Ndryshimi i Kushtetutës për Vetting - Një vizitë para rekomandimit të madh nga Venecia - NACIONALE

Ndryshimi i Kushtetutës për Vetting - Një vizitë para rekomandimit të madh nga Venecia

1 vit më parë

nga NACIONALE

Njëra nga reformat më të rëndësishme në sistemin e drejtësisë, pritet të marrë rrugë në fillimin e muajit qershor. Synimet e Ministrisë së Drejtësisë për ta bërë Vettingun, me ndryshime kushtetuese do të qartësohen nga rekomandimi i Komisionit të Venecias. Para rekomandimit të madh, zyrtarët nga ky Komision qëndruan në Kosovë e ku takuan liderë institucionalë.

Dy zyrtarë të lartë të Komisionit të Venecias gjatë kësaj jave zbarkuan në Kosovë. Grainne McMorrow dhe Schnutz Dürr u takuan me ministren e Drejtësisë, zv/kryeministrin Bislimi kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca e presidenten, Vjosa Osmani. Nga të gjithë këta, u morën qëndrimet rreth procesit të Vettingut në sistemin e drejtësisë.

Kjo vizitë e zyrtarëve të Komisionit të Vencias ka ardhur pak ditë, pasi ky institucion do të dalë me rekomandimin përfundimtar nëse ndryshimet kushtetuese, janë të nevojshme për ta realizuar një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë së Kosovës.

“Ndër të tjera, ministrja Haxhiu përmendi edhe nevojën për Veting si një kërkesë shoqërore për Kosovën, ekzistimin e korrupsionit të përhapur në gjithë sistemin (të konstatuar edhe në draft opinion), ndryshimet ligjore të vazhdueshme por pa rezultate konkrete dhe mos funksionimin e mekanizmave të brendshëm të llogaridhënies për gjyqtar dhe prokurorë”, thuhej në komunikatën e Ministrisë së Drejtësisë.

Takime me anëtarët e Komisionit të Venecias, kishte pasur edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. “Kryetari Konjufca, duke e konsideruar procesin e vetingut si thelbësor për zbatimin e reformës në drejtësi, shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe vlerësoi kontributin e këtij Komisioni në ofrimin e opinioneve dhe rekomandimeve në lidhje me çështjet ligjore që trajtohen në institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftim.

Me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias, e fundit u takua edhe presidentja, Vjosa Osmani. “Presidentja Osmani theksoi se një proces i mirëfilltë dhe profesional i vetingut është jetik për ta forcuar sundimin e ligjit, si dhe për të garantuar integritetin, efikasitetin dhe profesionalizmin e sistemit të drejtësisë. Si i tillë, procesi i vetingut ka për synim forcimin e cilësisë së sistemit të drejtësisë, i cili ndikon drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhej në komunikatw.

Në mesin e opsioneve për Vetting, Ministria e Drejtësisë ka përzgjedhur opsionin e pestë, nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese. Këtë ide, e kanë përkrahur edhe nga shoqëria civile. Megjithatë, njëri nga hartuesit e Kushtetutës, Arsim Bajrami, po e kundërshton një gjë të tillë.

“Ne duhet me i ikë praktikës së keqe që e ka pasur Republika e Shqipërisë që sa herë i ka ndryshuar qeveritë e ka ndryshuar edhe Kushtetutën. Kushtetuta nuk bëhen për një qeveri, për një parti, por bëhet për një epokë qeverisëse. Nuk duhet lejuar ndryshimet për qëllime politike”, kishte thënë Bajrami për Nacionalen.

“Natyrisht procesi i vetingut, nëse shkon sipas konceptit që është paramenduar, sigurisht që kërkon ndryshime kushtetuese, sepse prek pushtetin gjyqësor, prek disa garancione kushtetuese, prek mandatet e gjyqtarëve, prek parimet e organizmit të gjyqësorit dhe kjo patjetër që kërkon ndryshme kushtetuese”, kishte thënë ai.

CILAT NDRYSHIME?

