KPK. Propozimi fillestar i Qeverisë, ishte që 4 prej tyre të votoheshin në Kuvend të Kosovës e 3 të jenë prokurorë që zgjedhën nga kolegët e tyre. Por këtë ri-rregullim të KPK-së, e kishte parë me shumë shqetësim Komisioni i Venecias.

Në opinionin e tyre të datës 26 nëntor 2021 thuhej: “Reforma nuk duhet të çojë në nënshtrimin e KPK-së ndaj shumicës qeverisëse. Zgjedhja me shumicë të thjeshtë duhet të zëvendësohet me një sistem zgjedhor proporcional, ose emërimin e disa anëtarëve laikë nga institucionet e jashtme të pavarura ose shoqëria civile. Është e nevojshme të sigurohet që komponenti i KPK-së të jetë mjaftueshëm pluralist, në mënyrë që anëtarët e emëruar me votat e shumicës qeverisëse të mos mund të qeverisin të vetëm”

Ky opinion bëri që ministria, ta ndryshojë pikën ku thuhet se 4 anëtarë duhet t’i zgjedhë Kuvendi, duke e zëvendësuar me 3 anëtarë që zgjedhën nga kolegët e tyre prokurorë, ku dy anëtarë porotë zgjidhen nga Kuvendi, një anëtar porotë emërohet nga Avokati i Popullit si dhe Kryeprokurori është anëtar sipas detyrës zyrtare.

Për këtë çështje Komisioni i Venecias doli prapë me një draft opinion, ku përmirësimet në projektligj i pa si progres por që theksoi se ende ka hapësirë për përmirësime.

Mirëpo kjo i mjaftoi ministres Haxhiu, që t’i nisë procedurat drejt Kuvendit të Kosovës, respektivisht në Komisionin për Legjislacion, që këtë projektligj ta shtyjë sa më parë drejt sallës së Kuvendit, aty ku këtë të enjëte iu dha miratimi përfundimtar.

Kundërshtimet e opozitës, e KPK-së

Përplasjet për këtë projektligj, si rrallëherë patën tejkaluar debatin e zakonshëm pozitë-opozitë.

Në këtë debat ishte përfshirë edhe vetë këshilli prokurorial, ky aktuali, duke i reaguar ashpër ministrisë së drejtësisë disa herë.

Ky nxitim i Ministrisë për të proceduar me shpejtësi këtë draft të projektligjit, pa e ndarë draftin final me aktorët e këtij procesi dhe pa i pritur komentet finale nga Komisioni i Venecias, është tendencë për të cenuar pavarësinë e Këshillit Prokurorial”, thuhej në reagimin e KPK-së, pasi ministria kishte proceduar për kuvend këtë projektligj.

Oda e Avokatëve, përmes nënkryetarit të saj Naim Rudari, ka qenë gjithashtu mjaft e zëshme, pasi që me projektligjin e ri, odës i hiqet anëtari i vetëm potencial nga ky këshill.

Përmes një reagimi në Facebook, Rudari bënte thirrje që të ndalet patjetër miratimi i një projektligji të tillë:

Oda e Avokatëve, KPK dhe Shoqëria Civile duhet ta ndalojë projektligjin, që të miratohet si i tillë. Fatkeqësisht pa asnjë arsye është larguar nga kjo përbërje një (1) anëtar avokat nga Oda e Avokatëve të Kosovës”, thuhej ndër tjera në reagim.

Opozita ka qenë shumë aktive në shpjegimin e tyre, kundër këtij projektligji.

Driton Selmanaj, deputet i LDK-së e anëtar i Komisionit për Legjislacion, nëpër duart e të cilëve kalon ky projektligj, i pati folur Gazetës Nacionale, me tone mjaft të ashpëra për këtë rirregullim të KPK-së.

“Projektligji në tërësinë e vet është joprofesional, që nga qëllimi, që fillon me nenin 1 e deri në fund, ka nevojë për intervenime. Përbërja e Këshillit është jashtëzakonisht problematike, që 4 anëtarë t’i zgjedhë Kuvendi dhe 3 jo, sepse kjo do të ishte kapje. Bile kapje publike e organit të akuzës. Tash është bërë një ndryshim sipërfaqësor, që jo 4 anëtarë t’i zgjedhë Kuvendi por 3, ndërsa 4 të tjerë nga Këshilli Prokurorial, por mënyra se si është bë që të zgjidhet nga KPK, lë shumë për të dëshiruar”, pati thënë deputeti Selmanaj.

Lajme të ngjashme