Jep dorëheqje udhëheqësja e Divizionit për Mbrojtjen e të Akuzuarve nga Specialja - NACIONALE

Jep dorëheqje udhëheqësja e Divizionit për Mbrojtjen e të Akuzuarve nga Specialja

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pranvera Ejupi, udhëheqëse e Divizionit për Mbrojtjen Juridike të Personave të akuzuar nga Gjykata Speciale, ka dhënë dorëheqje.

Lajmin e ka konfirmuar vetë Ejupi në një prononcim për gazetën Nacionale.

“E vërtetë është, unë kam dhënë dorëheqje dje prej këtij pozicioni që e kam mbajtur qe dy vjet. E kam Emailin, arsyet nuk mund t’i them tash”, ka thënë Ejupi.

Pranvera Ejupi në këtë pozitë ka qëndruar për dy vjet. Në vitin 2019, ajo kishte qenë candidate për deputete nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

E pyetur nëse dallimet politike janë arsye e dorëheqjes së saj, Ejupi nuk ka pranuar të komentoj më shumë.

Nuk mund të flas më shumë”, ka thënë Ejupi duke e ndalur telefonin.

Ejupi bashkë me zv/ministrin e Drejtësisë, Blerim Sallahu, vitin e kaluar kishin qëndruar për vizitë në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

Gazeta Nacionale javë më parë ka raportuar edhe për një skandal që ka ndodhur brenda këtij Divizioni. Dy zyrtarë kanë punuar për muaj të tërë, pa qenë të verifikuar nga Agjencia Kosovare për Intelegjencë.

Burimet i kishin thënë Nacionales dy punëtorë në këtë divizon nuk e kanë kaluar verifikimin nga Inteligjenca. Divizioni në fjalë merret me përkrahjen, mbrojtjen juridike, kompensimet financiare, që ndërlidhen me personat e akuzuar nga Dhomat e Specializuara të Hagës.

“Këta janë dërguar para 6 muajve në verifkim, edhe pse nuk e kanë kaluar fazën janë duke punuar në zyre ku ka material të ndjeshëm dhe ku kërkohet verfikimi. Edhe pse Ministria mund të thotë që e kanë ulur nivelin e klasifikimit nga sekret në konfidencial, dokumntetet e Gjykatës Speciale vijnë me vulën sekret, dhe nuk mundesh me ia ulë nivelin e klasifikimit dokumentit që ti nuk e prodhon”, ka thënë ky burim në kushte anonimiteti për gazetën Nacionale.

Ministria e Drejtësisë e kishte konfirmuar se dy zyrtarë janë ende në procedurë të verifikimit.

“Ministria e Drejtësisë sigurohet që legjislacioni në fuqi të zbatohet, andaj siç e kemi theksuar edhe në përgjigjen e parë, zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë, të cilët kanë qasje në informacione të klasifikuara, janë të pajisur me leje përkatëse të sigurisë, përkatësisht kanë nënshkruar deklaratat përkatëse të konfidencialitetit, siç parashihet me ligj. Në proces verifikimi janë dy zyrtarë, për më tepër drejtohuni në AKI”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë për gazetën Nacionale.

ÇKA ËSHTË KY DIVIZON?

Themelimi i këtij Divizioni është si rrjedhojë e obligimeve që dalin për Ministrinë e Drejtësisë nga Neni 7 i Ligjit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave Potencial të Akuzuar në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, që si qëllim ka mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore dhe procedurat e ndërlidhura, për krimet e pretenduara pranë Dhomave të Specializuara.

Detyrat dhe përgjegjësitë e Divizionit për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara të cilat rrjedhin nga Rregullore QRK 12/2018) janë:

1.1. koordinon dhe përkujdeset për realizimin e udhëtimeve për vizitë të anëtarëve të ngushtë të familjes së personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara (në tekstin e mëtejmë: anëtarëve të ngushtë të familjes);

1.2.vendos për kërkesën e palës për kompensimin e udhëtimit për vizitë të anëtarëve të ngushtë të familjes;

1.3.përkujdeset për rezervimin e biletave të udhëtimit dhe rezervimin e hotelit sipas kërkesës së anëtarëve të ngushtë të familjes;

1.4.proceson lëndët për pagesë sipas kërkesave të parashtruara;

1.5. menaxhon kontratën për ofrimin e shërbimeve për mbrojtjen juridike të personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara;

1.6. mban regjistrin e personave të akuzuar dhe listën e anëtarëve të ngushtë të familjes së tyre si dhe ruan dhe trajton këto të dhëna sipas legjislacionit në fuqi për të mbrojtjen e të dhënave personale

1.7. menaxhon procesin e kompensimit të personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë dhomave të specializuara, të shpallur të pafajshëm me vendim të plotfuqishëm;

Lajme të ngjashme