Dy amendamente, dhe 17 nene të reja në Kushtetutën e Kosovës. Ky mund të jetë bilanci i ndryshimeve kushtetuese të hartuara nga Ministria e Drejtësisë, në mënyrë që t’i hapet rruga një prej reformave më të thella në sistemin e drejtësisë në Kosovë, vettingut.

Kjo reformë sipas planit të ministrisë që e drejton Albulena Haxhiu, synon të bëjë një vlerësim të performancës, pasurisë dhe integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që aktualisht janë pjesë e sistemit të drejtësisë, dhe atyre që në të ardhmen mësyjnë këto pozita.

Në dokumentet e siguruara nga Gazeta Nacionale, në dy prej neneve të Kushtetutës ku flitet për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, do të shtohet nga një paragraf ku thuhet: “Neglizhenca e rëndë e detyrave përfshin edhe rastet kur prokurori/gjyqtari është vlerësuar me performancë të pamjaftueshme ose është konstatuar se ka pasuri të pajustifikueshme, ose integriteti i tij është cenuar, ose ka kryer shkelje të rëndë disiplonore siç rregullohet me ligj”.

Një vlerësim kalimtar i cili do të zgjasë për një periudhë 5-vjeçare do të bëhet, e të cilit do t’i nënshtrohen prokurorë, gjyqtarë dhe pozita tjera në sistemin e drejtësisë, por që kjo do të përcaktohet me një ligj që do të krijohet më vonë. Ky vlerësim kalimtar mund të vazhdojë edhe për dy vite të tjera, varësisht nëse një gjë e tillë përcaktohet sipas ligjit.

“Vlerësimi i performancës përfshin njohuritë profesionale, aftësinë për arsyetim juridik dhe kompetenca tjera të përcaktuara me ligj. Vlerësimi kalimtar i pasurisë përfshin vlerësimin e deklarimit të pasurisë të subjektit që vlerësohet ose anëtarëve të familjes, duke identifikuar rastet e mospërputhjes mes pasurisë së tij, dhe të ardhurave të tij të ligjshme. Vlerësimi kalimtar i integritetit përfshin vlerësimin e kontakteve të panevojshme që mund të ndikojnë në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive në mënyrë të paanshme dhe objektive nga subjekti në vlerësim, ose kur kjo mund të ndikojë në detyrat dhe përgjegjësitë e tij,”- thuhet në 3 prej neneve që synohet të shtohen në Kushtetutën e Kosovës.

Ky vlerësim do të kryhet nga një autoritet që është quajtur për vlerësim kalimtar, do të përbëhet nga një kolegj vlerësues, paneli i apelit dhe sekretariati i autoritetit. Kolegji që do të kryejë vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, do të përbëhet nga tre anëtarë të cilët, thuhet të jenë juristë dhe personalitete të dalluara me integritet.

Por, cilat do të jenë masat që do të merren ndaj gjyqtarëve apo prokurorëve, që nuk do ta kalojnë procesin e verifikimit?

“Në varësi të rezultatit, Paneli vlerësuar konfirmon kalimin e vlerësimit ose vendos për njërën nga këto sanksione: për gjyqtarët dhe prokurorët, kalimi në gjykatë apo prokurori më të ulët. Për poste tjera në Ministrinë e Drejtësisë, transferim i përhershëm në një pozicion më të ulët ku ata shërbejnë. Trajnim i detyrueshëm sipas ligjit. Propozim për shkarkim. Kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë, apo pozita tjera në sistemin e drejtësisë nëse nuk e kalojnë këtë vlerësim, nuk mund të emërohen në ato pozita”, thuhet në nenin 166, që po synohet t’i shtohet Kushtetutës së Kosovës.

Por, që këto ndryshime të jetësohen, fillimisht Ministria e Drejtësisë është në pritje të një përgjigjeje nga Komisioni i Venecias. E nëse rekomandimi del të jetë pozitiv, sfida e radhës është sigurimi i 81 votave në Kuvendin e Kosovës. Nga të cilat për këto ndryshime kushtetutese, nevojiten edhe 2/3 e partive minoritare. /Nacionale/

Lajme të ngjashme